Epiriotët, shqiptarët e lashtësisë, ilirët që nuk u greqizuan / Nga: Theodor Mommsen

 

Epiriotët, shqiptarët e lashtësisë, ilirët që nuk u greqizuan

 

f-2

Nga: Theodor Mommsen

Termi ‘barbar’ nuk ndeshet në poemat e Homerit ku del vetëm termi barbarofon ( βαρβαροφώνων), që Homeri 2 e përdor për karianët, aleatët e trojanëve, që flisnin një gjuhë luviane të grupit anatolik perëndimor

 

Në këtë shkrim shqyrtohen shkurtimisht burimet që lidhen me përkatësinë etnike të epirotëve të lashtë, të cilët Teodor Mommsen-i, historiani më i madh i kohës së tij, në veprën ende të patejkaluar “Histori e Romës” (Römische Geschichte) i quante epirotët “shqiptarët e lashtësisë” (die Albanesen des Alterthums)1.

 

Epirotët nuk ishin grekë

Thuajse të gjithë autorët e lashtë grekë i kanë konsideruar epirotët popull barbar, ashtu siç kanë konsideruar edhe fqinjët e tjerë të tyre trakë, ilirë, ose dhe më tej, trojanët, fenikasit, persët, egjiptianët, etj.

Në këtë mënyrë, ata quanin barbar çdo grup etnik jogrek, pavarësisht nga niveli i kulturës ose shkalla e organizimit shoqëror të tyre. Ky fakt kërkon që fillimisht të bëjmë të qartë se ç’kuptonin grekët e lashtë me fjalën barbar.

Termi ‘barbar’ nuk ndeshet në poemat e Homerit ku del vetëm termi barbarofon ( βαρβαροφώνων), që Homeri 2 e përdor për karianët, aleatët e trojanëve, që flisnin një gjuhë luviane të grupit anatolik perëndimor.

Ndërsa për romakun barbari ishte i aftë për tu akulturuar, për grekun nuk ishte. Fjala barbar hyri në përdorim në greqishten e lashtë, pas luftrave Greko-Persiane, të cilat, duke forcuar unitetin e fiseve të ndryshme greke, bënë që ata të ndjejnë e të theksonin më shumë ndryshimin midis vetes dhe të huajve.

Ky ishte një term onomatopeik që theksonte faktin që ata ishin të huaj dhe flisnin një gjuhë të pakuptueshme për grekët. Një grek etnik në lashtësi, po të ishte i pagdhëndur e i pakulturuar për grekët e tjerë ishte  një ksenos (ξένος), d.m.th. i huaj3, që sidoqoftë ishte superior ndaj barbarit, që gjithënjë ishte i huaj.

Tukididi nga shekulli V p.e.s. na informon se, në kohën e tij, fise të veçanta, madje në jug të Epirit, në Etolinë greke, si fisi i madh i euritanëve flisnin ende një gjuhë të huaj, në shprehjen e tij, një gjuhë fare të pakuptueshme ( ἀγνωστότατοι δὲ γλῶσσαν)

4 . Lidhur me fisin periferik epirot të amfilokëve, ai na  thotë, pa dykuptimësi, se pjesa e fisit epirot që kufizohej me ambrakiotët grekë dhe u lidh me ta mësoi greqisht, duke na lënë të kuptojmë se më parë ata flisnin një gjuhë të tyre kurse pjesa që nuk u bashkua me ambrakiotët mbeti barbare, duke vërtetuar edhe një herë konceptin grek se kush nuk fliste/mësonte greqisht ishte/mbetej barbar.

Në mbështetje të pohimi të Tukididit vjen edhe një njoftim i gjeografit grek të lashtësisë, Skimnosit të Kiosit nga shekulli II p.e.s., i cili, duke folur për amfilokët, që në kohën e tij flisnin greqisht, thotë se mbi ta jetonin barbarë epirotë5.

Edhe Diodor Sikulusi në shekullin I p.e.s. tregon se në botën greke epirotët nuk njiheshin si grekë. Ai ankohet se kur Themistokliu u aratis në Mollosi u mor në mbrojtje nga mbreti mollos Admet, megjithë « tradhëtinë dhe dëmet që i kishte shkaktuar tërë botës greke” (ἀποκαλοῦντες προδότην καὶ λυμεῶνα τῆς ὅλης Ἑλλάδος)6, duke përjashtuar kështu Mollosinë epirote nga bota greke. Edhe kur ai thotë se po ta mbanin në Mollosi Themistokliun “të gjithë grekët do të nisnin luftë” kundër mbretit epirot, lë të kuptohet qartazi se epirotët nuk ishin grekë.

