“Bashkimi kombëtar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha” / Nga : Doc. dr. Zeqirja REXHEPI

 

“Bashkimi kombëtar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha”

 

(pjesë nga tema referuar në konferencën shkencore organizuar nga Shoqata “Tradita” – Tetovë, më 10 qershor 2015)

 

 

11063674_885660064839442_3561080027553646603_n

Nga : Doc. dr. Zeqirja REXHEPI

 

 

Marrëdhëniet ndërkombëtare funksionojnë mbi disa principe, të cilat vendosen nga Fuqitë e Mëdha. Ata janë vendosur zakonisht pas ndonjë ngjarje të madhe historike.

Në shek. XIX marrëdhëniet ndërkombëtare funksionuan mbi bazë të principeve që u vendosën në Kongresin e Vjenës; pas Luftës së Parë Botërore këto marrëdhënie i përcaktonte Lidhja e Kombeve; në përfundim të Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet ndërkombëtare u ravijëzuan në Jaltë; ndërkaq në përfundim të Luftës së Ftohtë, Rendi Ndërkombëtar i Jaltës u korrigjua, duke filluar një etapë e re historike, i njohur si Rendi i Ri Ndërkombëtar.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve vazhdon të mbetet si një nga sfidat me serioze, në rrafshin ballkanik dhe evropian, me të cilën përballet diplomacia e Fuqive të Mëdha. Jam përpjekur që temën time, Bashkimi kombëtar sfidë serioze për diplomacinë e Fuqive të Mëdha, ta vendos atë në rrafshin historik, përkatësisht në faza të caktuara, kur përcaktohej harta politike e Evropës, filluar nga periudha e shpërbërjes së Perandorisë Osmane e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë Federative dhe krijimin e Kosovës si shtet i pavarur.

 

Sfida në kohën e Kongresit të Berlinit

 

Në gjysmën e dytë të shek. XIX, nën ndikimin e ideve të Revolucionit Francez dhe të lëvizjeve tjera kombëtare që zhvilloheshin ndër popujt tjerë, edhe ndër shqiptarët zgjimi kombëtar kishte arritur një nivel shumë të lartë. Zhvillimi i ngjarjeve në kohën e Krizës Lindore – 1875-1878, i vunë në lëvizje edhe shqiptarët. Për dallim nga lëvizjet e mëhershme, të karakterit feudal, në gjysmën e dytë të shek. XIX, lëvizja tek shqiptarët mori karakteristika kombëtare. Ideologët e Lëvizjes Kombëtare, iluministët shqiptarë të kohës, për dallim nga ata që ishin të lidhur për interesa personale me pushtetin e Portës së Lartë, e kishin vërejtur rrezikun e madh nga rrënimi i Perandorisë Osmane. Andaj, nuk është për t’u habitur se pjesa më vizionare e ideologëve të Rilindjes u vunë në ballë të organizimit politik kombëtar, për të fokusuar potencialet e brendshme shqiptare kundër pretendimeve hegjemoniste të popujve fqinj. Një nga format e organizimit politik me karakter kombëtar, e cila doli në skenën historike në gjysmën e dytë të shek. XIX ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Të nxitur nga zhvillimi i ngjarjeve të kohës (Lufta Ruso-Turko e vitit 1877-78 dhe epilogu i saj, Traktati i Shën Stefanit), ideologët e shquar të Rilindjes Kombëtare u alarmuan me ç’rast u tubuan në Prizren, tre ditë para se të fillojë punimet Kongresi i Berlinit, ku formuan për herë të parë institucione me karakter kombëtar – Lidhjen Shqiptare, me organet e saj. Me pak fjalë u krijua një Institucion politik kombëtar, i cili do të përfaqësojë të gjithа trojet etnike shqiptare.

Ajo që është për t’u theksuar, ideja fundamentale që u hartua nga Lidhja e Prizrenit është unifikimi i trojeve etnike shqiptare, ide e cila mbijetoi në të gjitha kohërat, pavarësisht zhvillimit të ngjarjeve që ndodhën më vonë, pra një ide që vazhdon të mbetet aktualе edhe në kohën e sotme.

