Poezi nga Xhemile Adili / Shkëputur nga Vëllimi poetik ” Lulëkuqja që mbin në mur”

 

 

xhemile Adili

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

 

11254138_396873547172866_4388937792028072714_n

Shkëputur nga Vëllimi poetik ” Lulëkuqja që mbin në mur”

 

 

 

Dëshmi nga Olimpi im

 

S’e kuptoj

Ç’është kjo ndjenjë kaq e fortë,

Në këto ditë maji

Të vitit tim,

Që prek në shpirt

Deri në asht, deri në palcë,

Frymën ma bllokon,

Më përkëdhel,

Më ledhaton lehtë si era

Dhe pastaj bëhet pjesë e  jotja

Dhe natën s’më lë vetëm,

Në këtë stinë zemre,

Vjen e çuditshme,

Përzier me zjarr,

Nga miti i Olimpit tim,

Më zgjat dorën dhe dridhet,

Herë thyhet,

E skuqur, e zbehur,

Herë më rri përballë,

Herë në damarë,

Por vizaton parajsën

Dhe futet brenda

Edhe përtej dhimbjes,

Që të ngjallet

Nga flaka e Olimpit tim.

 

 

 

 

NGJAJ ME FIJE BARI

 

Hedh hapat mbi barin e njomë,
Sa lehtë ecja,
Për të mos lënë gjurmë,
Duke mos dashur,
Që asnjë fije të vetme bari ta lëndoj.

Ka gjysmë shekulli që ngjaj me fije bari
Dhe nuk e paskam ditur.

Të dy kemi lindur nga shpirti,
Të dy vdesim nga këmbët e njerëzve,
Ndërsa as stuhitë e mëdha
Rrënjësh s’na nxjerrin nga toka jonë.

Të dy kemi dëshirë të jetojmë mes lulesh,
Të na përkëdhel erë e lehtë maji,
Pak ditë para ditëve të qershive,
Kur durojmë të ka shkelin fëmijët,
Me qershi në dorë.

Unë dhe bari
Kemi dëshirë veçmas
Të na shkelin muzat,
Që gjysmë shekulli më papë
I kemi lënë mënjanë.

Po, ç’më duhen mua muzat,
Kur me një fije bari
Arrij atje lart në Olimp
Dhe bëj legjendën e Olimpit shqiptar.

Unë dhe bari jemi një,
Porse unë zbres nga Olimpi,
Kurse bari udhëton drejt majës së tij,
Ai më lëmon flokët me bojë,
Unë rrënjët me dhe ia mbuloj.

Unë dhe bari ka gjysmë shekulli që ngjajmë,
Por kurrë s’ia mësova magjinë e bukurisë,
As kur si flutura u ula mbi blerimin e butë,
Për t’i dhuruar këngët e mia të dashurisë.

 

 

 

 

FOTOGRAFIA JOTE NË MUR

 

Mos më përkëdhel trupin nga larg me ata sy,
Se dridhem si thupër në shtegun e dhimbjes,
Po afrohu më shiko thellë në sy
Shiko se si digjem e prushohem
Si në ditë behari.

Pa prekur dorën që dridhet,
Do të dridhesh dhe ti
Nga dridhja jonë
Edhe bota do të lëkundet
E nga shikimi në sy,
Bota do të digjet.

E kur të futësh duart në flokun e gjatë,
Do të të kapin drithërimat si në ditë dimri
E kur me mollëza të gishtërinjve,
Të prekësh fytyrën që shndrit,
Do të thuash:
O zot, a mos jam në ëndërr?

Nga përkëdheljet e tua të ngrohta,
Mbrëmë më zuri gjumi,
Në një buzëqeshje të këndshme,
Tek kisha vënë kokën,
Mbi rrahje zemre.

Atë ngrohtësi s’e kisha ndjerë kurrë më parë,
Isha e mbuluar me ndjenjën tënde
Dhe u ngrita me imazhin tënd,
Hapa sytë të shikoj përreth,
Një reshje shiu më mbyti fytyrës,
Po përsëri buzëqeshjen tënde pashë,
Ishte po aty.

Por kornizë e varur në mur
Është vetë ëndrra ime e bukur,
Që kurrë s’më lë vetëm,
E shoh dhe në gjumë,
E shoh edhe zgjuar.

