Rrugica e fëmijërisë / Tregim nga Skënder Braka

Rrugica e fëmijërisë

 

 

Skender Braka

 Tregim nga Skënder Braka

 

Ditët ishin në pikun e zvogëlimit të tyre dhe i ftohtit, i cili që prej një jave kishte zbritur nën dy shifta, të dukej sikur nuk do të largohej kurrë nga lagja jonë, e varfër.Ndonse ora kishte shkuar gjashtë, dita ende nuk kishte zbardhur dhe në rrugë mbretëronte një qetësi mashtruese. Ngrita si zakonisht qepenin e lokalit, të cilin e kisha ndërtuar vite më parë buzë rrugicës sime të fëmijërisë dhe më pas, vura duart mbi ekspres për të marrë një afsh të ngrohtë. Kishte tash ca vite që lokalin tim e kishin quajtur; lokali i peshkatarëve. E bëja me shumë dëshirë punën në këtë koshere të vogël e të mbyllur, që si pakuptuar ishte kthyer në një burim të mistershëm intrigash dhe pasionesh, për një numër klientësh që i kisha pothuajse të përditshëm. Nuk ka gjë më intriguese dhe interesante kur miqësohesh dhe familjarizohesh me klientët e, aq më tepër kur ata janë pjesë e komuniteti tënd dhe ndjanë me ty të njëjtat halle dhe problem të ditës.

Nga dita në ditë unë punoja dhe vrisja mëndjen për të gjetur rrugë dhe mënyra nga më të ndryshmet për të joshur peshkatarët, të cilët kalojnë këtu një pjesë të mirë të kohës së tyre të lire. Pasi kanë hedhur pas krahve netët e vetmisë, duke lundruar në det të hapur e të panjohur. Më pëlqen kur ata porsa ulen në karriket e lokalit, harrojnë gjithçka dhe brënda disa orëve jepen pas pijeve dhe nisin të tregojnë me passion për gjithëçka kanë ëndërruar me zjarr në jetën e tyre të varfër, të vështirë e të mundimshme.

Autobuzi i linjës për në N.I.Tulla, që ishte edhe stacion i fundit kishte kaluar dhe prej tij, nuk kishte zbritur asnjë nga klientët e mi. M’u desh të qëndroja edhe për nja pesëmbëdhjetë minuta për të pritur urbanin e radhës me të cilin duhet të vinte ndonjë syresh. Rrufita shpejt e shpejt kafen time të përditshme dhe mbajta vesh muzikën e trishtueshme që përhapej nga lokali përtej rrugës dhe, më pas dëgjova bisedën e mërzitshëme të një grupi kalimtarësh. Me sa kuptova, po shkonin diku për ndonjë mort. Ky mendim më erdhi vetvetiu, pasi të trija gratë në të ishin të veshura me të zeza.Në çast më pushtoi një ndjenjë keqardhjeje dhe aty për aty vrava mëndjen për njeriun që duhet të kishte ndrruar jetë në lagjen time. Nuk kisha arritur t’a kuptoja kurrë përse pjesa më e madhe e njerëzve, i largohej jetës natën. Kur ata muarën kthesën dhe u futën në njërën prej rrugicave të lagjes, në rrugicën time të fëmijërisë, atëherë, hamëndësimet m’u bënë gjithnjë edhe më ngacmuese dhe më të mëdha. Deri aty, ku mbaronin ndërtesat e vjetra njëkatëshe dhe më tej nisnin barakat e ndërtuara me gjithfarë llamarinash e dërrasash të kalbura, unë i njiha të gjithë banorët e lagjes sime, por të ardhurit, që kishin ngritur shtëpitë e tyre pak më tej, në rrethinat e ngrehinës së U.M.B-së së shkatërruar e të grabitur tërësisht, shumë më pak. Dikur lagjja jonë kishte qënë një lagje peshkatyarësh dhe puntorësh, që vinin prej shtresave më të varfëra e më të persekutuara të shoqërisë. Ishte një lagje e vogël në të dal të qytetit, ku më së shumti, ne banorët e saj, më tepër se me kushtet e jetesës, luftonim me vuajtjet dhe urinë, që n’a grryente dhe na hollonte përditë e më shumë zorrët dhe pjesët e tupit. Më pëlqente kjo rrugicë e mëhallës sime. Më palqente mbase edhe pse me të më lidhnin një mori ngjarjesh të gëzueshme e të hidhura, të cilat kurrë nuk do të më shqiteshin prej kujtesës.