Straboni gjithashtu nuk lë të dyshohet se epirotët, po ashtu si dhe ilirët dhe trakët, ishin fqinjë të grekëve e jo grekë, kur thotë: “Edhe sot akoma, trakët, ilirët dhe epirotët rrojnë në kufi të Greqisë” (οἱ δὲ Θρᾷκες καὶ Ἰλλυριοὶ καὶ Ἠπειρῶται καὶ μέχρι νῦν ἐν πλευραῖς εἰσιν: ἔτι μέντοι μᾶλλον πρότερον ἢ νῦν, ὅπου γε καὶ τῆς ἐν τῷ παρόντι Ἑλλάδος) 7.

Por më parë, në shekullin V, p.e.s., Herodoti, shkruante se mollosët, ishin me prejardhje greke. Besnik i metodës se tij mitologjiko-historike, ai e mbështeste këtë opinion në gjenealogjinë mitike të familjes mbretërore mollose dhe në një thënie se një mollos, i quajtur Alcon, ishte midis atyre që kërkonin dorën e vajzës së Kleistenit8.

Përpjekje janë bërë edhe për të paraqitur si grek orakullin e Dodonës.  Por autori i parë grek, Homeri, këtë orakull e quan shkoqur pellazg e jo grek.

Një shekull pas tij, edhe Hesiodi e quan lisin e orakullit si “vendin ku rrinin pellazgët” dhe Efori bashkëkohës i Herodotit, në shekullin V p.e.s. na thotë se orakulli i Dodonës ishte themeluar nga pellazgët”9.

Historiani britanik N.G.L. Hammond ka treguar se fillimisht orakulli vizitohej nga fiset veriore, d.m.th., ilire dhe epirote, dhe vetëm nga shekulli VII p.e.s. nga grekët. Edhe ata që banonin rreth tempullit të Dodonës ishin barbarë, thotë Straboni, duke u mbështetur te Homeri dhe, sipas Herodotit priftëreshat e atyshme flisnin një gjuhë të huaj (ἐβαρβάριζε) 10, 11, 12.

Dëshminë më shtrënguese dhe të pakundërshtueshme të identitetit jogrek të epirotëve, faktin që grekët ngritën koloni në Epir, unë po e përmënd të fundit jo pa qëllim: ajo dëshmi, në vetevete, do ta bënte të tepërt paraqitjen e argumenteve   të mësipërme.

Ne njohim tre koloni të rëndësishme greke (dorike), të  themeluara në  bregdetin e Epirit: kolonia  greke e Ambrakisë  (Ἀμπρακία) e themeluar në shekullin VII p.e.s., mbi një vëndbanim epirot të shekullit IX p.e.s., Butrinti (Bouthrotos) – i themeluar rreth vitit 600 nga kolonistë prej ujdhesës përballë të Korfuzit mbi një vëndbanim të mëparshëm epirot dhe kolonia e Orikumit (Oricum) në gjirin e Vlorës, themeluar po rreth vitit 600 p.e.s. nga korinthianët. Veç këtyre njihen edhe të paktën 4 koloni të vogla greke në territorin e në nënfisit thesprot të  kasopëve.

Edhe me anën e një silogjizmi të thjeshtë, çdo njeri, e jo vetem historiani, mund të arrijë në përfundimin se themelimi i kolonive greke në Epir, në vetvete, pa sjellë prova të tjera, mjafton për të vërtetuar se epirotët nuk ishin grekë. Sepse grekët, si dhe çdo popull që ka ngritur koloni, i themelonin ato në vënde të huaj e jo në vendin e tyre.

Megjithatë, fakti që epirotët nuk ishin grekë, në vetvete, nuk provon se ata ishin ilirë e madje as se nuk mund të jenë helenizuar më vonë. Kjo kërkon që tu jepet një përgjigje edhe spekullimeve se ata mund të mos kenë qënë grekë fillimisht, por mund të jenë helenizuar  dikur në lashtësi.

 

Epirotët nuk u helenizuan në  Lashtësi

’Helenizimi’ është një koncept tepër i papërshtatshem, që ka hyrë për të përcaktuar ndikimin grek në kulturat dhe jetën e popujve të tjerë. Autorë të ndryshëm me këtë term shpesh kuptojnë gjëra të ndryshme.

Koncepti i sotëm i ’helenizimit’ nuk e shikon më atë si një ndikim të njëanshem të kulturës greke mbi të tjerat, por më shumë si një ndërveprim të kulturës greke me kulturat vëndase në të cilin këto të fundit janë vendimtare në procesin e seleksionimit dhe përshtatjes së elementëve kulturorë që  përvetësohen13.

Epërsia e njohur kulturore greke bënte të mundur që mënyra e jetesës, zakonet, arti, organizimi shoqëror dhe urbanizimi i vëndeve në të cilat u ngritën këto koloni gjatë tërë  bregdetit të Mesdheut e madje edhe në brigjet e detit të Zi, të  ndikonin në shkallë të  ndryshme në atë proces që sot njihet nën konceptin relativ, të papërcaktuar mirë e të papranuar me bashkëkuptim, të ‘helenizimit’ të popujve dhe vendeve të tjera.