 

 

 

 

NËPËR RRUGËN E QUMËSHTIT

 

Çdo ditë e më shumë,
Ngjitem tiktakut të zemrës sate,
Ku herë më pret me nota pentagrami,
Herë më fton në vallen e jetës,
Tek më jep shkallët për të ngjitur majat
Kur marr notat e pentagramit,
Krijoj një orkestër të madhe,
Ku ti dirigjon me aq mjeshtëri,
Sa dhe të vdekurin zgjon
E kur ngjitem shkallëve të zemrës
Ngjitem aq lart ku engjëjt luajnë valle,
E unë me engjëllin tim,
Mes notash e shkëndijash,
Përplasen sytë tanë,
Sa dhe qielli merr flakë,
Rrugës së qumështit,
Tek hedhim valle përqafuar,
Dhe galaktika na e ka zili.

 

 

 

 

RRUFETË E LISAVE TË SHARRit SHKRUAJNË VARGJET E MIA

 

A kaq shumë paskam ecur mbrëmë,
Nëpër terrin e natës nga zemërimi,
Saqë Tetovën paskam lënë
Kilometra larg
Malin e Sharrit të tërë e përpiva
Te kollitesha nga lëndina
Larg smagut e zhurmës
Shtatin mbulova me lule shumëngjyrëshe,
Natën e kalova
E dehur nga ajri i pastër,
Nga freskia e malit,
Nga vezullimi i yjeve,
Lodhjen nuk e ndjeva,
As kallon e këpucëve,
As thikat e thepisjeve.
E tani që ndodhem,
Në majë të Olimpit tim,
Tani e kuptoj,
Se ç’nostalgji paskam pasur për të.
Freskia e malit më theu moshën e re,
Bora më lau gjakun e prishur,
Rrufetë e lisave i ranë zemrës së zëmëruar,
Atyre ua lashë vargjet t’i shkruajnë,
Që të maten me Lubotenin
Korabit t’i çojnë lajm,
Të shohin veten në pasqyrat e liqeneve
Të Ohrit e të Prespës,
Tek u shtoja dhe lotët e mi
E tek thosha padashur:
Njerëzit që jetojnë poshtë,
Vetëm poshtë mund të jenë,
Edhe vargjet e shkruar a të pashkruar,
Prandaj prapë dua të ec
Edhe sonte, edhe çdo natë
Nëpër terrin më të zi,
Sa herë që sfinksi i zemërimit
Më merr për dore.
Zvarrë pellgjeve, rrjepur luginave.
Vetëm në maja rrinë vargjet e trimave.

 

 

 

 

NËN PERANDORINË E SYVE

 

Nga pritja jote,
Dhe koha është plakur,
As lulet nuk dinë të çelin.
Tani që erdhe,
Më thuaj një fjalë,
Mos e gropos!
Mos e hesht lulen tënde të çelur!
Po hesht sa të duash,
Të lexoj në sy,
Aty dua të mbytem,
Të më djeg ajo flakë,
Të bëhem hi!
Vetëm një fjalë ma thuaj!
Mos më lë të dridhem si dita në dimër!
Po, kur më shikon në sy,
S’ka nevojë të lindë dielli.
Dhe pse po hesht,
Me sy po më pushton shtatin,
Po prapë dridhem si dita në dimër,
Me të njëjtën lutje,
Por ti s’ma thua asnjë fjalë.
Ashtu hi në sytë e tu,
S’di a isha unë.

 

 

 

 

ESE PËR SHPIRTIN E SHPIRTIT TIM

 

Nëse nuk e njihni
Shpirtin e shpirtit tim,
E gjeni këtu si unë,
Mbi fletë të bardhë,
Tek shkruan vetë me ndjenja të tij,
Tek shkruan me dhimbje,
E të shtrydhë lot në vargje,
Kur dikush gërvisht qiellin,
Aty e gjeni tek vuan,
Mes trishtimit,
E gjeni të lënduar, të zhgënjyer,
Tek shiu i pikon nga qepallat,
E gjeni me shpirt të rebeluar,
Kryengritës me penën heshtë,
Që refuzon të futet në qenien time,
Bashkë me dhembjen e qiellit.

 

Advertisements

One thought on “Poezi nga Xhemile Adili / Shkëputur nga Vëllimi poetik ” Lulëkuqja që mbin në mur”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s