Cikël poetik nga Vjollca Koni

Vjollca Koni

Cikël poetik nga Vjollca Koni

 

 

EJA LULEVJOLLCË

(Në frymën popullore)

 

 

Ç’më bëre që shumë të dua,

Asnjë fjalë nuk më premtove,

Nuk e di në jam gabuar,

Zemrën time përvëlove.

 

Kur më flet sa shumë gëzoj,

Kur më qesh sa lumturohem,

S’di ç’të bëj, në hall unë jam,

Të qasem a të largohem.

 

Të vij pranë, dridhem i tëri,

Të iki zemra, s’më thotë,

Sa shumë dua të të puth,

I zi’unë s’po duroj dot.

 

Fytyrëlëmuar – flokëpraruar,

Je e ëmbël si një dardhë,

Vetëm TY unë të mendoj,

Me vello, fustan të bardhë.

 

Me pëlqejnë hiret e tua,

Meket syri kur shikon,

Ç’të të prek e të mos dridhem,

Zemra më kërcen me trok.

 

Ajo gushë si zambaku,

Ata gjinj me mollët ngjajnë,

Ai shtat mu si selvi,

Kur i shoh zemrën ma çajnë.

Je si shega lëngkuqe,

Je si vjollcë që çel në maj,

Ato buzët si burbuqe,

Më kallen në dhe të gjallë.

 

Ç’të kam bërë që më rri larg,

Eja vjollcë – lule e mbarë,

Pa të marrë unë Ty për fare,

Shpirti s’ka për të më dalë.

 

 

 

 

ÇDO DITË VIJ TEK TY NËNË

 

E bukura botë e ëndrrave të mia sa larg më çove,

Më ndolle si qengjin që ndjell aroma e qumështit,

E nisa udhëtimin e natës me shpresën e bukur,

Se e nesërmja do ndriçonte shikimin tim si diell,

Gjithë botën do rrokja në lirinë e munguar prej vitesh,

Në vorbullën e saj do gjeja kristalin me të parin vështrim,

Se ky shpirt i bukur më jep dashurinë për njerëzit,

Kështu u mëkova me të madhin përkushtim,

Për gjithçka shikoj dhe prek të kem më të madhin ngazëllim,

Të them mirëmëngjes në gjuhën time me të ëmblin zërin tim,

Shikoj çdo gjë si në ëndërr e ngazëllehem si fëmijë,

Sa dua të rrok gjithë botën në të ngrohtin gji,

E nis ëndërrimi për njerëzit në këtë botë të huaj,

Me dëshirën e madhe që të jenë vëllezërit e mi,

Sa bukur kur më përshëndesin e zemra përmallohet,

Sa shumë dua që të gjithë të më flasin EDHE mua,

E nata vjen dhe nis ëndërrimi për ditën e bukur që do të vijë,

Më more jetë në marramendjen tënde e gjithçka më ofrove,

Të bukurën, të lodhshmen, lëndimin, vuajtjen,

trishtimin, të zhurmshmen,

U bashkova me ty jetë në rrugën e panjohur të ëndrrës sime,

Me dëshirën time për ëndrrën më të ëndërruar në jetë,

Për një jetë më të bukur e lumturi të vërtetë,

Kur fëmijët rriten nën qiellin pa re të Parajsës,

E loti të bëhet si një mik i rrallë në sytë e mi,

E gëzimin të takoj çdo ditë pse e kam lënë aty,

Ohhhh, nënoke të lëndova që kaq larg ika nga ty,

Më fal, më fal, me fal!

Por ti më kupton më mirë se çdo kush në botë,

Ke mall për mua aq sa kam dhe unë për ty,

Çdo ditë më shfaqesh mes lotësh që fshehtas derdh,

Kam mall të prek duart e të puth buzë e sy,

Më lëndon shpirtin largësia si lëndimi yt,

Më fal nënë, mos vuaj, se më shumë vuaj pastaj,

Se shumë vuaj me jetën që shkon për t’u shuar e kthehet prapë,

Trishtohem për ty, kur gjaku më rrjedh në damarë si lot

në faqe a si shiu nëpër drurë,

Se gjaku me nënën është i lidhur si bima me tokën për ujë,

Më jep fjalën se do të jetosh si gojëdhënat në shekuj,

E prapë do të përkëdhelem si fëmijë i vogël në prehrin tënd,

Çdo ditë vij tek ty; më ndjen edhe pse nuk më shikon,

Siç të ndjej unë, kur ti vjen, se je tek unë përgjithmonë!

 

 

 

 

NË GJURMËT E SAADIUT

 

Kërko shumë nga jeta, gjithçka që TI do

dhe merr prej saj më të mirën, mos u nxito!

 

Kurrë mos harro gjithçka zemra do

e mirë a e ligë, mos e (para)gjyko!

 

Vërtet ke mendje dhe shumë i beson,

por e para është zemra, mendja pak më vonë.

 

Sa gjëra me mendje i quajmë gabim,

kur zemrën s’pyesim dhe ky është lëndim.