Në qoftë se me helenizim do të kuptohej vetëm ky ndikim kulturor grek në Epir si tjetërkund në Europën mesdhetare, Lindjen e Afërme dhe Afrikën e Veriut, atëhere  ky  ka ndodhur edhe në Epir.

Duke besuar se epirotët u helenizuan dikur në Lashtësi, studiuesit britanikë të Epirit, G. N. Cross14 dhe N.G.L. Hammond, automatikisht kanë pranuar prejardhjen jo greke të tyre. Hammond mendon se zbulimi i mbishkrimeve greqisht të shekullit  IV p.e.s. në Epir përbën një provë të helenizimit të epirotëve.

Ky argument i Hammondit, bie nën peshën e rëndë të fakteve të shumta se mbishkrimet greke të gjetura në shumë vende të Europes, nga Spanja deri në Rusi, si dhe të Azisë e Afrikës, nuk kanë sjellë as helenizimin as humbjen e identitetit etnik të popujve të atyre vendeve.

Futja e greqishtes në dokumente epirote të shekullit IV ( 370/368) p.e.s., gjithashtu nuk është e papritur edhe përdorimi i saj nga ndonjë mbret apo elita mollose për punë prestigji dhe komunikimi, ishte kushtëzuar jo vetëm nga fakti që në atë shekull, madje dhe shekuj më vonë, greqishtja ishte gjuhë e shkrimit, por ajo ishte pjesë e pandashme e projektit të dinastisë aiakide për të ruajtur lidhjet me Athinën dhe për të  rrënjosur në opinion prejardhjen mitike hyjnore të tyre, si element i rëndësishëm legjitimitetit të pretenduar të saj për të sunduar në Epir.

Më vonë edhe latinishtja u bë lingua franca dhe gjuha e Kishës në shumicën e vëndeve  të Europës perëndimore  për shekuj me radhë; Koperniku dhe Newton-i  i shkruan veprat e tyre latinisht dhe Lajbnici shkroi edhe frengjisht, por kjo nuk preku identitetet etnike të tyre   respektivisht gjermano-polake, angleze dhe gjermane të tyre.

Do të ishte gabim të mendohej se ndikimi kulturor grek preku identitetin etnik të epirotëve, deri sa nuk ka të dhëna se ky ndikim shpuri në humbjen e gjuhës së tyre, prishjen e raporteve etnologjike te popullsisë, që mund të vinin nga ardhja e popullsive greke, humbjen e besimit dhe të organizimit të tyre fisnor dhe shtetëror. Siç do të shohim më tej, epirotët duket se i kanë ruajtur tërë ata elementë thelbësorë të identitetit të tyre etnik edhe përballë dhe kaq afër presionit kulturor grek.

Përsa i përket gjuhës, deri më sot askush nuk ka sjellë të dhëna nga burimet e lashta se epirotët ‘barbarë’ e humbën gjuhën e tyre dhe filluan të flasin greqisht; askush nuk ka sjellë të dhëna se arbrit/shqiptarët janë ardhës në Epir e, rrjedhimisht, epirotishtja/ilirishtja nuk është paraardhëse e shqipes.

Në pjesën e tretë të këtij shkrimi do të sillen të dhëna që tregojne se epirotët e lashtë kanë folur këtë paraardhëse të shqipes.

Për qëllimin e këtij shkrimi është e nevojshme të bëhet një dallim i qartë midis ‘helenizimit’ kulturor, dhe ‘helenizimit’ etnik. I pari do të kuptohet si ndikim i kulturës dhe artit grek në kulturën dhe artin e epirotëve, ashtu si dhe të latinëve dhe popujve të tjerë të lashtë ballkanikë si trakët, maqedonasit ose dhe dhe popujt e Lindjes së Afërme.

Me ‘helenizim etnik’  do të kuptohet ai proces historik qe shpie në humbjen e vetëdijes etnike, gjuhës, mënyrës së organizimit shoqëror, që duket se ka ndodhur në Maqedoninë e lashtë, pas vdekjes së Aleksandrit të madh, por edhe në Etoli dhe rajone të tjera të Greqisë që autorët e lashtë grekë na thonë se ishin banuar më parë nga fise jo greke7.

Në  fillim le të shohim në se ‘helenizimi’ i Epirit preku strukturën sociale dhe organizimin e shoqërisë epirote në kolonitë greke në bregdetin e Epirit, në zonat rreth tyre dhe në tërë Epirin. Tablloja që po ravijëzohet, sidomos vitet e fundit, nuk përputhet aspak më atë që do të pritej po të qe se Epiri ishte helenizuar etnikisht.

