Poezi nga Alketa Ilia Caca

alketa

Poezi nga Alketa Ilia Caca

 

 

PUTHJE  QË  PRANGOS

 

Pianoja ime është e parfumuar,

si petalet e zambakut,

kurse këmisha jote ka vija të bardha,

e ngjan me qeshjen e bajames.

 

Muzika e pianos sime ka notat e jugut,

lulevëthkat harlisen në rrugën antike,

kurse xhaketa jote ka jakë prej flladi,

e ngjan me qelizat e erës së rrushit.

 

Zemra ime ndjek rimën e gishtave,

kur prekin mishin e emrit tënd,

më afrohesh si prehër ledhatimesh,

në grykë më formohet një lëmsh.

 

Pianoja ime luan me gjysmërrënjën,

puthja e syve të tu më prangos,

me timbrin e shpirtit tënd zbut zjarrin e detit,

dhe klith e çliruar mbi zinxhirët e dashurisë.

 

@alketastefaniacaca@

              Melbourne

 

 

SHI I VESHUR ME TË KUQ

 

Shiu po bie si petale të kuqe serdeni,

rrotullohet rreth qafës sime si gjerdan,

nis kërkoj me mendje dëshirën e humbur.

 

Për shiun asgjë s’është e pamundur.

 

Pikat e tij nuk janë gënjeshtare,

më çojnë, pa u ndjerë, në rrugicën tënde,

e gjeta atë të fshehur nën gjethen e pjergullës.

 

Mendje, mos iu dorëzo, mjegullës.

 

Shiu po bie i tëri sot,

si kafshime të vogla mbi drithërima lëndinore,

puthjet i dogji nën shqisa të rrjepura.

 

Ah, ju dëshira të djegura!…

 

Shiu po bie i ngopur sot,

topitet nën flluska torturuese,

i veshur me petale të kuqe serdeni.

 

Në se më kërkoni

tek shiu do më gjeni…

 

A.S.C

          Melbourne

 

 

LUAJ  ME  FOTOT  E  TUA

 

Nganjëherë i fsheh fotot e tua,

prapa librave të harruar në qilar,

poshtë çentrove të vajzërisë,

ku kisha qendisur sytë që i dua.

 

Nganjëherë i nxjerr fotot e tua,

sipër oxhakut kur vjeshta zverdhet,

i gozhdoj në murin blu,

për të mbuluar suvanë e rënë.

 

Nganjëherë i fsheh fotot e tua,

poshtë trokut të një kali,

nën trokitjen e tëmthave,

poshtë buzëve tetëmbëdhjetë vjeçare.

 

Nganjëherë i nxjerr fotot e tua,

mbi rrudhat e zellshme,

mbi trëndafilin që rri i ngrysur,

mbi vdekjen e rolit që më fale.

 

Nganjëherë i fsheh fotot e tua,

nën disqet vezulluese të Cohen,

mbi vetminë e kurdisur,

nën shegën që frymon prej shiut.

 

A.S.C

Melbourne

 

 

  ATI YNË, PSE NA KE BRAKTISUR?

 

Nuk dua të luftoj me ty Zoti im,

bota ka ngelur pa mëngjes,

nata mban peng yjet,

sy të dehur gromësijnë në kazane plehrash,

shitësin e luleve po e dëbojnë nga qyteti,

miza si vampire pështyjnë vagina qorre,

mbi plagë qensh ulet urrejtja e lotit.

 

Zoti im,

bota ka ngelur pa nerv, pa muskul,

ujqërit shëtisin serbes në piaca dëshmish,

pirgje me kocka thatanike zihen me gurë,

prifti dhe një hoxhë i moçëm

mbajnë shenim emrat e vdekjes,

qielli nga lart vajton psalmet e shenjtërve.

 

Zoti im,

Kurvëria dendet me mish e raki,

kamja e mullirit bluan pantallona burrash,

korbat ngushëllojne kamxhikët e lodhur,

nuk gjendet balsam për jetën që dergjet,

turma të kërrusura presin lindjen e diellit.

 

Zoti im,

nuk mundem të luftoj me ty,

bota po zhegërlitet nga pabesia,

po zbres poshtë,

shumë poshtë tokës së errët,

të pres Zotin e fjalës,

për 7 ditë Zotin e zjarrit.

 

A.S.C

          Melbourne

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s