Musine Kokalari, jeta si myslimane në kryeqytetin e krishtërimit

Tirane Korrik 1946.Gjyqi i Sami Qeribashit.Muzine Kokalari perpara trupit gjykues.Foto:Atsh

Musine Kokalari 

 

Musine Kokalari, jeta si myslimane në kryeqytetin e krishtërimit

http://www.gazetaexpress.com/arte/musine-kokalari-jeta-si-myslimane-ne-kryeqytetin-e-krishterimit-17844/?archive=1

 

Antropologu Mauro Geraci boton në Itali “La mia vita universitaria”, ditari ku Musine Kokalari rrëfen miqësitë e ngrohta të krijuara në vitet universitare romane, por edhe përjashtimin që ka përjetuar si myslimane në kryeqytetin e krishterimit

Mauro Geraci erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 2002. Si antropolog, dukuria që i tërhoqi vëmendjen ishte moria e botimeve letrare. “Shumë botues, shkrimtarë poetë, studiues, panaire libri, nisma….Shqipëria është një vend, më thoshte Visar Zhiti, me tre milionë banorë dhe katër milionë shkrimtarë. Si antropolog kulturor iu kushtova menjëherë këtij fenomeni të madh letrar, në një studim që vetëm tani, pas më shumë se 10 vitesh kërkimi dhe ndjekjeje të mjediseve intelektuale shqiptare, është duke dalë në Itali”.

I rikthyer në Shqipëri, Mauro Geraci e kujton kështu takimin e parë me botën letrare në vendin fqinj me vendin e tij Italinë. Këtu ‘e prezantuan’ për herë të parë edhe me Musine Kokalarin. Ishte sërish miku i tij, poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti, që i foli për shkrimtaren dhe kalvarin e vuajtjeve të saj në Shqipëri, pas kthimit nga studimet në Romë.

Ai dhe e nxiti të studionte shkrimtaren, për të cilën kishte lexuar vetëm në historitë e letërsisë. Me botimin së fundmi në Itali të librit “La mia vita universitaria” nis dhe bashkudhëtimi i tij me Musine Kokalarin. Siç shpjegon zoti Geraci, ky është një punim kritik mbi ditarin roman të Musine Kokalarit, për të cilin kanë bashkëpunuar shkrimtarët Novruz Shehu dhe Visar Zhiti dhe arkivistja e Arkivit të Shtetit në Romë, Simonetta Ceglie. Kjo e fundit ka bërë transkriptimin e dorëshkrimit origjinal të ditarit të Musine Kokalarit, me ndërhyrjet, korrektimet, fshirjet dhe mendimet e shtuara prej saj në letër. “Sfida është pikërisht kjo: të nxjerrësh në pah në një studim tërësinë e aspekteve të shumëfishta historike, memuaristike, psikologjike, antropologjike, letrare, sentimentale që e bëjnë interesant tekstin autobiografik të Kokalarit”, – thotë në intervistën e tij për MAPO-n antropologu italian Mauro Geraci, i cili është ende duke punuar për të rigjetur çdo gjurmë që shkrimtarja ka lënë në Romë gjatë viteve të studimit.

Zoti Geraci, ju keni në proces botimi ditarin që Musine Kokalari mbajti gjatë viteve të studimit në “La Sapienza”. Përse mendoni se ky botim i duhet lexuesit italian?

Për lexuesit italianë “La mia vita universitaria”, autobiografia e shkruar nga Musine Kokalari mes viteve 1937 dhe 1941, kur studionte në Fakultetin e Letrave në Universitetin “La Sapienza” në Romë, mund të përfaqësojë një rast për të njohur më mirë vetveten dhe të shkuarën tonë, duke e parë “nga një lloj largësie”, siç do të thoshte Bertol Brecht. Në këtë ditar shkrimtarja përshkruan gëzimin por edhe vështirësitë e mëdha që ka përjetuar gjatë viteve romane; entuziazmin e jashtëzakonshëm të një vajze të re që ka mundësinë të studiojë në Romë, por edhe dramën e të gjendurit vetëm, e përhumbur në një metropol në shumë aspekte të huaj për të, siç ishte Roma gjatë fashizmit. Për lexuesit italianë, kjo autobiografi është e rëndësishme sepse në të gjejmë Italinë fashiste të përshkruar përmes këndvështrimit të një studenteje dhe poeteje shqiptare antifashiste; shqiptare por edhe italiane, duke qenë se në ato vite Italia e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë.