Sot ka të dhëna bindëse se epirotët e ruajtën organizimin e tyre fisnor, që ishte fare i ndryshëm nga ai i qyteteve-shtete (poliseve) të Greqisë. Për këtë dëshmon jo vetëm fakti që Straboni beson se në kohën e tij në Epir ekzistonin ende 14 fise dhe në tërësi në epokën klasike njiheshin 36 fise epirote 15.

Të dhënat më të reja nga mbishkrimet e Butrintit, që përfshijnë dekrete të Lidhjes Kaone dhe Prasaibe, si dhe mbishkrimet për lirimin e skllevërve, tregojnë sa të nxituara kanë qënë hamëndjet se epirotët e lashtë u ‘helenizuan’ dikur në Lashtësi.

Nga ato mbishkrime të shekulllit IV p.e.s., del se njësia më e vogel e organizimit të fisit të prasaibëve në Kaoni ka qënë klani ose subetnia  një komunitet prej 200-500 njerëzish 16. Bashkësia (koinoni) i prasaibëve në atë kohë përbëhej nga 90 klane dhe bashkësi klanesh.

f-1
Daubner mendon se kjo ruajtje e habitshme e strukturës fisnore në Epirin e periudhës helenistike tregon se si studiuesit e Lashtësisë, në të vërtetë janë marrë me aspekte të kulturës elitare, ndërkohë që mendonin se ajo ishte kultura e popullit epirot. Ai arrin në përfundimin e drejtë por tronditës për një opinion mbizotërues se në epokën helenistike ka ndodhure helenizimi i Epirit. Nje helenizim i tillë, këmbëngul me bindje ai,  “nuk ka ndodhur kurrsesi” 17.Fakti që prasaibët kaonë, që kishin si kryeqendër Butrintin, një koloni greke, që ishin më të ekspozuar ndaj forcave helenizuese, të shtyn arsyeshëm të mendosh se në rajonet e tjera larg kolonive bregdetare greke të Epirit, struktura shoqërore   e trashëguar epirote duhet të ketë mbetur akoma më e paprekur nga  ‘helenizimi’ dhe urbanizimi helenistik.Edhe në organizimin shtetëror, Epiri kishte ndryshime me botën greke: mollosët qeveriseshin nga një mbret kurse tesprotët dhe kaonët ishin shoqërira pa mbret (abasileutoi).  Në ditën e inaugurimit, mbreti epirot betohej para popullit se do të qeveriste në bazë të ligjit dokësor dhe populli betohej të zbatonte atë ligj 18. Duke u mbështetur edhe në mbishkrimet e Butrintit, Daubner ka arritur në përfundimin se edhe nga forma e organizimit të shtetit Greqia dhe Epiri (kaonët) ndryshonin në mënyrë rrënjësore19. Është theksuar se edhe mollosët, të cilët kanë pasur lidhjet më të ngushta me Athinën nga çdo fis epirot, ”ishin shumë larg nga një demokraci pjesëmarrëse e modelit të Athinës ose Argosit” (“”ëere noëhere  near being a participatory democracy on an Athenian or an Argive model”)20.Deri sot, askush nuk ka paraqitur ndonjë të dhënë të besueshme nga burimet e lashta greke e romake ose nga burime të tjera arkeologjike, etnografike, etj. që do të provonte se epirotët e lashtësisë humbën gjuhën e tyre. Prania e popullsisë autoktone shqiptare në Epirin e vjetër e në Epirin e Ri dhe mungesa e  çdo gjurme mërgimi shqiptarësh në Epir, provojnë të kundërtën.

Në burimët e lashta nuk ka të dhëna që të tregojnë në se masa e popullit epirot ka përvetësuar (adoptuar) perëndi greke ose deri në ç’shkallë mund të ketë aritur ‘helenizimi’ i panteonit epirot. Dhe këtu është rasti të kujtojmë se grekët vetë kanë përvetësuar një numër perëndish nga trakët (Dionisin dhe Aresin), nga Lindja e Afërme (Afërditën) dhe Egjipti dhe Herodoti na siguron se “Emrat e thuajse të gjitha perëndive në Greqi kanë ardhur nga Egjipti” 21. Por a do të thotë kjo se panteoni grek u egjiptianizua?
Sigurisht që  jo.

Ne kemi një fakt elokuent se panteoni i epirotëve në Lashtësi nuk u shua. Nga fjalori i leksikografit më të madh grek, Hesikut, ne mësojmë se ende në  shekullin IV, dmth pas 10 shekujsh trysnije ‘helenizuese’ nga kolonitë  greke të bregdetit jonian dhe të fqinjësisë akoma më  të gjatë me botën e kulturën greke, fisi epirot i timpejve vazhdonte të adhuronte atin e perëndive të tyre, Deiëa patyros (Δειπάτυρος – ϑεὺς παρὰ Τυμφαίοις) 22 dhe jo Zeusin, atin e perëndive greke. Mbijetesa e atit të perëndive epirote deri në shekullin IV-V të erës sonë në këtë fis të Epirit, madje edhe pas përhapjes së krishterimit, është një indikacion me peshë i mbijetesës së panteonit të trashëguar epirot.

