Jeta e shpirtrave të argjilizuar

 

(Adem Zaplluzha: “Kumritë prej deltine”, poezi, sh.b. “TREND”, Prishtinë 2016)

 

 

skender-zogaj

Nga: Skënder Zagaj-Shkrimtar

 

Fenomeni universal më reflektues i të gjitha aspiratave të të gjitha llojeve të gjallesave të planetit Tokë, është jeta që shenjëzon vijën më domethënëse ndërmjet hyjnores dhe njerëzores. Prandaj, është krejtësisht e arsyeshme që, përmbajtja dhe cilësia e jetës janë preokupimi i përhershëm njerëzore, deri në masën instinktive të ballafaqimit me faktorët rrethanorë, objektivë e subjektivë të natyrës. Në këtë ballafaqim ndodh ngjizja e ndjenjave, që janë zëdhënëse të gjendjes emocionale dhe reflektim i kushtëzuar i vullnetit të njeriut për ndryshimin e vetes dhe të rrethit jetësor. Në këtë plan ndjenjat e kanë fuqizuar mendjen njerëzore deri në absurd, aq sa, njeriu i shekullit 21, po shfaqet si pushtues i gjithësisë. Ky pretendim fantastik realizohet nëpërmjet ndjenjave, që janë energjia më e përsosur e ndërlidhjes komunikuese të njeriut me botën, në të cilin proces, pos të tjerash realizohet edhe krijimtaria artistike, që është vlerë superstrukturore.

Kësaj vlere superstrukturore i dedikohet edhe vëllimi poetik “Kumritë prej deltine“ të Adem Zaplluzhës, i cili poentën artistike e kërkon tek të menduarit filozofik për jetën e njeriut dhe për shoqërinë aktuale shqiptare, e cila e ka argjilizuar shpirtin njerëzor deri në masën e një absurdi të skajshëm, aq sa ky shpirt është i detyruar të gjej strehim te “Kumritë prej deltine”! Këtë dergjje e kanë  poezitë e librit, që krahas veçantisë së tyre, kanë një ndërlidhje oponente të fuqishme me njëra tjetrën, dhe bashkërisht përbëjnë një strukturë poetike të pasur e të artikuluar mirë për kërshërinë e lexuesve me formim të mirë letrar…

 

14555747_1241056152613498_1320458621_n

Kumritë prej deltine

 

Cikli i parë: Kumitë prej deltine

 

Prekja e fenomenit jetë deri në tjetërsimin e saj, është fusha e aventurës krijuese të poetit Adem Zaplluzha, i cili thyen kodin e jetës normale, që inkarnohet në jetën e kumrive prej deltine, që është një veprim absurd, i vrazhdët dhe i panatyrshëm, por njëkohësisht i plotë kuptimtë për një qasje të re krijuese, që i rikthehet jetës në gjenezën e saj, tek krijimi i jetës nga dheu, pra i gatimit të njeriut nga deltina, që janë hipoteza kryesore mitologjike por edhe shkencore, sepse toka është nëna e ngjizjes së materies dhe e frymës jetësore. Është padyshim një gjetje e shkëlqyeshme e autorit Zaplluzha, që realizon një parabolë shumë të goditur figurative, përmes së cilës shenjëzon kërcënimin e përhershëm të evolucionit të jashtëzakonshëm natyror të jetës, pra, ka të bëj me tjetërsimin e jetës që konsiderohet se shkon kah përsosmëria, mirëpo kjo përsosmëri del të jetë e kushtëzuar nga e padukshmja frymë e shenjtë, pa të cilin jeta njerëzore nuk do të kishte kurrfarë kuptimi.

 

Sugjerimi i autori është hipotetik por në kuptimin artistik është shumë reflektues sepse “Kumritë prej deltine” shtrohen si ide mbi ndërtuese, e cila provokon ndërgjegjen njerëzore dhe dinamizon potencën e gamës së ndjenjave shpirtërore të njeriut e të shoqërisë njerëzore, që të mund ta kuptojnë sa shumë kanë nevojë për afsh zemre dhe mendje ndritje. Pra, poeti Adem Zaplluzha, si dikur, rilindasi ynë i madh, Naim Frashëri, nga kraharori i bërë vrima-vrima nga tjetërsimi i “fluturimit të gjinkallës”, në një dhomë të ngulfatur nga lehja e natës, përpiqet që të ndez dritën e qiriut. Një tablo surrealiste në të cilën zhvillohet drama e një nate plotë herezi:

Jashtë fërshëllen murrlani
Një shtrezë e mykur
Qante mes tavolinave
Dritat e neonit si për mahi
Ngritën dolli me vetminë
(fq.6)

 

Kështu niset protesta e autorit “për ligështinë e lagështisë së mureve” e cila apriori shfaqet fuqiplotë në heshtjen e asgjësë së gjësendeve të shndërruara në hije, që fjalën e kanë bërë të shëmtuar, sepse, siç thekson shpirti kryengritës i poetit:

 

“… u klonuan fjalët / Nga dhëmballët e dyllta/ Dhe kundërmuese”(fq.7).  