Musineja rrëfen miqësitë e ngrohta të krijuara në vitet universitare romane, por edhe përjashtimin që ka përjetuar si myslimane në kryeqytetin e krishterimit. Bëhet fjalë për një dokument autobiografik me një rëndësi të jashtëzakonshme në pikëpamjet historiko-antropologjike dhe poetiko-letrare.

doreshkrimi-i-musine-kokalarit-1

Çfarë ju ka nxitur për ta botuar këtë ditar?

Qyshkur në vitin 2002 vura këmbë për herë të parë në Shqipëri, më bëri përshtypje dukuria e madhe botuese dhe letrare ende sot e pranishme në vend: shumë botues, shkrimtarë, poetë, studiues, panaire libri, nisma…“Shqipëria është një vend, më thoshte Visar Zhiti, me tre milionë banorë dhe katër milionë shkrimtarë”. Si antropolog kulturor iu kushtova menjëherë këtij fenomeni të madh letrar, në një studim që vetëm tani, pas më shumë se 10 vitesh kërkimi dhe ndjekjeje të mjediseve intelektuale shqiptare, është duke dalë në Itali. Porse një ditë, pikërisht miku im dhe poeti i madh Visar Zhiti, që e kisha njohur tashmë qysh në Romë, në Ambasadën shqiptare, më nxiti ta studioja mirë Musine Kokalarin, shkrimtaren për të cilën kisha lexuar vetëm në historitë e letërsisë. Më tha: “Ti duhet ta njohësh mirë Musine Kokalarin… ka qenë shkrimtare e madhe por edhe studiuese e folklorit narrativ shqiptar. Pastaj u përndoq në mënyrë të tmerrshme nga regjimi komunist…ka një histori të jashtëzakonshme për Italinë dhe për Shqipërinë… duhet patjetër ta studiosh La mia vita universitaria, ditarin që Musineja e ka shkruar në italisht për ta botuar në Itali, por që nuk doli kurrë”. Pastaj Visari më njohu me Novruz Shehun (studiues që në vitin 2009 kishte botuar veprën e plotë të shkrimtares në shqip), Nevila Nikën, asokohe drejtoreshë e Arkivit të Shtetit në Tiranë, që më ndihmoi shumë me kërkimet si dhe më njohu edhe me të afërmit e shkrimtares, të cilët dua t’i falënderoj këtu për mirësjelljen dhe gatishmërinë që kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë për mua.

Cilat ishin sfidat më të mëdha për ju gjatë procesit të punës suaj?

Në këtë punim kritik të ditarit-roman të Musine Kokalarit, veç meje marrin pjesë Novruz Shehu dhe Visar Zhiti, por edhe Simonetta Ceglie, arkiviste në Arkivin e Shtetit në Romë, e cila ka bërë transkriptimin jashtëzakonisht të vështirë të dorëshkrimit origjinal, plot me ndërhyrje, korrektime, fshirje, mendime të shtuara. Sfida është pikërisht kjo: të nxjerrësh në pah në një studim tërësinë e aspekteve të shumëfishta historike, memuaristike, psikologjike, antropologjike, letrare, sentimentale, që e bëjnë interesant tekstin autobiografik të Kokalarit.

Përpos portretit dhe staturës intelektuale të Musine Kokalarit, a keni bërë hulumtime të tjera për jetën e saj në Itali?

