Cikël poetik nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga Vëllimi Poetik “Një shi prej bryme”

adem Zaplluzha

Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

 

Shkëputur nga Vëllimi Poetik  “Një shi prej bryme”

 

 

 

I NGRIU TË GJITHA SHPRESAT

 

I hapi dritaret e mjegullave

Nga lagja e verdhë qielli i ngrysur

Hynë në dhomën time

Në një vazo të vetmuar

I fishku lulet e një stine

 

Rruga tërmal kujtesës

I ka me qindra kthesa

Nëse i humbi duart në kthesën e parë

Kurrë më nuk mund të mbërri

Ta shoh kthesën e fundit

 

Dudat e kuqe sivjet

Nuk kanë çelur asnjë lule

Nga gjethet e zbehta

Pikon një lloj eliksiri për shërimin

E kujtesës së humbur

 

As akaciet nuk luluan në pranverë

Dimri ishte i acartë

I ngriu të gjitha shpresat

Që i ushqente

Bari i kositur në vjeshtë.

 

 

 

ASNJË PORTË NUK HAPET

 

Kah të shkoj sonte

Në cilat porta të trokas

Ti nuk je askund në këtë hapësirë

Të ngarkuar me qeska najloni

U largove me lejlekët e parë të vjeshtës

 

Sonte vetëm një zog i vetmuar

Troket në dritaren time

Kujt t’i hapi dyert e mbyllura

Këtë dry të ndryshkur në tru

Asnjë çelës nuk e hap

 

Era sërish frynë dhe troket

Çmendurisht troket në dyert e mbyllura

Asnjë njeri i gjallë nuk dëgjohet përbrenda

Vetëm dryni i vjetër

Cijat si trishtili i sëmurë në degë

 

Ku të trokas në këto çaste dhembjeje

Ky qytet i imi

I paska mbyllur kujtimet

Asnjë portë nuk hapet

Kurse era po i gozhdon të gjitha dritarja.

 

 

 

 

BISEDOJNË KUR I ZË ETJA

 

Ishte koha kur nuk flisnin njerëzit

Një heshtje e pllakosur

Kalonte rrugicave që s’bëzanin

Fëmijët i kishin fshehur lodrat

Vetëm era lozte

Me degët e thyera të një përralle

 

Thonë se në luftë nuk flasin njerëzit

Vetëm armët kanë

Një gjuhë të çmendur

Bisedojnë kur i zë etja

Dhe heshtin kur ngopen me gjak njeriu

 

Ditët janë ters nuk i përngjajnë asgjëje

As jetës e as vdekjes

Gota e mbushur me dhembje

Derdhet ngadalë

Derdhet deri në pikën e ngrirjes

 

Në oborr bie një shi shrapnelash

Nga të katër anët e qiellit

Granatat pështyjnë

Zogjtë e hekurt ngarkuar me shpresë

Fluturojnë nëpër qiellin e vrarë të Kosovës

 

 

 

NUK BËZANIN AS KLERIKËT

 

Një duhmë e rëndë

Ia kishte zënë frymën ditës

Në duart e thyera

Të degës së gështenjës

Nuk merrte frymë as ajri i tendosur

 

Edhe lisat e gjatë

Përngjanin me vdekjet

Nuk bëzajnë as klerikët

Nëpër faltoret e heshtura lozin bubuzhelet

 

Kambana dhe minarja

Kishin rënë në dy gjunjë

Dhe mbanin nëpër duar

Si librin e shenjtë

Mendjen e trazuar të luftës

 

Nuk dëgjohen sonte

As hingëllimat e kuajve

Bari i kositur

Fishket nga plagët e ndryshkura

 

Një tren në stacionin e qytetit

Ngjante me njerëzit

Që udhëtonin dhunshëm

Në një vend që nuk i ngjante asgjëje

 

 

 

 

PLEPI I VJETËR I SHKUND GJETHET

 

Tashmë janë mbyllur

Të gjitha dyert e fjalëve

Nëpër lagje kalonin njerëz

Me disa lloje drynash në fulqi

Një urë e gjatë tmerrohet

Kur kapërcejnë mbi të kafkat e një kohe

 

Me shpirtin e drurëve uji i frikësuar

I lanë duart

Nga sklepat e syve të sëmurë

Pikojnë shikimet e boshatisura

Koralet fshihen pas gurëve të murrmë

E shiu i shurdhët nuk pranë

 

Disa njerëz me kukëza

Kalojnë tërmal kalldrëmit

Kalojnë deri te plepi i vjetër

Dhembja i shkund gjethet

I shkund trishtimet e një tragjedie

 

Njerëzit nuk patën më mundësi

Të ecin nëpër golgotën e frikës

Mbrëmja i kishte lëshuar krahët

Mbi thinjat e flokëve të çative të rrënuara

Binte nga pak një shtrezë e tejdukshme

 

 

ad

Një çast mes miqve poetë  në aktivitetin letrar “Pranvera Durrsake”

One thought on “Cikël poetik nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga Vëllimi Poetik “Një shi prej bryme”

  1. Urime Adem Zapllusha per poezine tuaj plot emocione artistike dhe shqetesimet qytetare qe shtron para shoqerise shqiptare.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s