Papritmas seç m’u mblodh një si lëmsh në gjoks dhe atij çasti nuk doja të shkelte asnjë njeri në lokalin tim. Ndjeja nevojën të isha vetëm dhe ashtu i ngacmuar prej një kureshtjeje ankthndjellëse e të frikshme, të nxitoja deri tek kthesa. Mbase jo aq fare rastësisht se sa instiktivisht hodha disa hapa pas tyre. Në krye të rrugicë qëndrova, mbajta frymën dhe u hukata një herë duarve. Ndërsa mendimet më shkonin gjithkund, zura të thithja thellë – thellë bashkë me atë qetësi të çuditshme në dukje, edhe një lloj hidhësie, të cilën jo vetëm nuk isha në gjëndje ta përcaktoja se nga më vinte, por edhe sepse më dukej sikur përtej saj, seç fshihej diçka e mistershme. E kuptoja qartë që kjo heshtje ishte një gënjeshtër dhe se përzier me mjegullën e turbullt që shtyhej përtueshëm përgjatë kësaj rrugice, ndihej dhe era e kalbësirës së përhershme, që nuk bënte as më të vogëlin dallim nga ai kalbëzimi sa i dukshëm, po aq edhe i padukshëm i botës përreth e përtej saj. Po më ndrydhte dhe po më mpinte si kurrë ndonjëherë në jetën time kjo qetësi e rreme. Hodha sytë përtej dhe vërejta se mbi dritaret e ndërtesave përdhese binte ende drita e zbehtë e hënës.

Larg, në një cep rruge , diku, varur në një detgë peme, nga pemët e rrugicës, më zuri syri një xhaketë jo shumë të madhe, por as të voglë e të vjetër, që m’u duk si e hedhur prej dikujt që nuk i hynte më në punë. E shkëputa vëmëndjen prej saj. Nuk i kushtova asnjë lloj interesi asaj xhakete dhe pse diçka e brendëshme rreth saj po fillonte të më grryente. Mbase kjo erdhi ngaqë pak tutje, nga një kënd i largët i rrugës, turbullt dallova siluetën e Vanit, që qasej duke u lëkundur si të ishte ende mbi kuvertën e anijes së peshkimit, ku punonte prej kaq vitesh. Vani është një peshkatar me ngjyrë, me shtëpi farë pranë shtëpisë sime. Vani ishte një burrë thatim rreth të dyzetave, kishte një fytyrë të hequr, të lodhur e të eshkët, rrahur prej erërave dhe kripës së detit. Dukej sheshit që porsa ishte kthyer nga lundrimi disaditorë. Ishte i vetmi prej peshkatarëve të lagjes, që nuk i ishte larguar ndonjëherë lokalit tim. Sa herë që ulej në vëndin e tij të preferuar, në një kthinë të ngushtë pas derës. Në të gjithë qënien e tij ndihej era e amshtë e merlucit dhe sepjeve të kalbura dhe tok me të, të dukej sikur ai përhapte në mbar ambientet e lokalit edhe aromën e kripur dhe të lagësht të leshterikëve, që tallazet e detit i hedhin dhe i bënin pirg në breg. Vani ishte i vetmi nga peshkatarët, që kur punët nuk i shkonin mbarë, kthente përnjëherësh dopion e rakisë dhe ikte pa u ndjerë, si të ishte vet hija e mbetur e natës së shkuar. Ai, si e pa të mbyllur derën prej durali, trokiti nja dy herë tek xhami, duke mbajtur vesh, por, kur e pa që edhe pas kësaj nuk mori asnjë përgjigje, qejfprishur bëri disa hapa në drejtim të lokalit përball. Sakaq, ndërsa dëgjoi ti vinin prej andej disa fjalë të ndyra, ktheu, hodhi supit xhaketën e tij të vjetër dhe bëri ca më tej, ku të qeshurat mezi arrinin deri tek veshët e tij dhe të mit, të cilat pas pak erdhe ato erdhën e u shuan fare dhe, atëherë jo vetëm Vani, por edhe unë sikur morëm frymë të lehtësuar. Në rrugicë mbretëroi përsëri po ajo heshtje e plotë provokuese e gënjeshtare. Më pëlqente mënyra e të bërit muhabet dhe kryelartësia e atij njeriu dhe pse në dukje të linte përshtypjen e një njeriu të dorës së fundit.