Sigurisht! Jemi ende duke punuar për të rigjetur çdo gjurmë të lënë nga shkrimtarja në Romë gjatë viteve të studimit: kemi gjurmuar shumë dokumente shkollore, shtëpinë ku ka banuar, vendet ku shkonte, librat që ka lexuar, revistat e studentëve italianë me të cilat bashkëpunonte; ka ende shumë gjëra për të bërë, por puna në tërësi është gati tashmë.

Ju keni qenë edhe në Shqipëri, keni takuar njerëz që e kanë njohur atë, keni udhëtuar edhe në Rrëshen, qyteti ku u nda nga jeta Musine Kokalari. Cili ka qenë roli juaj hulumtues?

Po, pasi u diplomua në Romë me notën maksimale me një tezë shumë të bukur për Naim Frashërin, Musine Kokalari u kthye në Shqipëri, por entuziazmi me të cilin kishte ndërmend t’u vilte frytet studimeve të saj në një rrugëtim të ndritshëm intelektual u bë copash. Në vitin ’44, dy vëllezërit e saj shumë të kulturuar, Vesim e Mumtaz, u vranë në masakrën e njohur të “Hotel Bristolit”. Për antistalinizmin e saj edhe Musineja u gjykua ashpërsisht nga regjimi komunist që ndërkaq ishte vendosur në Shqipëri. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Rrëshen, në Mirditë, ku e dëbuan pas viteve të burgut…Unë shkova atje sepse veç Romës ku ajo bëri studimet, doja të shija vendet ku qe e detyruar ta çonte jetën, rrugët, sheshin, parkun ku ulej për të lexuar dhe medituar në heshtje, vendin ku ka qenë shtëpiza e saj shumë e varfër, që sot nuk ekziston më…

Si do ta përshkruanit ju studenten Musine Kokalari?

Në distancën e 70 viteve, unë kam pasur fatin të studioj dhe diplomohem në të njëjtin Fakultet të Letrave që ka ndjekur dhe përshkruar Musineja. Ky fakt më emocionon shumë sepse në ditarin e saj kam gjetur të njëjtat dhoma, të njëjtat korridore, të njëjtat frikëra, të njëjtat shpresa që edhe unë i kam përjetuar aty, në të njëjtin qytet universitar, ku ka jetuar Musineja. Nga shkrimi i saj Musineja duket një studente skrupuloze, shumë e përgatitur, e hapur ndaj nxitjeve që merrte prej leksioneve që ndiqte…Një studente shumë e ëmbël dhe ndjeshme, kaq e vendosur dhe e kthjellët në konceptimin e përmbajtjes politike të studimeve të saj që donte t’i vinte në dispozicion të ndërtimit të një Shqipërie demokratike, por që për fat të keq, nuk qe kështu.

Cilat mendoni se kanë qenë elementet thelbësore që e bëjnë Musine Kokalarin një personalitet edhe në Itali?

Në hallakatjen e përgjithshme, në mosdijen, në nxitimin sikurse edhe në hendekun që tashmë në Itali prej kohësh është krijuar mes jetës së qytetarëve dhe sferës politike që po thellohet gjithnjë e më shumë dhe bëhet qëllim në vetvete, personaliteti i Musine Kokalarit shpresoj të shërbejë, përmes punës sonë, për rigjetjen pikërisht të atij përcaktimi të dashur për dijen, njohuritë, aftësinë për të dëgjuar, që, pak a shumë siç thoshin filozofët që nga Greqia e lashtë, është mjeti kryesor i politikës si shërbim publik për të gjithë komunitetin dhe mirëqenien e tij.

 

(Përktheu: Arta Marku)

 

Letrat

“Jeta ime universitare” është një libër autobiografik, historik, etnografik dhe filozofik, i shkruar nga Musine Kokalari në vitet 1940-1942 në Romë, kur ishte në vitin e fundit të studimeve. Ditari u shkrua në italisht. Kokalari përshkruan në të momentet më të rëndësishme të jetës studentore. Libri është një përvojë e rrëfyer nga vetë Kokalari me detaje, përjetime, ngjarje deri dhe mbi dashurinë për një djalë.