 

Epirotët ishin ilirë

As fakti që epirotët nuk ishin grekë, as ai që ata nuk u helenizuan, në vetvete, nuk provojnë se ata ishin ilirë ose paraardhës të shqiptarëve të sotëm. Por ekzistojnë të dhëna historike, gjuhësore, mitologjike, dhe etnografike që tregojnë se epirotët janë, sic thoshte Mommsen-i, “shqiptarët e lashtësisë” 1.

 

Të dhëna gjuhësore
Fjalët e trashëguara epirote që njohim janë shpjeguar me anë të shqipes  e jo të ndonjë gjuhe tjetër
Numëri i fjalëve te trasheguara epirote që njohim është i vogël, por gjuhëtarët i kanë shpjeguar ato me anë të shqipes.

 

Disa nga këto fjalë jane:

aspetos  Kjo fjalë del te Plutarku kur ai tregon se aspetos (Ἄσπετος) quhej Akili në gjuhën e vendit (ἐπιχωρίῳ φωνῇ )23. Kjo fjalë është interpretuar edhe si një fjalë greke edhe me fjalën shqipe i shpejtë. Por, ka dy arsye që e bëjnë më të besuëshëm shpjegimin me fjalën shqipe i shpejtë. Së pari se në Iliada Homeri në dy vënde e mbiquan heroin “këmbëshpejtë” (πόδας ὠκὺς)24, 25 dhe, së dyti, se Plutarku na thotë shkoqur dhe thekson që me këtë  emër, aspetos, Akili quhej në “gjuhën e vëndit”.

barden  (βαρδἥν), τὸ βιάζεσϑαι γυναίκας Ἀμπρακιώται. ‘gruaja me barrë, ndër ambrakiotët’ thuhet në Fjalorin e Hesikut. Nga ilirishtja kjo fjalë ka hyrë në latinisht equa bardia ‘pelë mbratë’ dhe është trashëguar në shqipen ‘bratë, mbratë’, që, sipas V. Pisanit, ka dalë nga një ilirishte *bhordịō ‘bars mbars’ 26. Në greqisht Heisku e përkthen këtë fjalë biazesthai (βιάζεσϑαι).

daksa  (δάξα) e jep Hesiku 27 si një fjalë epirote. Është shpjeguar me fjalën shqipe det. Francesco Ribezzo (1875-1852) e krahasoi ate me ilirishten *dakti 28. Fjala greke për detin është thalasa (ϑάλασα). Në greqishten e lashtë deti quhet thalasa (ϑάλασα).

dramis  (δράμιξ) ‘bread’. Është lidhur me shqipen dromcë ‘thërrime’29 dhe me maqedonishten dramis (δραμις) ‘fetë buke’. Ka dalë nga proto-indo-europianishtja  *dhreu28.

gnosko  (γνώσκω) ne epirotisht kishte kuptimin njoh. Siç vuri re Paul Kretschmer, kësaj forme epirote i mungon dyfishimi karakteristik i greqishtes [ γιγνώσκω ( gignṓskō ) dhe γινώσκω ( ginṓskō) ‘njoh’]. Është e njëjtë me fjalën e trashëguar ilire * gnēskō 30 dhe me shqipen njoh, që ka dalë regullisht, në bazë të regullave fonetike të shqipes, përmes kalimeve sk>h dhe gn>nj.

manu  (μάνυ) ‘i, e vogël’ (μάνυ πικρόν ᾽Αθαμᾶνες) 31. Fjalë që  përdorej nga fisi epirot i atamanëve, prej së cilës rrjedh fjala shqipe mang ‘i vogli i një kafshe ose zogu’31, që, nga ana e saj,  e ka burimin në një rrënjë proto-indo-europiane *men ’i, e vogël’. Eqrem Çabej a ka konsideruar këtë fjalë si një konkordancë epirote-shqiptare31. Këtë fjalë epirote Hesiku e përkthen me greqishten pikron.

pelio/pelia  (πέλιος/πελία). Fjalë epirote për ‘plak/plakë’. Është trashëguar në shqipen plak/plakë dhe rrjedh nga ilirishtja *pelak 32. Lidhet dhe me maqedonishten e lashte pelia ‘old man’33. Në greqisht pleqtë quhen gerontes.

Pelagones  ishin pleqësia e epirotëve të cilën së pari von Hahn e lidhi me shqipen plak34, që është ruajtur në institucionin shqiptar “pleqësia e fshatit”. Rrjedh nga ilirishtja *pelak 35 .