E ndoqa një copë herë me sy. Diku më tej vura re se ai seç murmuriti nëpër dhëmbë dhe lëshoi një të kollitur të thatë. Ndryshe nga ajo kollë e thatë të cilën unë i’a njihja prej vitesh dhe, isha në gjëndje t’ia dalloja sikur të ndodhesha edhe me qindar metra larg, e kollitura e këtij mëngjezi ende të pazbardhur, sepse m’u duk sikur prej kushedi seç vëndi apo hapsireje të panjohur, ishte lëshar dhe rrokullisur si një gur i murrmë në rrugicën time të fëmijërisë.Ia hodha edhe një herë sytë Vanit, duke e paragjykuar se ndihej me të vërtetë i zëmëruar me mua, prej shkjakut ngaq nuk më kishte gjetur në lokal. E dija që e kishte të vështirë e nuk i bënin këmbët të shkonte gjetkë për të njomur atë të shkret gurmaz me ujin e bekuar. Në gjithë hapsirën përrethë pas së kolliturës së Vanit ra përsëri heshja. Kjo heshtje ishte me të vërtetë një britmë e thekshme, që me vetpërmbajtjen e saj të habitshme, më krijonte ndjesinë e tendosjes së cimave të çelikta të anijeve të peshkatarëve, kur anorohen në mol. Çuditërisht atij mëngjesi isha ngritur prej gjumi si një i dehur dhe i trullisur dhe gjatë rrugës nga shtëpia për në lokal më kishte shoqëruar një ftohtësi, një mpirje e lehtë e gishtërinjëve. Nuk di përse atij mëngjesi nën këmbë e mia kisha ndjerë një si lloj shkarje të vazhdueshme të tokës. Befas tek po qëndroja në rrugicën e shkretë dhe po mbaja vesh, sikur po prisja që të ndodhte domosdoshmërisht ndonjë ngjarje që të më largonte një minutë e më parë gjithë këtë makth që më kishte mbërthyer, ndjeva prapa krahve të mi të kolliturën e dytë të Vanit. U ndjeva i befasuar kur vërejta që ai tashmë më ishte afruar aq papritmas pranë dhe, kur kaloi brinjë mej pa më folur, si të mos më kishte njohur kurrë më parë, se si u ndjeva. Si ishte e mundur, thash me vete, që Vani të bëjë sikur të më ketë harruar fare?. Nuk e fsheha inatin që për herë të parë pas kaq vitesh Vani nuk e pati sa dëshirën më të vogël për të më folur. Gjithësesi nuk munda të rrija pa i folur. Kur i përmënda emrin gati si me gjusmë zëri, Vani qëndroi dhe më vështroi përsëri vrëngër me një gjest të papritur, që shprehte jo më tepër mosaprovim se sa mëri dhe inat të brendshëm ndaj meje. E kuptova menjëherë se ai e bëri këtë enkas për të më lënë të kutuar se asgjë nuk ia lehtësonte barrën e madhe të dhimbjes që e kishte mbërthyer, dhimbje të cilën ai kishte paramendimin se mund t’a mposhtëte vetëm nëpërmjetë alkoolit. Eshtë vërtetë e çuditshme se si një pjesë e madhe e njerëzve për të larguar shqetësimet dhe brengën e ditës, e kërkojnë zgjidhjen me rrugë dhe mjete të tilla. Eshtë rrënqethëse kur mendon se një mori njerëzish, lehtësirat e shpirtit nuk i arrijnë nëpërmjet vullnetit, por nëpërmjetë rrugësh të dëmshme, me kosto jo të vogëlatë për shëndetiin e tyre. Befas më zuri prej krahu duke u dridhur. E shikoja pranë meje hijen e këtij njeriu të përvuajtur, që dridhej përpara syve të mi sikur të ishte koka e preë e një fantazëme dhe nuk isha në gjëndje të bëja asgjë. Nxora paketën, mora për vete një cigare dhe një tjetër ia zgjata pa i thënë as edhe një fjalë, pastaj kërkova në xhepa diçka për të ndezur. Nuk po arrija as vet ta kuptoja përse se kisha atë guximin e kahershëm që të mund t’i thosha qoftë edhe një fjalë justifikimi, apo përse nuk po mundja t’i bëja qoftë edhe një pyetje. Po më dukej sikur atij çasti vet qënia e tij me atë heshtje prej mermeri m’a kishte shtuposur gojën dhe po më shtypte me gjithë peshën e saj.Vani më vështroi një hop me ata sytë e tij të mefshtë, që i mbusheshin me përtymjen e zëmërimit kur nuk gjejnë alkoolin, ilaçin e shpirtit të tij që rëndomë, ashtu si dhe gjithë peshkatarët e tjerë kur e kanë me tepri, i rrëmben e i çon si pakuptuar deri në atë far dehje, sa më pas nuk janë në gjëndje të kontrollojnë më as veten. Ai m’u afrua duke u luhatur me hapin e tij të rënduar e të lodhur. Më mori cigaren dhe si e vari në buzë, siç bënte ngahera, diç murmuriti sikur të më kërkont ndjesë dhe u zhduk në rrugicën e kredhur në gjysmerrësirë. Ndoshta ngaqë më ishte errur shikimi prej inatit, përtej rrugës m’u fanit silueta e një njeriu që pasi kishte ngjitur diku një afishe, shkonte rrugës duke u hedhur e duke kënduar për qejf të tij. Aty, kur iu afrua xhaketës së vjetër, qëndroi, e ndërpreu këngën sikur dikush t’ia kishte prerë me thikë, u zgjat dhe si e mori në duar, e afroi përpara buzëve, i mori erë, e puthi e së fundi, si e vari po aty ku edhe e kishte pikasur, u largua i heshtur, pa e kthyer dy herë kokën mbrapa. Kjo më tmerroi dhe aty për aty ndjeva një zbrazëtirë nëpër të gjithë trupin. Si eca edhe ca më tej asaj rrugice, për shkak të dritës së zbehtë, mezi munda t’a dalloja siluetën e një djali të vogël rreth gjashtë vjetëve, që mbante në dorë një kapele të zezë e njëllojt me atë që mbante miku im i dashur, lypasari më çapkën dhe më i hedhur që kam njohur ndonjëherë në jetë, Sergi. Sergi që nuk linte kazanë plehrash pa u futur për të mbledhur kanaçe, ose Serginua siç më pëlqente t’a thërrija ngaherë kur kalonte përpara lokalit tim. Fëmija rrinte në këmbë mbështetur tek muri i gurt i avllis së shtëpisë nga ku dëgjohej e qara e një gruaje. Porsa më pa që po i afrohersha për t’a pyetur, shkëputi supin nga gurët e ftohtë dhe si me ndroje, e hodhi shikimin duke mbuluar me kapele fytyrën e tij të bukur me tipare të rregullta, por të palarë,prej kushedi sa ditësh. Pastaj si mënjanuar paksa kokën në të mëngjër dhe ngaqë nuk mundi ta përmbante më dot brengën, i’a shkrepi të qarit me një zë që të therte thellë në shpirt. Një mënd e ndjeva veten të gozhduar në vend dhe një frikë e beftë m’a drodhi njëherësh të gjithë trupin.Po më dukej sikur më ishte rizgjuar një kujtim i viteve të shkuara që kishte lidhje më këtë rrugicë të braktisur të fëmijëris sime. Së pari m’u shfaq vegimi i tim eti e më pas po aq rrufeshëm ai i Hates, një bashkëmashatarit tim që kishte vdekur pa i mbushur ende të dymbëdhjetat vetëm e vetëm prej një gërvishtjeje gozhde në kyçin e këmbës.Të tilla tragjizma mbartin në thellësi të tyre këto rrugica të harruara të mëhallës sime të varfër. Ato rrugica të heshtura, që më së shumti janë shprehja më e gjallë e mbeturinave të fundit të një bote të çorganizuar, të një bote pa dritë, ku kaherë shikon me sytë e tu se si hovin dhe veprojnë njëherësh me gjithë egësinë e tyre të jashtëzakonshme ca instikemë të harbuara, ca pasione të turbullta. U pamë një çast sy më sy. Vështrimi i tij kishte një shprehje të dhimbshme gati pikëlluese dhe sytë i ndritën me një ndriçim të pa shpjegueshëm, kur u ndeshën në shikimin tim, pastaj erdhën dhe u fshehën menjëherë në ato qepalla të njomëta e të këputura prej dhimbjes…

