Poezi nga Xhemile Adili

xhemile 12

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

KUR DAL NË QYTET

 

Më duket gjithçka në këtë vend, Diell ka emrin,
Jo pse thjesht dua unë, jo pse do shpagim pranvera
Dhe blerimi i vërtetë është çmimi i saj real,
Po, se çdo ligësi ka një fund, çdo jetë ka një lumë.

Dalin ngado, ngado vijnë, ngjatjetohen, përqafohen,
Sikur marrin tërë fluksin e pasionit të madh nga unë
E nuk më lënë gjë. Sa bukur! Këtë me shpirt dua!
Gjaku i ëndrrave të mia, të dashur, u bëftë për ju mal!

U bëftë fontanë, ujëvarë, harpë, nota gëzimi të madh!
Dashuria ime është sa gjithë zjarret e flakët bashkë,
Sa gjithë rrezet që mbledh unë me pasqyrat e poezisë
I hedh ngado ato, shndërrisin kushdo që zërin tim pret.

Më duket gjithçka në këtë vend, Diell ka emrin,
Edhe mynxyra ime-tmerr për ca sy e ca buzëqeshje.
E di. Pllajat e horizonti ballë një dashurie, ç’është?
Po, se çdo ligësi ka një fund, çdo jetë ka një lumë.

 

 

TERR NË MUA, TERR RRETH MEJE

 

Nuk më ikën dot nata pa ty,
nuk di ku je, nga ikën, nga vjen,
pres kohë të gjatë dhe shpirti me djeg,
pres me ditë, me muaj, me orë, sa herë,
ku je aman ku je ku je?

Kam kapur fundin e shpirtit me dhemb
dhe po shqyej veten nga dhembjet tmerr,
kam kapur zjarr e flake me shpirt të mjerë,
po mbaroj, po pres, po fluturoj,
nuk di ku je, nga ikën, nga vjen.

Ka kohë që mbes kështu pezull në jetë,
nuk di stinë, rrugë, fusha, male, det!
Ka ikur gëzimi, drita e syve. Agu nuk vjen,
e gjatë kjo natë, një jetë e tërë – terr, terr,
nuk di ku je, nga ikën, nga vjen.

Do jepja dhe fijet e fundit të flokut
dhe brinjët dhe duart dhe sytë,
do jipja gjithçka kam e s’kam,
vetëm një herë me duar të të prek,
nuk di ku je, nga ikën , nga vjen.

 

 

SOT BËNË E DIEL…

 

E urrej dhe e dua, tepër-tepër!
Më përngjanë në kopsht zoologjik dhe cirk.
Del në rrugë, kthen në kopsht, hyn në sallon
Fati im i prerë cirka-cirka, befas, vrik.

Mbushen rrugët, tarracat, tavernat, plazhet,
Jam dhe unë nganjëherë, por diç kërkoj prapë,
Ku gjendet, a thua, ku gjendet, ku gjendet
Drita e diellit që në fund të shpirti m’u dërmua?

Kthej, por nuk rri në një vend dot, dal sërish.
Nuk do ngopem kurrë përjetë, pa kaptuar fund bote,
Po do arrij patjetër në fund të shpirti tim, lule që dua.
Lulen pres, si zog në dritare, mysa-mysa veten i hedh.

Sot bën e diel…
Ditë gotash përmbysur,
filxhanësh në pabotësi kthyer,
mos qofsha kurrë njeri, po harrova gjë!

 

 

DETI I FATIT TIM MË THËRRET

 

Më sillni një pikë ujë nga burimi i malit më të lartë,
S’më janë shuar dejt, as zemra, truri, ëndrra që pres.
Fishkëllima e bori dëgjoj, gagaritje resh, hungurima pranë,
Po veç një zë dua, veç një degë blerimi më kërkojnë sytë.

Më sillni një pikë ujë nga buzëqeshja që më miklon gjatë
Mos më hedhni premtime karremi! S’dua fjalë kurthash!
Në këtë botë erdha më e lirë se zogu e pëllumbi
Dhe akoma më e lirë nga ajo patjetër të ik dua!

Më sillni një pikë ujë nga çdo ndërgjegje, kudo ku është,
E mos prisni, mos rrini indiferent, mos mbyllni sytë,
Fate pa fund shkulen e shqyhen, nënshtrohen e grihen,
Dua t’u kem pranë, njerëz, ushtarë, udhëtarë, triumfatorë!

“Dielli lind përsëri”, këto fjalë rrisin jetën në grurë.
Pa këto fjalë ungjillore, pa këto fjalë betimi ushtari,
Nuk ecin tatëpjetë drejt detit pikat e shiut, përrocka, lumi,
Jam si gjithë lumenjtë, çapitur,- deti i fatit tim më thërret.

 

 

PËRSHËNDETJE DIELLORE!

 

Gjithmonë dhimbja dhe loti ju ngoptë
dhe harresa ju marrtë një ditë!
Mbettë rruga pa sfrate, kodra, rrangullina gjithfare!
Edhe shkëlqimi në syte e mi ju vriste,
o Zot ç’tmerr! Drita e pastër që dhuron jetë,
të mos qenka gëzim, vullnet, paqe brenda shpirti?!
Dhe diellin s’e deshët në qenien tim assesi,
Por do ju përvëlojë errësira në trupin tuaj, o të uruar!
Do ju përvojë i mirësisë ky diell i bekuar.

Të lindur ishin për kafshim shpirtrash,
Dëshironin të më shihnin të fyer, të përvuajtur,
Të rrëzuar përtokë, të katandisur, si mos më zi!
Zvarritur honeve me kokë ulur e sy përlotur,
Me supe varur, si dege e tharë të lisit,
Shkulur rrënjësh, tharë zërit tim se unë jetoj!
Dhe pa kthyer kokën një herë anash apo pas,
Deshën të më shihnin kështu prore, shkrumb e blozë,
Përflakur përqafuar me dështimin që ka lojë çdo djall,
Por nënshtruar s’mund të më shohë asnjeri! Kam krah!
Shpirti im është kondor mali më të lartë!
Ëndrra ime është dru i bujshëm qindvjeçar!
Çapit, pa u ndalur stacioneve, ulurimave, kurtheve!
Nuk do shihni asnjë degëz të trishtuar, të ngecur,
Ujë i thellë që nuk njeh ngushtim, shkurtim,
Plot mesazhe blerimi nga të katër anët e botës
Ky varg imi, tamam sikur kalova rrugët bashkë
Me Uollt Uitmen, gjithnjë shpirtin plot hapësirë blu,
Plot det, lëndina, hire, përshëndetje, mallë.
S’ka mjerim në fjalët e mia, janë vargje nga lashtësia
E drejtë qindra vitesh të të ardhmes vajnë.
Dhe diellin s’e deshët në qenien tim assesi,
Por do ju përvëlojë errësira në trupin tuaj, o të uruar!
Do ju përvojë i mirësisë ky diell i bekuar.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s