 

Emrat  e njerëzve

Në mbishkrimet e gjetura në Epir dalin edhe emra njerëzish  me tingëllim ilir si  Admatos, Amyntas, Anna, Annyla, Appoitas, Dazus, Derdas, Menoitas, Pyrrhos, Sabyrtios, Sabylinthus (Σαβύλινθος). Emrin femëror ilir Bikerna e gjejmë si emër fshati Pikernes (sot Piqeras) në bregdetin e Epirit 36. Banorët shqiptarë të territoreve të Epirit përdorin ende një numër emrash të lashtë ilirë si Balil
Emrat e fiseve epirote

Një veçori unike e pa vënë re, ose e patheksuar sa duhet, që flet në të mirë të identitetit etnik ilir të epirotëve, është numëri i konsiderueshëm i emrave të fiseve epirotë që i gjejmë edhe si emra fisesh ilire. Numri i tyre është i atillë që nuk mund të shihet si një lojë e rastësisë, kur ngjashmëri të tilla me emrat e fiseve greke ose trake mungojnë. Disa prej këtyre fiseve ‘binjake’ iliro-epirote janë:
Autariatët  e Ilirisë qëndrore kanë ndajgjegjësin e tyre në autariatët thesprotë në Epir.

Amantëve  ilirë u përgjigjen amantët epirotë në Kaoni dhe amintët në Thesproti .
Atintanëve  ilirë  u përgjigjen atintanët epirotë në luginën Vjosë-Drino.
Enkelejve  ilirë u përgjigjen enkelejtë e Kaonisë në Epir.

Dasaretëve  ilirë u ndajgjegjen deksarojtë epirote.
Pleraejtë  ilirë në Dalmaci kanë ndajgjegjësin epirot në pleraejtë thesprotë (S. Bizantini).
Boii , një fis në në Ilirinë veriore e ka ndajgjegjësin në fisin Boioti të Epirit veri-lindor nga i cili,  ka të gjarë, rrjedh edhe emri i mesëm i despotit të Despotatit të Epirit, Gjin Bua Shpatës.

 

Emrat e vendeve

Emrat e vëndeve të Epirit të Ri e të Vjetër, në format e tyre të sotme, gjithashtu kanë evoluar në bazë të ligjeve fonetike të shqipes
Amonicë: Amantia37.
Arbëri (krahina e Labërisë): Albania/Arbania 38, 39, 40
Arta: Arachthos41.
Bual: Ombalion 42.
çam, Çamëri: Thyamis43.
Delvinë, Delvinë (Përmet), Delvinaq, Delvinaqopulos: *Delminium44.
Drino: *Drilon.
Gjashtë: Onchesmus45.
Konispol: *Konispolis (vëndbanim i kaonëve)
Nemërçka: Amyron46.

 

Të dhëna historike

Nuk njihet asnjë dokument autentik i lashtë ose mesjetar që të flasë për ndonjë emigrim shqiptarësh në Epirin e Ri ose të Vjetër. I vetmi dokument autentik për imigrim popullatash të huaja në Epir është imigrimi i popullsisë greke në fillim të shekullit XIII, si rrjedhim i keqtrajtimit, përndjekjes dhe masakrimit të tyre nga kryqtarët e Kryqëzatës së katërt47.

Nga shekulli XIV, në Perëndim, Epiri kishte filluar të njihej me emrin Albania. Kështu, në ndalesën që bëri në ujdhesën greke Leukas, nga fundi i atij shekulli, udhëtari italian Niccolo de Martoni pa brigjet e kontinentit që gjëndej përballë, disa kilometra në veri, dhe e quan Albania atë që njihej si Epir në Lashtësi48.

Fakti që ai përdor emrin Albania, dhe jo Greqi për Epirin, tregon pa dykuptimësi se ende në mesjeten e vonë, në shekullin XIV, Epiri vazhdonte të ishte nje territor shqiptar. Këtu duhet mbajtur parasysh edhe fakti që, në ate shekull, shqiptarët në Epir, kishin krijuar shtetet e tyre të pavarur me sundimtarë Gjin Bua Shpatën, Peter Loshën dhe Gjin Zenebishin.