Pas pak në fund të rrugës u dëgjua sirena e një makine policie dhe prej saj zbritëm dy plicë, që ia afruan si me përtesë vëndit të krimit.

Nuk kisha më zemër të qëndroja, por edhe duart nuk më bënin të vija çelsin në bravë për të hapur asaj dite lokalin. Më bëhej siku fytyra e Sergit më kishte ngrirë e gjallë përpara syve dhe unë e kisha të pamundur që ta largoja prej andej qoftë edhe për një moment të vetëm.Nga të gjitha anët m’u bë sikur gjëmonin thirrje “Sergiiii ! Sergiiii!”

Nuk më besohej që nuk kisha për ta parë më kurrë atë djalosh çapkën që shkonte rrugës duke fërshëllyer, me kapelen vënë mënjanë dhe më thesin hedhur supeve të tij të holla.

As sot e kësaj dite nuk më besohet që Sergi i vogël nuk jeton më. Xhaketën e tij më duket sikur e shikoj përditë të varur në degën e asaj peme që nuk di t’I thaje kurre gjethet dhe degët e saj të holla.

Dikush më tha se ai është ngjitur lartë, shumë lartë në përjetësi dhe që prej andej më përshëndet ç’do dite…

 

fund

qershor 2015

Advertisements

One thought on “Rrugica e fëmijërisë / Tregim nga Skënder Braka

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s