 

Letra nga Shqipëria

E dashur Musine, 

Pardje mora letrën tënde, i mësuam sa më shkruan. Vetëm ti nuk na vë në korrent për të gjitha. A ia ke paguar pensionin zonjës Tomassini dhe gjer në ç’ditë? Na lajmëro menjëherë në qoftë se të duhen të holla, në rast se nuk ke marrë gjysëm burse akoma. Aty ka ardhur z. Vila, shko në legatë dhe e vizito se, më tha Hamiti, nuk do të qëndrojë shumë kohë. Me mësime si vete? Dje mbrëma më tha edhe z. Roço se dëshironte të dinte si vete me mësime. As mua nuk më ke shkruar gjë në letër, jam kurioz, të di si e ke punën. Po deshe më shkruaj gjërë e gjatë, po deshe ndërro pak dorën, është e pamundur të këndoj shkrimin tënd. Këndej jemi të gjithë mirë. Hektori mëson mirë dhe veçan në arithmetikë. Shkruan shumë më qartë se halla e tij. Fejzia me Lolën mund të kthehen pas 10-12 ditësh, pse këtë radhë Hektori është i malluar shumë. Babait i ka mbetur pak hatëri që nuk i ke shkruar asnjë letër; ka të drejtë se të ka bërë kokën aqë. Më shkruaj kur janë provimet dhe kur parashikon të kthehesh? Anea, babai, Muntazi, Hamiti, Hektori, Milja e Hamit Seferi të përshëndesin. I jap fund letrës duke të përqafuar me mall”.

Yt vëlla

 

Vesimi

E dashur Musine, 

Sa për këngë dhe për zakone që më thua të të shkruaj, unë ato që dija t’i thaçë, nuk di të tjera po Lumo Skëndua të ka dërguar një fletore me këngë, më duken se të gjitha t’i kam thënë unë, po midis tyre janë edhe disa që nuk t’i kam thënë unë. Musine të të them se Lola ngordhi për ti dhe nuk e di si do të durojë gjersa të bish ti. Të jeç e sigurt se gushën nuk ia ka puthur njeri qëkurse ke ikur ti. Këtë besë t’ia mbajë gruaja burrit që ta mban ajo ti. Tani ka ca ditë që të sheh në gjumë dhe që në mëngjes më thotë se vajta në Romë me Musinenë, po nuk di t’i shpjegojë mirë fjalët. Pardje ka qarë dy orë se i tha Muntazi që do të vete në Romë, dhe kjo u ormis me këpucë sheshela dhe doli te porta, na la shëndetin dhe i tregoi udhën Muntazit. Kjo është udha e Romës dhe gjithë qaj se do vente të Musineja dhe te Hamiti, por kur e ktheu brenda ja nisi jongarit. Dje u zu me Anenë dhe i tha nuk të dua, po ajo i thosh se nuk ta jap se është e imja, më në fund u pajtuan se nuk e ndajnë dot Musinenë dhe u puthnë. Musine, kur të shihemi kam për të thënë shumë lajme.

Të puth Fejzua

 

E dashur Musine, 

Të puth e të përqafoj me shumë mall. Letrën tënde të dashur e mora. Përse më shkruan që të mësoj e t’i bindem mamasë? Mos e kij mëndjen tek mua, se me mësime vete mirë edhe me Lolën nuk zihemi kurrë po lozim të di bashkë në oborr. Musinea, mua dhe Lolën na ka marrë malli shumë për ti, çdo ditë të kemi në gojë dhe numërojmë ditët sa të na viç në shtëpi. Aneja me mamanë të puthin me mall. E përfundoj me dashuri.

Nipi tënd i dashur Hektor.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s