 

Roli i shquar i gruas në Epir e Iliri bën kontrast me botën greke

Në qytet-shtetet (polis) e Greqisë së lashtë gruaja ishte në një pozitë inferiore shoqërore, me të drejta jo të plota, e mbyllur në jetën familjare dhe e privuar nga postet publike dhe shoqërore.
Në një pozitë pa krahasim më të lartë gjëndej gruaja në shoqërinë epirote. Kjo është pranuar përgjithësisht madje edhe nga autorë grekë49. Një shëmbëll tjetër i rolit dhe i të drejtave  të gruas epirote, është Olimpia, nëna e Aleksandrit të madh, e cila jo vetëm luajti një rol aktiv në mbretërinë dhe perandorinë maqedone, por pas vdekjes së vëllait të Aleksandrit të madh u bë regjente e nipit të saj Neoptolemit  II. Nga shoqëria ilire mund të përmëndet rasti i Teutës, që arriti, në mënyrë të pashëmbëllt në shekulin II p.e.s., të behet mbretëreshë e shtetit më të madh ilir në histori.

 

Lidhje mitologjike iliro-epirote

Ka një mit ilir që duket se flet për përkatësine etnike të epirotëve të lashtë. Në variantin e parë të mitit, që na jep Straboni, deti Jon e ka marrë këtë emër nga sunduesi i ujdhesës ilire Isa50. Në  variantin e Apianit, emri i qytetit Epidamnos vjen nga emri i mbretit ilir Epidamnos kurse deti Jon e ka marrë emrin nga Ionio, emri i vëllait të  mbretit ilir Dyrrakut (Dyrrhachium), nipit të Epidamnit.

Kur Dyrraku u sulmua nga disa prej vëllezërve të tij, ai u lidh me Herkulin, i cili pa dashur vrau Ionion, vëllanë e Dyrrakut, dhe e hodhi trupin e tij në det për ta quajtur detin, ashtu siç e njohim edhe sot, me emrin deti Jon51. Studiuesja sllovene Marjeta Šašel Kos, si dhe Radoslav Katičić dhe Mladen Nikolanc,  ka arritur në përfundimin: « të  dy versionet ruajnë një fragment të  mitologjisë  ilire…në të dy Joni është ilir…që  do të  thotë  se kolonistët greke adhuronin një hero vëndas.

Ka të  gjarë që ata ta kenë adoptuar (përshtatur) Jonin si një paraardhës mitik të tyre »52. Lidhja mitologjike e detit  Jon, që lag  Epirin, me mbretërit  ilirë Epidamn dhe Dyrrak mund të simbolizojë, në përfytyrimin e autorëve të lashtësisë, lidhjen etnike të epirotëve me ilirët.

Miti grek rreth gjarpërit që me Olimpian u bë ati i  Aleksandrit të madh vë në dukje kultin e gjarprit si symbol i pjellorisë dhe riprodhimit, funksion që ruhet në besimin popullor shqiptar. Kulti i gjarprit si symbol i mirësisë është akoma i gjallë ndër shqiptarët. Në Gjirokastër ekziston ende sot një kult i gjarprit, që njihet si ”vitorja e shtëpisë”, dhe  vrasja e saj besohet se ndjell fatkeqësi.

 

Etnografia e sotme e Epirit  i lidh ata  në mënyrë të dukshme me shqiptarët

Studiuesi erudit dhe enciklopedist Franz Baron Nopcsa ka treguar se fustanella ishte një veshje tipike burrash ndër ilirët dhe nga fillimi i shekullit XX ai e ka gjetur fustanellën në tërë trojet e Ballkanit ku kanë jetuar ilirë, duke përfshirë Epirin, Sërbinë, Slloveninë38, kurse në Greqi ajo mbahej vetëm nga shqiptarët e Greqisë ose, në ndonjë rast, nën  ndikimin e shqiptarëve.

Po kështu, kënga popullore polifonike karakteristike e Toskërisë është e përhapur saktësisht në territoret që përfshinte në Epir Straboni, nga rruga Egnatia (afërsisht lumi Shkumbin) deri në gjirin e Artës.
Të dhënat e parashtruara në këtë shkrim të shpien natyrshëm në përfundimin se, në Lashtësinë klasike, Epiri banohej nga një popullsi etnikisht e ndryshme nga grekët e lashtë, që i perkiste grupit etnik ilir.

 

