Cikël poetik nga Eliverta Kanina

 

1.-Eli-Kanina

Cikël poetik nga Eliverta Kanina

 

 

 

SI AJRI

 

Unë jam gjëja më e thjeshtë që të ka ndodhur
sepse për mua s’tu desh të udhëtoje larg
s’tu desh të gënjeje,të vije maska,të harxhoje
veç kohës dhe vetes tënde, gjë tjetër s’të marr…
Si ajri të mbështjell, të ndjek, të prek
lehtë të depërtoj në poret e dermës
strukem në alveolat e mushkërive të tua
lagështohem e ngrohem me frymën tënde
vetëm kaq prej teje dua…
Si melodi të harrohem buzëve
mbetem ritëm dashurie në veshin tënd
vdekjet tona të vogla duke përgjuar
në supin tënd mbështetem, pa u varur
kaq thjeshtë, kaq lehtë
sa e bëjmë të vështirë ikjen
nga njëri-tjetri
nga kjo jetë…

 

 

 

 

UDHËKRYQ

 

Nuk di si të sillem përballë teje
s’di ku të vë duart që gjithmonë shkojnë ku s’duhet
ngatërrojnë shpjegimet me xheste pa pikën e domethënies
prekin flokët orë e çast
të gatshme të numërojnë çdo fije nëse duhet
Por ti hesht e më sheh
dhe mua vetja më del tepër …

Nuk di as si të flas me ty këto kohë
si të drejtohem ,si të të quaj
ti do pyetje të mençura dhe s’pëlqen asnjë përgjigje timen
aq sa fjalët skuqen nga turpi e shkojnë vetë në koshin e plehrave
ndonjëherë direkt nga mendja,pa u artikuluar
ti di t’mi zhuprosësh mendimet e fshehta
dhe unë si guackë e zbrazur mbetem para teje
Por ti nuk vë re mungesën e perlës
ty ,as që të duhet nga mua një e tillë…

Unë nuk di si të të dua më tej
si mund të të qasem, si puthjen ta marr buzëve
edhe pse për dashurinë lexova shumë
as bibla, as kurani s’më bëjnë punë
madje as kanuni i mësuar përmendësh
nëse ti nuk përpiqesh të më kuptosh
nën lëkurën time një çast të rrish
e prej andej të më duash
aq sa të ndiej…

Mbetur si analfabete dashuria ime
kërkon abetaren e ndjesive të gërmëzojë
guidë do në këtë shtrirje gjeografike ndjenjash
që thyhen sipas relievit e më marrin përpara
duke rrjedhur pa e gjetur detin të derdhen
E ti ,i realizuar ndihesh
nuk të duhen kordinata,afate,kufij jo se jo
tashmë e di vazhdimin e përrallës
të luash apo të duash për ty është e njëjtë
E njëjta, s’jam unë më…

 

 

 

 

 

KOTËSI

 

Sa torturuese!
Ta jetosh ditën pa kuriozitetin si ajo do të qaset
të dish se nuk do ketë asnjë plan ,asnjë surprizë
as pyetje e as përgjigje
që të bëjnë të vrasësh mendjen
duke heshtur kuptimshëm
apo duke folur pa lidhje…
Sa e lodhshme !
Ti qepësh veprimet e tua
si kostum jashtë mode
pa aksesorët e dashur
pa një xhep relaksi apo një qemer
që duket se ruan simetrinë dhe ekuilibrin
dhe e detyruar ta veshësh
me të, të shkosh kuturu
të flasësh ,të qeshësh
ta mbash këtë ditë ,gjithë ditën…
Sa e mërzitshme !
Të dish që nga dje, si do të vijë dita
megjithatë të zgjohesh ta jetosh
me dëshirën për ta hedhur pas krahëve
apo ta kapërdish pa përtypur
si supë pa shije
në pritje të ushqimit të preferuar
në rradhën e pjatave …
Sa e rëndë !
Në pritje të një tjetër dite
stiluar ndryshe ,në shije e motiv
të shtysh me mënd minutat e orët
që rëndohen qëllimshëm
duke t’i rënduar hapat dhe lëvizjet e duarve
dhe shpinën duke e kërrusur
në harmoni me këtë ditë viskoze
që ngec nëpër kotësi…
Sa për tu harruar kjo ditë !
Do ta mbaj mend…

 

 

 

 

PËR NE…

 

I thamë të gjitha mes nesh ,
asgjë nuk lamë për nesër
të gjitha i thamë
e dot s’u ndamë …
Kur fjalët na u sosën
si mumje nuk heshtëm
u puthëm dhe filluam nga gjestet
me duart në faqe ,në flokë ,në gushë
u gudulisëm të dy
luajtëm me sy…
Të marrosur ,të ngopur me njëri-tjetrin
dhe shumë kureshtarë
u ndjemë kaq frikshëm tërhequr
si herën e parë…
Çdo herë ,duket si të jemi lindur bashkë
e megjithatë dihemi aq pak
sa ndihemi të etur
përditë duke u dashur më tepër
pa e ditur ç’na pret
e ç’na ka mbetur…
Në busullën e përditshmërisë
veriu ynë
shigjetë e orientuar drejt dashurisë.
Rrotullohemi duke ndërruar vendet
herë ti e herë unë qendra
boshti ku venë e vijnë çdoherë ëndrra…
Ëndrrat zgjatin qafën si mjellma të përgjumura
prej tyre ndihemi ngrohtë
jetojmë ditë të purpurta…

 

 

 

 

***

 

Vetja ime
me zig zake truri dhe zemre
shfaqur shëndetshëm në elektrograma
mbetur brenda meje si parametra jete
pa ma zig zak-ur rrugën
pa ma ç’ekuilibruar të vërtetën…
Vetja ime
rrethuar nga njerëz si kuba ,si sfera apo piramida
që rreken të përngjajnë duke theksuar diferencat
pa e gjetur të ngjashmen e formës time
fiksuar në ADN , e pandryshuar nga referencat…
Vetja ime
nga thelbi i Tokës del në sipërfaqe
djersë e dhé përzier , në trashenë tradicionale
dhe drejt qiellit shkon me poezinë
prej saj pastë fundin e një përralle
edhe pse ,si të tillë s’e jetova…
Vetja ime tre dimensionale !

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s