Poezi nga Reshida Çoba

Reshida coba

Poezi nga Reshida Çoba

 

 

MË KOT

 

Më kot më fshihesh
Unë do të të shoh
Në mos në rrugë
Në ëndërr domosdo.

 

 

 

LUKSI ME ARIXHINJ

 

Nuk isha ende 15 vjeç
Diskove nuk shkoja… as në piano bar
Sokakëve të Korçës po lija pas vajzën e vogël
Përdore me ëndrrat, serenatat
Ahengun e arixhinjve në mëhallë.

Filloi arixhiu…Ramadan
Të shtonte darkat dhe sazet
Një herë për vehte, për komshiun
Për vëllanë…darkën tjetër e bëj për babanë.

Po çmendej Ramadani me veten
Flokët gjithë brilantinë…mustaqet i nderroi
Shtoi një dhëmb tjetër floriri në gojë
Me zerin e mekur gjithe diten kendonte
Do vijë sonte prapë në aheng…leshverdha
Ajo… leshverdha e bukur prej soji.

Gjithe dantella si kurbatkat
Më qepi mamaja një fustan
Bleva ton fytyre me ngjyrë fare të errët
Dhe pse nuk ndryshova dot lëkurën aq te bardhë
Shpirtin e qepa njëlloj si ezmeret.

U rritën pazaret në lojën e xhambazëve
Njëlloj si për gomarët
Sa herë që vinin baste për mua
Kush do të ulej prane… kush do cikte pa dashje
Gjoksin e madh të leshverdhës…?

Me tinguj shpirti kendonin arixhinjte
si zogj ngriheshin klarinetat sokakeve te Korces
Unë vetëm përcillja,gëzimin e tyre qiellor
Përcillja pafajesine time,kureshtjen…pyetjet e moshës.

Qysh atëhere mbaj mend
Per ti mësuar vehtes, cdo gje te re
Me të kundërtën e shoqeve
Të kundërtën e së zakonshmes.

Pastaj une ika…me vete morra vetem
Eren e molleve te Korces
Por kenga mbeti histori..kendohet dhe sot
Si ziheshin arixhinjte,nervozoheshin klarinetat
Kush do shihte me nga afer
Sytë bojqiell te leshverdhes …gjoksin.

Jetova si grua e bukur…e përkëdhelur
Me nazet e lëkurës së bardhë
Një ëndërr që doja ta shihja me nje arixhi
Akoma nuk e kam parë.

Por dhe nuk di…cilin të zgjedh për këtë ëndërr
Ramadanin, të jatin, apo vëllanë Gurali ?
( më mirë po ja u lë atyre ta zgjedhin)
Për mua mjafton të jetë…një nga këta arixhinj.

Dhe pse shijova netë me më shumë muzikë
Dhoma me shumë luks, me shumë dëfrim
Asgjekundi nuk e gjeta luksin e mendjes
Si në dhomat pa mure…me arixhinj.

 

 

 

PERËNDIA JONË ËSHTË JESHILJA

 

Me barin t’i nisa sot puthjet në agun e mëngjesit
Ti ç’bën që nuk zgjohesh akoma
Vazhdon të puthësh sytë e mi ?
Ende në qiell…te Re-ja, ku u njohëm bashkë?
Dil nga ëndrra ! E hapa derën. Eshtë ditë jashtë !

Kam veshur fustanin jeshil për ty
E mban mend ditën kur u ndamë…unë bëja sikur shkundja dritën nga supet
Dhe zëndrojtur fola…Dukem bukur në jeshile ?
Ti mbillje vështrimin në gjoksin tim të bardhë
Me kujdesin sa më afër qendrës…, sa më afër erës së qumështit.

Si ta them këtë ndjesi timen, këtë frymim të gjelbër ?!
Ndjej fëshfërima shelgu (nuk jam më prej lëkure)
Lëndinë e blertë bëhem…, nje “zakon i bukur jeshil ”
Shndërruar në formën më të përkryer të qartësisë
Fytyra e barit sa e ngjashme me timen…, si çdo fillim jete !

E xhelozuar era thellon flirtin, rrëmben me puthje belin tim
E ndjej pushtimin
Ndryshe nga burri, mençuria e gruas qëndron tek beli
Thellë tij… planeti magjik i mitrës ku ngjizet njeriu.

Ndaj përkëdhelem, mburrem me qenësinë….Grua !
Si inteligjenca e së gjelbrës mburret mendjes njerëzore
Me filozofinë e klorofilit.

Besomë, një fije bari nuk ka më pak mendim, më pak punë
Më pak të fshehta se një univers
Dhe ka sy po kaq të mëdhenj drite…sa unë !

Sa herë të mendoj ty, si bari njomëzohem
Ndjek rrrjedhjën e një përroi të bukur njomështie
Rreth tij e gjelbra valvitet… dehur me nektar perëndie.
E mbaj mend si tani natën e parë me ty
-Ngjitu, më thoshte puthja jote,- Do takohemi me Perëndinë !
Dhe ajri dhe uji me terma njeriu do flasin
Filluan të mësojnë numrat,për numërimin e puthjeve ( kaq shumë do jenë ?)
-Perëndia jone e re do quhet…Jeshilja (kështu them dhe unë)
A nuk i ngjajmë fenomenit të diellit dhe pikës së shiut
Kur mrekullia e vogël përkul kurrizin e saj ujor
Me kënaqësinë e thyerjes nga përshkimi i dritës nëpër te ?
Nga prekja e drithshme, lind ylberi tokëqiell pritur
Në të kundërtën e shkëlqimit të diellit.

Të çuditur ne pyesim, si u gjetëm kështu ?
Pse në mes të shtatë ngjyrave të ylberit
E zgjedhura është jeshilja ? Pse jeshilja jemi ne ?

Ashtu si bari nuk pyet kurrë, përse është i gjelbër
Dhe bota nuk pyet…e di
Kur njerzit dashurohen nga fatet jo nga lutjet
AJO…,  bëhet më femër !

Eshtë bukur të jetosh në mendjen e gruas… me lëndina të blerta
Qe netëve bredh lulnajave të tua…ujit sythet e paçelur të së nesërmes
A nuk ndjehesh i zgjedhuri qiellor Re – SHi – Diell ?
Fol – Qiellori im…që ylberon mbi mua !

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s