Cikël poetik nga Engjëll I. BERISHA
Zemra larg syve
Meqë s’të dua
të rri larg një mijë e një vjet
rrugë drite
me mendje mund të më bësh vizitë
tash, sa çelembyll sytë, menjëherë
se sikur t’ia dilje të vije
afër këtu ku më rri trupi im
do të më prekje eter
të padukshëm
e sytë e tu kanë gjallëri tokësore
janë të bukur si deti
ku mund të gjesh kohë një mijë vjet
të ecësh nëpër labirintet e kohës
kur koha është eter
ndoshta kjo që po flas
është përshkrim i ëndrrës
të tillë të përfytyrova
ose të pashë
trungu në rrahun midis sheshit
një ditë do të dalë me gjethet
e hekurt
HERBARIUMI I BARDHË
(Stoli)
Një det pa fund në trupin tim
me baticë nxori
myshk e rrënjë dhe një safir
një amforë porcelani
në dhomën e librave
si eksponate unikate stoli
u varguan fjalë a objekte
u zgjuan
kohët që prapsojnë
ëndërr ishte
apo e shkuar
i ruajti deti i harruar
Ndërrimi i ujit)
Toka kur lodhet
ajri kur helmohet
ç’bën që rri uji e nuk ecën
e s’pihet
ku ta derdh gjithë këtë pikëllim
a m’i zë kujdesi yt
të gjitha këto mbeturina
se të kam mësuar si zogun në shuplakë
të mbaj gjallë
dashuria ime
Bregu i diellit
Herët del dielli në dritaren time
Era i rrah kurtinat me limonti
Ra edhe zogu i ditës në poezinë time
Butësisht si bie mbi lulet shiu
Ajri i sëmurë i natës me psherëtimë
Rigoi mbi gjethet e lules në verandë
Ishte koha e zgjimeve
U lodha shtrirë
Mora të dal tatëpjetë rrugës
Ishulli i rrethuar me çatitë plot fëmijë
(Koha e gjumit)
Kur të fiket drita
me gishtin e verdhë
në dhomën time terri
të ther
të ishte natë e kthjellët
do të shihja tek ecën nëpër shtëpi
e do ta gjeja copën e qiririt
e do ta lexoja librin
optimist
deri në ag
shtrati do të më bëhet arkivol
e kur të bjerë rrezja e parë pingule
plot lule
do të më buzëqeshin në vazon
e dritares që ka sy
është kohë gjumi
po u ktheva në krah a u rrotullova
nga frika që kushton lirë
dimri që mori me diell
m’i nxjerr djersë trupit
se këmbë nuk shkohet kjo kohë
këmbë bëhet gjumi
(Koha e zgjimit)
Merimanga e smeraldit
vë në vetullën time rrjetë
syrin ma sheh piktura
e trupin e harroj diku larg
përsëri me këmbë
herë djathtas herë majtas oborrit
rruga e gjatë
në kurth
edhe dielli edhe dita edhe drita
s’janë tjetër pos ngjyrë
që derdhet në pëlhurën
në këtë letër ku do të shkruhet
kjo poezi
duke dalë nga nata me shtratin
me petka të gjumit
me ëndrrën
përbirohemi nëpër rrezen e argjendtë
si nëpër një unazë
e zgjohem
(Koha e këndimit)
Gjeli
si qen e kafshon hënën
piktura në ballinën e librit
ma shkel syrin djallëzisht
posa të kthej nga udha
tërë kohën do të lexoj poezi
Do ta kaloj kohën e pushimit me ty
derisa të lodhesh
në fundin tënd të mbërrij
Bota
nuk përshkruhet për një çast
rrugë e gjatë një mijë vjet
prandaj
si do të kthehem nga ky fund im
Me këmbët e tua herët
mbërrin kudo
(Padroni i verdhë)
Erdhi dhe ma veshi shpirtin
me muret prej baltës. Qëndrova frymë
dhe Zoti tha: tetë herë mësoje grafin
lexo në lëkurën tënde tatuazh-testamentin
çka t’është shkruar të hashë ti
s’e ha dot bisha kund të të rrjedhë
padroni i verdhë
tetë herë nga limfa e zezë
me farkë e zjarr latoi racën pa fis
dola në Dritaren Perëndimore i Ri
të më shihej koka nga larg
nga ata që më marrin n’shënjestër
RIKRIJIMI I LIBRIT
Kur nxora nga terri i bibliotekës së Padovës
pergamenën e kompjuterit me shekullin e XX-të
ngjyrat e shkrimit mi bëri futuriste
fluroscenti i kolorit në ekranin modern
rojet me t’zeza t’informatave
larat e dru gdhendura shqip të altarit
i mbuluan para syve të mi
të mos e shihja mjeshtrin e mjeshtrit ilir
me të parin që foli duke u nisur kah Perëndimi
Shën Jeronimi
djall o punë gjermanishtja ime n’Itali
recitonte melodinë e theksit shqip
ata njëherë kujtuan
se agjenti i sigurimit të pasurisë
hetonte punën e testamentit të kishës
lagështia ortodokse në muret e ilirishtes
çdo palimpsest e kishte rishkruar
Nga u nda Iliriada
Lindje bizanti i murrmë briri i thyer aziat
Perëndim Roma
mbi kristalet e detit mediteran
pas paganizmit hedon që të dy kishat e reja
një mijë e pesëqind vjet artin dhe lutjen
me fjalën shqip e recituan e pikturuan
gjurmët e fshehura që nuk lejojnë vandalët
libri të rikrijohet i ri në kohën tonë
duke dal nga tempulli rojet e zeza
hije shqipes i bëjnë si sëmundja me bakcil
dogma komuniste një gjysmë shekulli
dhe një gjysmë tjetër primitivizmi feudal
dhe një mijë e sa vjet të tjera flaka e baruti
pesëqind vjet obskuri osman
kaq qind vjet pasuria e shpirtit tim
ma përkthen testamentin greqisht
me turqishten pa veta dhe atë serbisht
ciceronia më tha eja te Imzoti
në lashtësinë e Zotit Ati më tha eja biri im
duke ecur midis muranave me të prekura
gishti im terrin shploi me ballë
atje lart më doli pikturë Padova figura
e Patër At Gjergj Fishtës lahutar