Ka xhelozi e xhelozi… / Tegim i shkëputur nga libri “PLANETI I EMOCIONEVE ” të autorit Petrit Sulaj.

Ka xhelozi e xhelozi…

 

 

petrit sulaj

Tegim i shkëputur nga libri “PLANETI I EMOCIONEVE ”  të autorit Petrit Sulaj.

 

 

Pse vazhdoi të pres më? Pse po pres?! Sa keq qenka, kur pret njeriun që don më shumë se vehten tënde. Ndërkohë, betohem se po kalova me sukses këtë pritje, do të bëj gjënë më me mend që kam bërë ndonjëherë: do të filloj të mësoj artin e të priturit, duke pritur vetëm e vetëm vehten time. Kur të arrij të përvehtësoj këtë gjë, nuk ka nevojë më të pres askënd. Po hajde e mësoje këtë gjë, më shpejt mësohet arti i të shkruarit romane se arti për të pritur vehten tënde.
Ai është duke bërë qejf në shtëpinë e tij, ndryshe do kishte ardhur me kohë; e unë pres këtu si teveqele në shtëpinë time. Ja pikërisht tani, ndërsa unë po torturoj vehten, ai po hap derën, pasi ka dëgjuar trokitjen e shumëpritur. E unë, unë si një torollake pres këtu zhurmën që bën çelsi kur futet në bravën e derës time. Për më tepër, tani më vjen dhe inat dhe me vehten: përse ja kam dhënë atij një kopje të çelsit të derës së jashtëme?
Bluaj këto mendime dhe sillem si marrë vërdallë shtëpisë, derisa vij e ngulem në cepin e koridorit, pranë derës së hyrjes. Nuk di ç’ të bëj me duart, me këmbët, me mendjen, me sytë; vetëm veshët i kam përqëndruar atje ku kam shpëtimin: në kapjen e tingullit që bën çelësi kur futet në bravë.
Unë jam këtu e kruspullosur, ndërsa ai në shtëpinë e tij. Ja, ai po rrotullon çelsin e derës së tij dhe sa e hap, në krahë bie një femër me flokë shpupurisur si një re e eksituar. Ai mezi e mban dhe ndërsa ajo bën me gjoksin e fytyrën e tij atë që më takon të bëja unë, marrosem krejt.
Për herë të parë kuptoj se kur sheh me sytë e fantazisë, një gjë që nuk të pëlqen as edhe ta mendosh kurrë, e humb fillin si njeri. Asgjë më bindet më, dhe mendimi më i fundit fluturon per llogari te vet, si një zog që braktis folenë pa përshëndetur askënd, as edhe nënën e tij.
Mos jam xheloze, sot unë?! Nuk kam qënë kështu kurrë!
Nuk mund të lëviz, e gjej vehten gjithëmonë mbështetur në cepin e koridorit në hyrje dhe shoh se sytë i kam fiksuar në një pikë në tavan. I mbyll me shpresë se kjo që po shoh është per faj të tyre, një imazh i gabuar.. O zot, sa mbyll sytë, skena më bëhet më e qartë. Flokverdha, o zot ta vras nuk më vjen keq, është akoma në krahët e të dashurit tim. Nuk dua të shoh më, po kush më ndihmon? Sekondat e mbrëmbjes pikojnë një dhimbje të paprovuar deri më sot, siç pikojnë ujin e tepërt rrobat e saponxjerra nga larja e varur ne tel. Sekondat e asaj mbrëmbje i kisha mbi kokë, duke pikuar pikë pikë, sigurisht po ma bënin kokën vrima vrima. Ndërsa minutat më duken gurë që dikush mi flak në zverk. Nuk është se më vrasin, jo thjesht më rëndojnë një peshë të paprovuar më parë kurrë.
Ja, tashmë të dy, të përqafuar e ngjitur me njeri tjetrin, po hyjnë në dhomën e gjumit, ndërsa puthen e pesha e leshverdhës është krejt në krahët e tij. I shoh tek ndihmojnë njeri tjetrin për të hequr rrobat. Nuk e kanë mendjen aspak ku i hedhin dhe të betohem jam aq keq, aq e mjeruar jam sa filloj e urrej dhe dyshemenë mbi të cilën dergjen rrobat e tyre, se pse dhe ajo bëhet pjesë e kësaj marrëzie. Dua të mos jem më. Dua të filloj e të zhbëhem, në fillim copa copa, pastaj thërrime thërrime dhe në fund fare thjesht pluhur.
Pikërisht kur isha në mes gjendjes thërrime e pluhur, një fëshfëritje e veçantë, patjetër shpirti i mirë i natës troket me delikatesë në dritaren përballë meje. Mjafton kjo fëshfëritje që të më sjellë në vehte. Pastaj nga jashtë veshi më kap hapa dhe o zot i madh, tingullin që bën çelsi kur futet në bravë. Filloj të ngrihem. Ajri nuk më pengon, nuk peshonte më plumb. Gurët në zverk nuk i ndjej. Pastaj një zukamë lehtësimi, pastaj nje fllad i lehtë me përkëdhel gushën. Kuptoj që po frymëmarr, ndërsa fytyrën e ndjej të lagësht. Janë lot gëzimi. Trupi më rrëqethet. Zemra tashmë ka marrë inisiativën dhe krejt qënien timë e ka transformuar në një ritëm të dalldisur.
Ndërkohë dera hapet dhe unë e gjej vehten në krahët e tij.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s