 

Vërtetë shpeshherë mendja larg fluturon

por dije se veç saj më shumë asgjë s’gabon.

 

Liria, liria, oh, ky nocion i vjetër sa bota

kur e kemi, të tjerat vërtetë na duken të kota.

 

Kur një çast Liria mungon, na zë dëshpërimi

për atë që fort do, zemra është thjesht flijimi.

 

Do të doja të kisha vërtetë dy jetë

për të kuptuar cila është e vërtetë.

 

Merakun që kam, vërtet sikur ti ta dije

S’do të mbante vendi, me vrap do të vije!

 

Më dogji, me treti meraku i shkretë

Me zi pres pranverën ta bëj me shëndet.

 

Kur një trëndafili, erë do t’i mbash,

Në e shtrëngofsh fort, me gjak do ta lash.

 

Kur zemra gabon, mendja e qorton,

Kur mendja gabon, zemrën fort lëndon.

 

Mos e bej zemrën me faj, se do lodhesh, do lëndohesh,

Për atë që zemra rreh, mbase nesër do pendohesh!

 

SAADIU: Poet i madh pers (1203 – 1290) i përkthyer ne shqipe nga Vexhi Buharaja

 

 

 

 

ME ZËRIN E MEKUR

(Në frymën popullore)

 

Fustani të derdhet në ijët e tua,

I ziu u treta, një fjalë që s’më thua,

Seç më ngelë sytë mu te gjinjtë e tua,

Ti moj vetullhënë, moj lëkurëlëmuar.

 

Sytë m’i rrotulloje, kur doja t’i shihja,

Guxim nuk kisha, kur doja të flisja,

Ndali çapat moj, të të them dy fjalë,

Se u veremosa, nuk po gjej derman.

 

Por ojnat e tua ishin vetëm lojë,

Thashë “Shyqyr o Zot”, kur buza t’u drodh,

Ajo fërgëlloi, lehtë ti belbëzove,

Me zërin e mekur, puthje më kërkove.

 

 

 

 

JE ZJARR E JE LLAVË

(Sipas frymës popullore)

 

Si djathi në napë me kripën e duhur,

Ashtu është jaratisur pulpa jote e bukur,

Poshtë atij fustani shtatin tënd mendoj,

Veç një herë ta cik e më të mos rroj.

 

Sytë seç të ndrijnë mu si xixëllonjë,

Buzët ndezur flakë, shtatin si bilonjë

Ç’të bëra i ziu? Më lodhe, më trete,

Pa të marrë s’të lë, të të kem për vete.

 

Sa ojna që ke, dot s’t’i numëroj,

Ditën shtyj me punë, natën ëndërroj,

Sa të shkoj në mendje digjem, përvëlohem,

Je zjarr e je llavë, sapo të afrohem.

 

 

  1. Është jaratisur: është krijuar
  2. Bilonjë: Bisk i drejtë, që del nga trungu i prerë i një peme, lastar

 

 

 

 

JAM KËTU BILBIL

 

Anës pyllit zogjtë po këndojnë,

Bukuria jote shumë po i ngacmon,

Melodia e tyre mu si një orkestër,

Zëri i bilbilit është i përveçëm.

 

Bilbili ka zënë vendin i veçuar,

Sa të kalosh ti, pret për të kënduar,

Në flokët e tua do të bëj fole,

Të ta thotë vetë sa e mira je.

 

Bilbili ia nisi këngës me shumë gaz,

Se donte të nxirrte të shkretin maraz.

Peng i kish ngelur të shkonte në Popçe

Që të thurte këngë, të dua të thoshte.

 

Ia mori bilbili këngës ëmbël – ëmbël,

Aty ti ia prite me zënë e thëllëzës:

Jam këtu bilbil, edhe unë të dua

Zërin që ti ke, më marrosi mua.

 

  1. Popçe = Kroi kryesor në vendlinden e Vjollcës.

 

 

 

 

SHPIRTIN KAM PËR TA DËFRYER

(Në frymën popullore)

 

Pse më rri e më vështron?

Qasu moj çupë, ç’të mundon?

Mos ke frikë këtej të hidhesh,

Dhe si shqerrkë të përdridhesh?

 

Nuk kam frikë, por s’mundem dot,

Dhe ta dish sa shumë që dua!

Po s’më lënë sytë e botës,

U plaçin, u dalshin kokërr!

 

Lëre botën, le të flasë,

Ti mamare, mos ngurro!

Hidhe hapin, dridhe shtatin,

Netët bashkë, eja, kalo.

Sa të bjerë nata dhe pak,

Të mos na shikojnë bashkë,

Do të buj në tënden tendë,

Jo vetëm për hatrin tënd.

 

Do të vij edhe për vete,

Se zemrën e shkrete ma trete,

Të më puthësh gji e gushë,

Zemrën të ma ndezësh prush.

 

Dua veç TI të luash me mua,

Të më shuash etjen si krua,

Do të jepem pa u kursyer,

Shpirtin kam për ta dëfryer.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s