 

Në gjendje deliri, heshtja do të ishte dhurata më ngushëlluese, mirëpo, është e pamundur sepse ka ndodhur shpërfaqësimi i gjërave që kanë ndryshuar nga “Koha e vrarë që sillet vërdallë” dhe që me “kundërmimin si turshi lakre” vret shpirtin, që nuk mund ta ruaj qetësinë, derisa shfaqen pamjet shëmtuara:

 

“Nëpër trotuare shoh skile të sëmura,

Njerëz me nga një shqisë të dëmtuar…” (fq.12)

 

Ndërkohë që:

“E zhveshur deri në asht 

Me një shpirt nudo zvarritet dita…” (po aty)

 

Dhe poeti gjithë dëshpërim tregon:

“Qan edhe guri i vetmuar

Askush nuk ngre dolli me askënd

Çfarë brirësh paska kjo kohë

Që e shpon parzmën e tokës” (fq. 15)

 

 

Shpirti i shqetësuar i Adem Zaplluzhës me një vëmendje të hollë dhe të ndjeshme, si rrallë ndonjë poet tjetër, kundron jetën e njeriut të ditëve tona dhe me ngashërim shfryen indinjatën e tij të thellë për tjetërsimin e qenies njerëzore:

 
“Një ditë ecim vertikalisht
Pastaj ditën tjetër si bretkosa
Marrim frymë horizontalisht
U ngjajmë zvarranikëve parahistorikë
Sa që na thyhen eshtrat e brinjëve.” (fq. 17)

 

Arsyen e këtij tjetërsimi autori e gjen te mungesa e atdheut, apo më saktë te atdheu që i ngjante kumrisë prej deltine, dhe duke qenë se kjo është një e vërtetë e saktë, poeti ironizon me të vërtetën e nocionit atdhe, që nuk është i njëjtë për të gjithë, përkundrazi, siç thotë populli, për dike është nënë e për dike njerkë.

 

adem

Adem Zaplluzha

 

Në këtë dalldisje frymëzimi, Adem Zaplluzha realizon poezinë “Atdheu im herë i ngjante kumrisë”, në të cilën kemi përshkrimin e shkëlqyeshëm:

“Atdheu im herë i ngjante kumrisë
E herë zebrës së plagosur
Një ditë fluturonte me tërë krenarinë
E tij të madhe
Kurse ditën tjetër dukej si hartë e grisur”(Fq. 20)

 

Në këtë odisejadë ndjenjash bota ka ndryshuar shumë, aq sa, kumritë janë shndërruar në deltinë, mirëpo ende nuk është shuar imazhi i dikurshëm për to, që vazhdon të jetë i njëjti në mendjen dhe zemrën e zhuritur të poetit, i cili i rikthehet plot mallëngjim evokimit të së kaluarës, qytetit të lindjes, dhe pavarësisht që kumritë janë deltinizuar, poeti qëndron fuqiplotë dhe gjykon me optimizëm:

“Paskam gabuar shumë

Gjërat nuk paskan ndryshuar

Në qytetin tim

Kumritë prej deltine

Gugatin mbi çatitë e rrënuara

 

Një grua e moshuar

I di emrat e të gjitha bucelave

Dhe të çezmave

Më mirë se çdo mbathtarë

I njeh thundrat e kuajve…” (fq. 26)

Cikli i dytë: Deri në fitore ecëm vertikalisht

Për poetin Zaplluzha ringjallja nuk është rikrijim, por është vazhdimësia gjenetike që i ngjan bulimit të filizave në trupin e një lisi të prerë, që për një kohë ka qëndruar nën dhe, e që pastaj prapë, në një pranverë të njomë, nga rrezet e ngrohta të diellit ringjallet dhe bëhet ai i dikurshmi. Ky është obsesioni krijues në gjithë poezitë e ciklit të dytë të librit “Kumritë prej deltine” që autori Adem Zaplluzha e titullon “Deri në fitore ecëm vertikalisht”.

Kemi të bëjmë me dallgën e re të ndjenjave të poetit, i cili kërkon të zbërthejë thellësinë e dramës jetësore të njeriut, ato thellësi të preokupimeve të fosforta që, me kalimin e kohës, kur njeriu mendon se janë tretur e harruar, befas fillojnë të rigjenerojnë dhe manifestojnë ringjallje në kuptimin e rikujtimit të përjetimeve. Këtë ringjallje autori e realizon me pasion të mirëfillte krijues, përmes kërkimit të ndryshimeve të ndodhura, që i përkasin kontinuitetit të ndodhive, ku realizohet drama e shqetësimeve të përbotshme gjithnjerëzore. Përmes vargjeve të thjeshta por me fjalë të zgjedhura dhe maksimalisht në funksion të përmbajtjes, autori identifikohet me dramën e personazheve letrare që e pasqyron me zotërim të  autoritetshëm, prandaj poeti është krye heroi, që ligjëron në veten e parë:

 

“Mbrëmë i pashë plakat e lagjes

I pashë të mbështetura

Mureve të lagështa

Për habi                                                               

Dukeshin si ikonat e vjetra.