Një rëndësi të veçantë rreth zhvillimeve politiko-territoriale në Ballkan luajti Kongresi i Berlinit, i cili vendosi për zgjidhje në tryezën diplomatike çështjet rreth krizës që kishte shpërthyer në rajonin ballkanik, pas Luftës Ruso-Turke dhe Traktatit të Shën Stefanit. Por, edhe përkundër përpjekjeve të Lidhjes së Prizrenit për të imponuar ndonjë far zgjidhje të çështjes shqiptare, kërkesat e Lidhjes nuk u shqyrtuan. Ndërkaq, Porta e Lartë nuk tregoi gatishmëri për të biseduar rreth kërkesave të Lidhjes Shqiptare, në veçanti rreth unifikimit të katër vilajeteve, përkundrazi sapo përfundoi Kongresi i Berinit, Porta e Lartë në vend të bisedimeve me krerët shqiptarë, dërgoi ushtrinë për të shuar Lidhjen. Ajo kishte plane tjera – synonte që nga myslimanët e Perandorisë të krijojë kombin turk.

Pas Kongresit të Berlinit, marrëdhëniet ndërkombëtare u zhvilluan mbi principe të ruajtjes së gjendjes ekzistuese apo siç njihet me fjalorin diplomatik status-quo. Parimi në fjalë e dëmtonte kauzën shqiptare, sepse popujt tjerë ballkanik i kishin avansuar statuset e tyre përmes shteteve të pavarura ose autonomive, me çka u jepej mundësia për zhvillimin e tyre dhe për të bërë plane që në një rast të ardhshëm të konfrontimit me Perandorinë, të pushtojnë edhe pjesët e mbetura të saj në Ballkan, administrimet perëndimore të së cilës ishin troje shqiptare.

Në gjysmën e dytë të shek. XIX, edhe përkundër faktit se Perandoria Osmane kishte marrë tatëpjetën e saj dhe mund të eliminohej nga Lëvizjet Kombëtare të popujve ballkanikë, Fuqitë e Mëdha nuk lejonin shpërbërjen e P. Osmane për dy arsye kryesore:

E para, ata kishin plane tjera për zgjerimin e ndikimit të tyre në rajon, dhe

E dyta, ata mendonin se shtetet e reja kombëtare në Ballkan do të prishnin Rendin Ndërkombëtar – ekulibrin e forcës.

Tridhjetë e katër vjet pas Kongresit të Berlinit, pra më 1912, status-quo-ja u shemb me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), provuan dështimin e atij parimi të shumpërfolur.

 

Sfida në përfundim të Luftës së Parë Botërore

 

Në qoftë se pranohet fakti se, diplomacia ekziston për të parandaluar konfliktet, atëherë Lufta e Parë Botërore është një dëshmi e cila shpalosi disfatën e diplomacive të Fuqive të Mëdha.

Interesat egoiste të kombeve të mëdhenj e hodhën qytetërimin evropian në një konflikt më të madh që kishte ndodhur gjatë historisë. Ana pozitive e këtij konflikti ishte dalja në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare e SHBA-së dhe e Presidentit të saj, Udro Uillson, i cili personalisht do të merr pjesë në Konferencën e paqes në Paris, më 1919. Uillsoni, duke e njohur historikun e vendeve dhe kombeve evropiane, hodhi poshtë parimin e diplomacisë evropiane të ekulibrit të forcës, e me këtë edhe status-quo-në, dhe propozoi vetëvendosjen si parim për zgjidhjen e çështjeve teritoriale të kombeve evropiane. Sipas Uillsonit, nuk ishte vetëvendosja ajo që prishte ekuilibrin, por ishte mungesa e saj që shkaktonte luftëra midis kombeve në Evropë.

