Poezi nga Hamit Taka
KUDO TY TË SHIKOJ
Më puth ti, moj e dashur
Po unë të puth më shumë,
Puthja jote në buzën time
Valë e ngrohtë me shkumë.
Si luzmë bletësh puthjet e mia
Që mbulojnë degën në pyll,
E dehur fort nga lumturia
Ti qesh dhe sytë i mbyll…
Ashtu si bletës në koshere
S’i dëgjohet fërfërima,
Dhe tI qetas më afrohesh
Nuk të ndihet fare fryma…
S’ ngopem së pari, e dashur
Të ëmbëlën tënde fytyrë,
Fëmijët tanë të bukur shoh
Në sytë e tu pasqyrë.
Sytë e tu burim i kulluar
Pa rrëfyer nuk lënë gjë,
Veç tani në bebëzat e tu
Mjalt’i mjaltit, jo tjetër më.
Për ty unë dua t’i harxhoj
Sytë e qeshur që m’i fale
Kudo qofsh do të shikoj
Në dete, qiell dhe në male.
VALLJA E VAJZAVE ÇAME
Ku e nisnit vallen, vajza?
Buzë Jonit transparent?
Dhe deti me ju vallëzonte
Me dallgët lidhur gërshet.
E nisnit në një faqe mali?
Oh, atje djemtë ju donin
Mali nuk ju kundërshtonte
Dhe gurët me ju këndonin.
Te pylli i gjelbër e nisnit?
Sa bukur zërat ju shkonin!
Kënga juaj dhe e zogut
Putheshin dhe fluturonin.
E nisnit vallen ju kudo
E nisnit te pylli me zhurmë,
Në malin e lart e nisnit
Dhe poshtë në detin me shkumë.
IMAZHI I NËNËS…
Me freskinë e erës në livadhe
Ngarkuar me vesë e nektar,
Me elegancën e një pulëbardhe
Që pluskon lehtësisht mbi valë,
Mbi gjoksin tim dallgë e shkumë
Ku kujtimet, malli, ëndërrat
Mbi kreshta vëlësh flenë gjumë,
Re e bardhë më shfaqet nëna…
OH, ç’ëngjëll me flatra flurore
Pak çaste u ndal e vate, shkoi
Si erë e ngrohtë dashurore
Me ca fjalë të ëmbëla hojë…
Duke ikur lehtas, pa sforcim
Posi varka kur velat ngre:
Kur isha gjallë, o biri im
Më thonin shoqet: ç’djalë që ke!
Ashtu të do nëna sërish
Me nipat e mbesat për dore,
Si qiell i kaltër ngado ta shtrish
Zemërbutësinë tënde hyjnore…
Si m’u zhduk ashtu imazhi-shpirt
Siç zhbëhet avulli në pasqyrë!…
Njollë e bardhë në trurin tim
Re të avullta, humbëtirë…
ZILJA SHKOLLORE
S’kumbojnë më hapat sokakut të vjetër
Ku lash shpirtin pagan, këngën kam nisur.
Gurët e lëmuar me ngjyrë platini veshur
Mes avllive të zymta heshtin të ngrysur;
Veç një rrëkezë drite lëpihet sokakut
Kujtime të hershme, pa brenga, trishtime
Nga fëminia ime dhe rinia sëpaku
Ndaj çaste magjike, trokthe, tringëllime…
S’loz më kukafshehtaz me yjet e hënën,
S’harboj më pas xixëllonjash fluturake
Dikur i betohesha gjitones për nënën
Se puthjet s’ishin veç lodra miturake;
Në fund të sokakut kumbon zilja shkollore,
E ngrënë nga vitet, nga gjuhëza e brejtur,
Tringëllin sërish e ëmbël, gazmore
Si një reze dielli në qiellin e vrenjtur;
Më zgjon ca ëndërra që ende po flënë,
Endërra të virgjëra për punë të mira,
Duke ikur në vesh diçka më ka thënë
Zemërthyer vendlindja me arat e dëlira…
Vajzat dhe miqtë shpesh i mashtrojnë
Fytyrat e papërlyera prej të mituri…
Me lule malli e me lajka pikturojnë
Portretin e zbetë prej të mbyturi…