 

Me hapa të rënda

Era shkelte mbi kalldrëmet e lagjes

Në këtë fillim të dimrit

Vetëm një lejlek e një qyqe

Kishin mbetur mbi çati” (fq.33)

 

Në botën e kujtimeve ku janë të strehuara përjetimet më ekstreme të formimit nën ndikimin e frymës së traditës plot me doke e zakone të lashta, por edhe nën ndikimin e  ndërmjetësimeve të fuqishme të imponuara nga koha dhe rrethanat e caktuara, që kanë pasur qëllim frenim e shfaqjes së ndjenjave, autori është shumë i preokupuar  në kërkimin e faktorëve me ndikim tjetërsues, që i shfaqen tek “Besëtytnitë tona pagane”, të cilat poeti Zaplluzha i demaskon rreptë:

 

“Krijuan edhe perëndi të rrejshëm

Prej maceve dhe hudhrave të kalbura”. (fq.37)

 

Ose:

“Nga teneqet e ndryshkura

Bënim daulle

Dhe gjatë tërë kohës

I thërrisnim shirat” (fq.38)

 

Në këtë plan janë një varg vjershash predikuese për ndërgjegjësimin e kujtesës historike me të bëmat e rëndësishme të së kaluarës “Mbi njëmijë vjet/ Nuk mejtën zërat e trilluara të zhurmave/  Dhe po aq vite/ Ecëm shtigjeve të heshtjes/ Ecëm për të mos u ndalur kurrë” (fq.61).

Kërshërinë e lexuesit e ëmbëltojnë edhe përshkrimet e buta, të ngrohta, atraktive dhe ngacmuese, në kuptimin e komunikimit artistik, që ofrohet spontanisht, thjeshtë dhe bukur, si tek vjersha “Deri në fund ecëm vertikalisht” ku kemi tablonë e bukur dhe optimiste:

“Pemët përkulen deri në tokë/ Gjethet marrin frymë si njerëzit/ Nëpër varre i lexojmë epitafet/ E ikonave që nuk e pranuan vdekjen… Ne besuam se u lindëm si pemët/ Nga shpirti i erës shkulëm/ Pezmin e furtunës/ Dhe sërish u ngritëm në këmbë…” (fq. 42)

 

Cikli i tretë: U pamë për të parën herë

 

Në pjesën e tretë të vëllimit kemi tufën e vjershave, të llojit që kritiku letrar Ramadan Musliu i ka quajtur – të strukturës unazore, ngase pjesët e veçanta, shumica sosh, lidhen mes veti, krijojnë strukturë mozaike përmes lidhjes dhe koherencës së mbështetur në lidhjen e tyre rrethore – ku porosia përmbyllëse e një poezie është iniciale për një ose më shumë nga poezitë vijuese. Pra, kemi të bëjmë me inkoherencën e brendshme, në kuadër të tërësisë tematike, që tek Adem Zaplluzha, siç e kemi theksuar në fillim të këtij shkrimi, jeta është lajtmotivi qendror në përballje me përjetimet dhe dilemat e shumta ekzistenciale, të cilat autori i strehon te metafora “Kumritë prej deltine”!

Autori nismën e hyjnizon sepse padyshim që është ekselente:

“Njëqind kalorës të gjelbër

Ishin këtu para meje

Secili prej tyre

Të gjuajtën me nga një mollë të artë” (fq.71)

 

Mirëpo, pastaj ndodhin tronditjet shqetësuese që prodhojnë jetë-vuajtje të shumta sfilitëse dhe me pasoja afatgjate:

“Aq shumë vrapuam atë natë

Sa që edhe pas njëqind vjetësh

S’po mund t’ia ndalim galopin furtunës” (fq 72)

 

Në këtë ekstazë ndjenjash njeriu ndjehet “Si një fëmijë i braktisur” prej të cilit heqin dorë edhe gjinkallat, të cilat i zë gjumi, prandaj poeti ngre dilemën “A mund të jetë kështu vdekja”, dhe gjegjet: “Njerëzit nuk vdesin asnjëherë/ Prej një gjendjeje si iluzioni/ Kalojnë në një gjendje tjetër…” (fq. 78).

 

Me ndikim të ndjeshëm përmbajtjesor dhe artistik në këtë cikël janë edhe poezitë: “Patat e egra s’duken askund”, “Një boshllëk i padëgjuar”, “Ulesha nen hijen e blirit”, “Nga cilado anë që frynte era”, “Sa shumë u ngjajnë stinëve” etj., që na japin të drejtën të konstatojmë se, ky është një libër me vlera të qëndrueshme poetike.

 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,300,803 hits

October 2016
M T W T F S S
 12
3456789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
31  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List