Tregim nga Melaize Gropa
Me sytë e tij…
Mëngjes pranvere me shi.
Ajo u ngrit rrëmbimthi nga krevati, duke kërcyer e trembur prej zhurmës së një rrufeje që tronditi gjithë shtëpinë. Sytë i shkuan tek ora, e cila ish varur në murin e dhomës, përballë shtratit te saj e tik-taku dukej sikur i thoshte:
-Unë po kryej punën time e tash është radha jote.
Veshi fustanin bojëqielli që kish blerë një javë me parë në një butik që ish hapur së fundmi. Krehu flokët e gjatë ngjyrë ari, të cilët i ishin ngatërruar gjatë natës. I la lëshuar mbi supet e brishtë. Minutat sikur fluturonin dhe kur hodhi sërish sytë nga ora, pa që kish shkuar vonë. U përshëndet me të ëmën, që ishte zgjuar më herët dhe qëndronte si përherë në të njëjtin vend, në kolltukun e saj.
Mbi tryezën e vogël përpara kishte gotën e ujit gjysëm të mbushur si dhe filxhanin e kafesë. E puthi fort në të dyja faqet nënën, i shkoi dorën mbi shpatulla, i uroi ditën e mirë dhe nxitoi nëpër shkallë. Posa doli nga hyrja e pallatit, pikat e shiut i ledhatuan fytyrën e bukur, u kujtua që kish harruar të merrte çadrën. U kthye sërisht pas, i ra ziles dhe priti të hapej dera. Pas pak dera u hap me atë kërcitjen e saj karakteristike dhe u shfaq e ëma.
-. E harrove – i tha, e i zgjati para duarve çadrën me trëndafila shumëngjyrëshe.
“Eh” mendoi , si janë nënat, të kuptojne edhe pa folur fare.
Zbriti sërisht shkallët e pallatit. Rruga po i dukej e zbrazët atë mëngjes. Tek-tuk ndonjë kalimtar që nxitonte për në punë. Dëgjonte trak-trukun e takave të saj, që përzihej me zhurmën e pikave të shiut që kish nisur të binte me rrëmbim. Po nxitonte se ishte bër vonë e tashmë po mbërrinte pranë stacionit të autobusit aty ku e priste ai, gabeli me fizarmonikë në dorë. Çdo mëngjes ai rrinte ulur në një stol e i këndonte përherë këngë të bukura, por më shpesh i këndonte atë të bjondinës.
“Moj bjondina ime,
vështrimi yt më djeg si zjarr..etj.”
Ajo, bjondina duke qeshur e përshëndeste e pastaj shkëmbenin ndonje bisedë sa për të kaluar minutat derisa të vinte autobusi. Ndiente në zërin e tij melidioz një lloj emocioni të veçantë, që s’e kish ndier ndonjëherë më parë. Në sytë e tij shihte paqe e çiltërsi. Shkëlqim të papërshkrueshëm rrezatonin sytë e tij bojëqielli sa herë ndesheshin me sytë e saj. I dukeshin si dy kristale mbi fytyrën burrërore me tipare të skalitura e lëkurën ngjyrë çokollatë të errët. Ajo nuk ja dinte emrin, s’ e kish pyetur asnjëerë edhe pse kishte disa muaj që e shihte përdite aty tek stacioni.
Tulipanët e mbjellë në lulishten aty prane kishin mbyllur petalet e rrinin kokëulur nga mërzia. Dielli qe fshehur e s’po dukej gjëkundi.Bubullinte e shkrepëtinin rrufe diku nëpër male e drita e tyre , së bashku me zhurmën, sa vinte e zbehej. Mbase pas pak do të hapej koha, retë do shpërndaheshin e dielli do shkëlqente sërish.