Propozimi i Uillsonit, për aplikimin e parimit të vetëvendosjes me rastin e përcaktimit të hartës politike të Evropës së kombeve nuk u mor parasysh, e kjo don të thotë se harta e re evropiane u krijua mbi kritere egoiste të fituesve. Kështu, mbi territoret e dikurshme të administruara nga Austro-Hungaria u krijua një shtet i ri “eksperimental”, siç ishte Mbretëria e Jugosllavisë, e cila përfshinte Serbinë dhe Malin e Zi, duke u shtuar edhe Bosnjë dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Slloveninë.

Çështja shqiptare e cila kishte mbetur si një zgjidhje gjysmake nga Konferenca e Londrës vazhdoi të mbetet pezull… në hije të “çështjeve të mëdha” evropiane dhe ballkanike.

Më duhet të theksoj se, po të aprovohej propozimi i Presidentit të SHBA-së, Udro Uillson, për aplikimin e vetëvendosjes, diplomacinë evropiane do ta çonte në kahe të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura, të cilat kishin mbetur pa u zgjidhur gjatë historisë, pra edhe të çështjes shqiptare.

 

Sfida në përfundim të Luftës së Dytë Botërore

 

Henry Kissinger, njëri prej diplomatëve më të mëdhenj të shek. XX, mes tjerash do të konstatojë, se “Sistemi Ndërkombëtar i padrejtë herët ose vonë vihet në rrezik”. Pra, Sistemi Ndërkombëtar i Versajit, mundi të qëndrojë më pak se dy dekada.

Mirëpo, parimet mbi të cilat funksiononin marrëdhëniet ndërkombëtare, zakonisht mund të ndryshonin pas zhvillimit të ngjarjeve të mëdha. Një rast i tillë iu dha brezit të ri të diplomacisë së Fuqive të Mëdha, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Me shtrirjen e Luftës së Dytë në Ballkan, çështja shqiptare e ka sfiduar edhe diplomacinë e Fuqive Fashiste. Pas shpërbërjes së Mbretërisë së Jugosllavisë, më 1941, diplomatët fashistë Çiano dhe Ribentrop në Marrëveshjen e Vjenës, e avansuan zgjidhjen territoriale të Shqipërisë. Mirëpo kjo zgjidhje nuk ishte mbi bazë të shtetit sovran, por mbi bazë të një shteti protektorat i Italisë.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Bota funksionoi sipas parimeve të vendosura në Jaltë. E kjo ishte ndarja e sferave të interesit sipas principit ideologjik. Në Konferencën e Jaltës, të mbajtur nga 4-11 shkurt 1945 diplomacia e vendeve fituese përcaktuan Rendin Ndërkombëtar, i cili hapi një serë problemesh ndërkombëtare të mëvonshme.

 

Konferenca Jaltës praktikisht hapi një etapë të re historike, e cila i ndau kombete dhe shtetet evropiane mes përmes – Jalta përgatiti ndarjen e Evropës në dy blloqe.

Shqiptarët, duke iu përgjigjur thirrjes dhe platformës së Kartës së Atlantikut dhe parimeve të saj, për një botë të re me të ardhme më të mirë, morën pjesë aktive në Luftën Antifashiste, duke shpresuar në zgjidhjen e çështjes së unifikimit kombëtar. Por, edhe kjo shpresë mbeti e parealizuar.

Në rrethana të polarizimit evropian, të përcaktuara nga Fuqitë e Mëdha, shqiptarët u lanë në sferën e ndikimit komunist. Kjo ndodhi edhe për faktin se, komunistët shqiptarë në Shqipëri, kishin arritur ta shtinë në dorë pushtetin qysh gjatë luftës.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në Evropën e ndarë, kombi shqiptarë edhe brenda sferës së ndikimit komunist ishte i ndarë më dysh: shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët në Jugosllavi, që nuk kishin kurfarë komunikimi brendakombëtar deri në kohën e rënies së sistemit komunist. Pra, në qoftë se kishte ndonjë komb evropian që ishte i ndarë më keq, ky ishte kombi gjerman, i cili paguante tagrin për krimet e fashizmit.