Referencat

  1. Mommsen, T. (1881). Römische Geschichte: Bis zur Sclacht von Pynda. Ëeidmannsche Buchhandlung, Berlin, f. 387.
    2. Homer Iliad, II, 867.
    3. Cartledge, P. (2002). The Greeks: A Portrait of Self & Others, 2nd ed. (1993; Neë York: Oxford University Press, According to LeMoine, R. (2014). Philosophy and the Foreigner in Plato’s Dialogues. Dissert.
    4. Thucydides, The Peloponnesian Ëar, 3, 94, 5.
    5. Scymni Chii Periegesis et Dionysii Descriptio Graeciae.   Meineke  , Berlin, 1846, p. 102, v. 457.
    6. Diodorus Siculus, Library 11.56, 2.
    7. Strabo Geography, 7,7,1.
    8. Herodotus The Histories II, 127, 4).
    9. Strabo Geography 7, 7, 10.
    10. Strabo Geography 7, 7, 10.
    11. Herodotus The Histories II, 57, 1.
    12. Herodotus, Po aty,  57, 2.
    13. Mairs, R. (2012). Hellenization. In The Encyclopedia of Ancient History.  Red. R.S. Bagnall, K. Brodersen, C.B. Champion, A. Erskine dhe S.R. Huebner. Ëiley-Blackëell, Malden, MA- Oxford, pp. 1-4.
    14. Cross, G.N. (2015).  Epirus . Cambridge University Press, p. 2-4.
    15. Merleker K.F. (1841). Das Land und die Beëohner von Epeiros.  Jahresbericht über das königliche Friedrichskollegium,  Königsberg, f. 4.
    16. Daubner, F. (2014). Epirotische Identitäten nach der Königszeit. In Athen und/oder Alexandreia?: Aspekte von Identität und Ethnizität im hellenistischen Griechenland. Ed. K.  Freitag  and C. Michels, Böhlau Verlag Köln – Ëeimar,  99- 124, (f. 102).
    17. Daubner, F. (2014). Po aty, f. 114.
    18. Plutarch Pyrrhus. 5, 2.
    19. Daubner, F. (2014). Po aty, f. 119.
    20. Davies, J.K. (2002). A Ëholly Non-Aristotelian Universe: The Molossians as Ethnos, State, and Monarchy. In Alternatives to Athens…. p. 255.
    21. Herodotus The Histories. II, 50, 1 dhe 2.
    22. Hesychii Alexandrini Lexicon.
    23. Plutarch Pyrhus 1, 2.
    24. Homer, Iliad, 1.58.
    25. Homer, Iliad, 1.84.
    26. Çabej, E. (1976).  Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes  II. Tiranë, 1976, f. 173-174.
    27. Hesychii Alexandrini Lexicon.
    28. Orel, V. (1998). Albanian Etymological Dictionary. Brill, Leiden-Boston Köln.
    29. Çabej, E. (1976). Studime Gjuhësore  I. Rilindja, Prishtine, f. 142.
    30. Çabej, E. (2002). Studime Etimologjike ne Fushe te Shqipes VI. Tiranë, p. 106-107.
    31. Hesychii Alexandrini Lexicon.
    32. Çabej, E. (2014). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes V. Tiranë, f. 281.
    33. Blažek, V. (2005). Paleobalkanian Languages: Hellenic languages. Sborník Prací Filozofické Fakulty Brnĕnské Univerzity. N 10, 15-33.
    34. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. F. Mauko, Jena, p. 241-242.
    35. Demiraj, B. (1998-1999). The Albanian inherited lexicon. Internet: http://ëëë.ëin.tue.nl/~aeb/natlang/ie/alb.html
    36. Leake, Ë.M. (1835). Travels in Northern Greece I. Rodëell, London, f. 79.
    37. Çabej, N. (2014). Vazhdimësi iliro-shqiptare në emrat e vëndeve. Fan Noli, Tiranë. p. 5-8.
    38. von Hahn, J.G. (1854). Albanesische Studien. F. Mauko, Jena, f. 230.
    39. Çabej, E. (1976). Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes II. Tiranë, f. 61-69.
    40. Demiraj, Sh. (2006). The Origin of the Albanians. Tiranë, p. 168- 179
    41. Kretschmer, P. (1896). Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache. Vandenhoeck und Ruprecht, Göttingen, p. 258.
    42. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 57-59.
    43. Leake, Ë.M. (1835). Researches in Greece. J. Booth, London, f. 257.
    44. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 69-70.
    45. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 96-101.
    46. Çabej, N. (2014). Vep. përm. f. 119-122.
    47. Ossëald, B. (2007). The Ethnic Composition of Medieval  Epirus. Në Imagining Frontiers – Contesting Identities. Red. I. Ellis, G. Steven, Klusakova, L. Universita di Pisa, Pisa, f. 132.
    48. Pelegrinage a Jerusalem de N. de Martoni: Notaire italien (1394-1395). Revue de l’Orient latin, vol. 3, 1895,  Paris, p. 662.
    49. Mpalaska, E., Oikonomou, A. and Stylios, C. Ëomen in Epirus  and their social status from ancient  to modern times. INTERREG IIIA GREECE-ITALY 2000-2006.
    50. Strabo Geography   VIII, 5, 9.
    51. Appian The Civil Ëars II, 6, 39.
    52. Kos, M.Š. (2004). Mythological stories concerning Ilyria and its name.  Në     L’ Illyrie méridionale et l’ Épire dans l’Antiquité IV. DeBocard, Paris, pp.493-504.
    53. Nopcsa, F.B. (1925). Albanien – Bauten, Trächten und Geräte Nordalbaniens, de Gruyter, Berlin, f. 223.

Shqiptarja.com

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s