DUKE LEXUAR ROMANIN “PSE?” TË SHKRIMTARIT STERJO SPASSE (Fragment faqe 84-87) / Përgatiti: Myrteza Mara

Sterjo portret

 

DUKE LEXUAR ROMANIN “PSE?” TË SHKRIMTARIT STERJO SPASSE

(Fragment faqe 84-87)

 

E pashë se ishte ndezur në mendime të ndërlikuara. Gjeta rastin dhe i bëra edhe një pyetje tjetër
– Fort mirë për ju! Po këtë Zotin e gjithësisë, e njerëzisë, desha të them, si e kuptoni ju?
Ai u vrejt dhe pasatj me zemërim më tha:
– Të thashë se s’është nevoja të dish besimin tim: beso në atë që do. Megjithatë nëse do të dish diçka për Zotin e njerëzisë po të përgjigjem: Unë dridhem dhe më ze tmerri të përfytyroj Zotin në mes të Parajsit i rrethuar në lumturi të pakufizuar, kur vuajnë po në atë kohë krijesat e tij në këtë Botë. Po! Unë nuk mund të përfytyroj kurrësesi një fuqi të tillë. I japin pra kuptim të shtrembër fuqisë së mbinatyrshme.
Perëndia e njerëzisë së sotme është një diktator, një tiran i pashpirt; ai paska parajsë e skëterrë, dmth liri e burg. Ai është i mëshirshëm e i mirë për atë që ndjek çapat e tij dhe i pamëshirshëm e mundues për atë që nuk ndjek rrugën e tij: e fut në skëterrë, në burg! Thashë se është diktator e tiran, më i rrezikshëm se diktatori e tirani njeri. Sepse ai dënoka pa mëshirë jo vetëm ata që punojnë keq, por edhe ata që mendojnë keq, dmth s’pranon as liri mendimi. Nuk është vetëm kaq; të të dënoj pse po i përhap mendimet vetëm me trutë e tu, kjo s’ka fare të ngjarë:as diktatori më i poshtër i Botës nuk jep këtë dënim. Zotin pra e kemi veshur me të mirat dhe të ligat e një njeriu, por…njeriut diktator! A thua se duhet t’i përulemi këtij diktatori që ka krijuar fantazia e njeriut? Jo!
Për veten time Zoti i gjithësisë as që fal e as që dënon dhe as që është shtrirë ndër fijet e lumnturisë së pakufizuar, sikurse po e shtremëbron bota, por vetëm mëshiron. Pra, nuk është diktator, tiran, vrasës e falës, d.m.th., nuk është njeri, por është mëshirues, është fuqi e mbinatyrshme, është Zot!
Zoti duhet të jet simbol i urtësisë, i mirësisë, i urtësisë, i virtytit pa asnjë njollë të përkundërt. Emri i tij kur zihet në gojë duhet të ngushëlloj të urtuarit e të mjerët, duhet të ngjallë shpresat e të humburve, duhet t’i ngop lakmitarët. Ai pra vuan me krijesat e tij se me ata e për ata është krijuar. Por…mos e nga më tutje, s’është nevoja as të dish e as të them.
Këto tha dhe sikur e mbylli bisedën. Por unë nuk e lashë me kaq: I bëra dhe disa pyetje të shkurtëra:
– Ç’është jeta për ju?
– Flluskë sapuni!-m’u përgjigj
– Po vdekja?
– Shpërblimi i jetës!
– Ç’është Bota!
– Një pikë helm në harresë!
– Ç’është më e pakuptuar në Botë?
– Vdekja!
– Cila është kafsha më e egër?
– Njeriu!
– Po më e butë?
– Ajo që s’ka lindur!
– Cili njeri ju duket më i poshtër?
– Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon marrëzisht sa që nuk kujton as vdekjen!
– Ç’është budallallëku?
– Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!
– Po puna më e mençme?
– Të gëzosh të tashmen!
– Ç’është më e afërme?
– Vdekja!
– Po më e largët?
– Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.
– Çfarë është e pavdekur?
– Hapsira!
– Ç’është më e bukur?
– Fantazia!
– Po më e shemtuar?
– Sëmundja!
– Më e hidhur?
– Jeta!
– Më e ëmbël?
– Hiçi!
– Ç’gjë është më e madhe?
– Libri i Botës!
– Po më e rëndë?
– Fjala!
– Më e pamundur?
Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. Më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj, duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi.
– Edhe në të pyeturit duhet njeshtëri. Çfarë pyete tani?
– Çfarë gjë e pamundur ju duket tani tani dhe do t’ju duket edhe mbas disa mijëra vjetëve, sikur të jetonit?
– Të ndryshosh veten dhe formën; dmth: jam unë e të bëhem ti, jam njeri e të bëhem pëllumb!
– Kur shpërblehet njeriu?
– Kur e kujton veten të lumtur!
– Cila gjë ju duket më e mërzitshme?
– Çdo send është më i mërzitshëm se një tjetër!
– Çfarë ju duket e vështirë?
– Të jesh njeri!
– Po me e lehtë?
– Të krijosh krijesë njerëzore!
– Cili është ngushëllimi i të pasurit?
– Pesha e qeses!
– Po i të vobektit?
– E ardhmja!
– Nuk ju kuptoj,-thashë për së dyti.
– Vdekja!-m’u përgjigj serioz.
– Po ç’përmban jeta e njeriut?
– Vetëm dyshime!
Këto tha dhe heshti. E pashë që u lodh; kishte nevojë për qetësi. Ia mora dorën, duke e quajtur si rreze të domosdoshme dritë për diturinë. U largova nga dhoma e tij i bindur në vetvete se kisha përfituar diçka nga biseda e tij…, isha qetësuar.
Ngushëllimi i të vobektit është dhe ngushëllimi im: e ardhmja e fundit!

 

 

myrteza

Përgatiti: Myrteza Mara

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s