Tani për tani asaj gjithçka i dukej e zymtë. Ndryshe nga çdo herë tjetër kur entuziazmi ishte i dukshëm në gjithë qënien e saj, sot s’ kishte fare dëshirë për asgjë, madje as të shkonte në punë, por ja që duhej. As vetë s’ e kuptonte se pse ndihej kështu . Në anën tjetër të rrugës pa gabelin me fizarmonikë në dorë, që nxitonte për te stacioni. Kish shkuar ora që ajo të ishte aty dhe ai të këndonte për të. Ky fakt e lumturonte pafund djaloshin. I ishte kthyer në rit. Ajo sapo e pa ju rikthye buzëqeshja dhe nxitoi të kalonte në anën tjetër të rrugës aty ku ish ai, i lagur qull nga shiu me duart tek fizarmonika gati të luante e këndonte për të bukurën bjondinë. Me sytë nga djaloshi, këmbët instiktivisht lëviznin nxitueshëm, u fut në rrugën kryesore , ku qindra makina ecnin me shpejtësi.
Piiiiiiiiiiip dëgjoi një buri të gjatë, dëgjoi fërshëllimën e fortë të gomave që rrëshqitën mbi asfalt e më pas ndjeu nje goditje të fortë mbi trup, që s’ e mori vesh nga i erdhi. U shemb përdhe.
Si nëpër ëndërr i vinte i largët një zë melodioz që jehonte këngën e një melode të njohur. Ishin ata tinguj që e zgjuan nga “gjumi i gjatë”. Ajo nuk e dinte sa kohë kish “fjetur” por e kuptoi që u rikthye sërish. Përreth krevatit të cilin e dalloi menjëherë, që nuk ishte ai ku flinte përherë, ishin dy infermiere, e ëma që i ledhatonte duart dhe disa buqeta lulesh. Pak metra më tutje në një tjetër krevat rrinte gjysëm shtrirë një djalë zeshkan me sy të fashuar e me fizarmonikë në dorë. Ishte ai, gabeli sybukur që i këndonte çdo ditë.
E habitur shihte përreth dhe s’ po kuptonte ç’ kish ndodhur. Shihte të ëmën përlotur e dëgjonte pëshpërimat e lutjet e saj që falenderonte Zotin. Njëra nga infermieret që ndodhej aty, u largua nxitimthi thuajse me vrap nga dhoma nëpër korridorin e gjatë të spitalit. Pak minuta më vonë ajo u kthye së bashku me doktorin, një burrë i gjatë e i hijshëm rreth të 50-ve. U afruan pranë krevatit të saj dhe doktori filloi t’ i fliste. I shquhej në fytyrë gëzim dhe keqardhje sëbashku.
U zgjove më në fund :- i foli ai me zë te butë e gati prindëror.
Unë tashmë jam miku yt, kam qenë me ty e pranë teje në ditët më të vështira të jetës tënde edhe pse ti s’ më ke parë. Kemi ndenjur shumë kohë së bashku, që nga dita kur ti pësove aksident.
Ajo rrinte e dëgjonte në heshtje. Mijëra mendime e fraza momentesh të asaj dite me shi i pushtuan gjithë trupin.
Pësove dëmtime të shumta midis, të cilave dhe atë të retinës së syve, si pasojë e goditjes në kokë, por tashme çdo gjë ka kaluar.
Faleminderit doktor! – mundi të shprehej ajo dhe një lot zuri vend në qepallë. Unë shikoj shumë mirë .
Doktori nuk foli më asnjë fjalë, drejtoi vështrimin në anën tjetër të dhomës aty ku ishte krevati i gabelit e qëndroi disa çaste ashtu. Ai vështrim kishte thënë gjithçka. Doktori u përshendet me vajzën dhe të ëmën e saj e u largua.
Djaloshi që deri më tani kish dëgjuar bisedën në heshtje, u ngrit më këmbë dhe ngadalë ju! afrua vajzës:
-Bjondina ime bukuroshe, ti ke qenë dhe do mbetesh për mua gjëja më e rëndësishme e kësaj jete, je drita e syve të mi.
Ajo u përlot dhe pas këtyre fjalëve nuk dinte ç’ farë të thoshte më tepër. E përqafoi fort dhe qëndruan ashtu për pak minuta. Gabeli tashmë ishte bërë personi më i rëndësishëm i jetës së saj.
19. 07. 2016




























Leave a Reply