Sfida në përfundim të Luftës së Ftohtë

 

Në përfundim të Luftës së Ftohtë, krahas rënies së sistemit komunist dhe daljen në skenë të sistemit parlamentar shpërbëhet edhe Jugosllavia. Me këtë sërish rilindi shpresa për bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ideja e dikurshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për bashkimin e trojeve shqiptare sërish e sfidoi diplomacinë e Fuqive të Mëdha. Mirëpo, menjëherë pas ribashkimit të Gjermanisë, më 3 tetor 1990, diplomacia e Fuqive të Mëdha shpejtoi që përmes organizatës së Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE), në nëntor 1990, në konferencën e mbajtur në Paris aprovon dokumentin, i njohur si “Кarta për një Evropë të Re”, sipas të cilit përcaktohen parimet themelore rreth marrëdhënieve ndërkombëtare në Evropë. Midis këtyre parimeve theksohen: tre parime kryesore:

1.Integriteti territorial i vendeve të Evropës;

2.Mosmbështetja e forcës ushtarake, dhe

3.Zgjidhja e kundërthënieve përmes rrugës paqesore.  

Parimet që i vendosën Fuqitë e Mëdha, në të vërtetë mbyllën shtegun e mundshëm për të rihapur çështje të pazgjidhura kombëtare, siç ishte dhe çështja shqiptare.

 

Për fund

 

Realitetet politiko-kombëtare në Evropë, gjatë historisë janë krijuar sipas modelit të shtetit-komb apo kombit-shtet (modeli francez apo ai gjerman). Mirëpo, cilido model të përfillej, në rastin shqiptar, në qoftë se ndër parimet bazë mbi të cilat funksiononin marrëdhëniet ndërkombëtare, do të futej vetëvendosja apo plebisciti, si një e drejtë e patjetërsueshme, kurrë nuk do të vinte në pikëpyetje çështja kombëtare e popujve. Me këtë, edhe kombit shqiptar do ti jepej mundësia e përmbylljes së procesit të formësimit të realitetit politik. Më duhet të theksoj se, shqiptarët e mbyllën çështjen e formësimit të brendshëm kombëtar – çështje që varej nga vetë pjesëtarët e tij, por nuk arritën ta mbyllin edhe çështjen e formësimit territorialo-politik, çështje kjo që varet nga parimet, të cilat përcaktohen nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare.

Ideja për unifikimin e trojeve etnike shqiptare, në kohë të ndryshme u emërtua me nocione të ndryshme, varësisht nga politikat ditore. Kështu, në periudhën pas Kongresit të Berlinit, u emërtua si Autonomi e katër vilajeteve, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore u emërtua si Shqipëri e Madhe, në kohën moderne është aktuale Shqipëri Etnike… Në esencë ideja e Lidhjes së Prizrenit, për unifikimin e shqiptarëve, vazhdoi të mbetet një ëndërr parealizuar për të gjithë shqiptarët, e cila kurrë nuk u shtrua për t’u zgjidhur në tryezat e diplomacisë ndërkombëtare, dhe të merr epilogun përmbyllës – pra, gjithnjë mbeti një çështje për t’u dëshiruar.

Edhe përkundër faktit se, bashkimi kombëtar shqiptar mbeti sfidë për diplomacinë e Fuqive të Mëdha, ajo kurrë nuk u shtrua si një zgjidhje e tërësishme. Për hirët të së vërtetës, ajo u shtrua për t’u zgjidhur, por parcialisht: kështu ndodhi në Londër 1913… Rambuje 1999… Ohër 2001.

Ndodhi kështu edhe për faktin se, ndonëse kombi shqiptar e mbylli çështjen e formësimit të brendshëm të identitetit kulturor, megjithatë është i vetmi komb në Ballkan që nuk arriti të krijojë një qendër të fuqishme politike, ekonomike, kulturore, fetare, administrative, përmes së cilës do të mund të impononte zgjidhjen përfundimtare të bashkimit kombëtar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s