Poezi nga Josif Gegprifti
Sa mall…!
Për prindërit e mi
Që s’jetojnë më,
Fillova të shkruaj një varg.
E ngjyeva penën në të madhin mall
Por ah,
Dora më dridhej
Dhe shpirti filloi të qaj,
Nga sytë ca pika lotësh
Të nxehta mbi letër më rranë.
Me dhimbje e mall ,
Për prindërit e mi zemërartë
Shkruajta ca fjalë në këtë kartë
Dhe ndjeva,
Se zërat e tyre ,
Më erdhën me aq shumë
Dashuri e mall nga larg.
Erdhën dhe vetë ata,
Mbi më flokë përkëdhelte dora e nënës
Mbi shpatull ish dora e babait.
U pamë ndër sy
Por nuk thamë asnjë fjalë…
Sa mall…!
Ne shëtisnim…
Atë mbrëmje,
E plotë po shfaqej hëna,
Kjo zonjë lozonjare
E magjive të dashurisë
E mbuluar nga një dritë përrallore.
Në dritën e saj
Shëtisnim ne e shiheshim në sy,
Por nuk flisnim.
Mendonim,
E ndoshta kujtonim shëtitjet
E një kohe tjetër.
Atë mbrëmje,
Edhe shumë të tjerë që shëtisnin si ne,
E hidhnin vështrimin tek hëna
Dhe pastaj na përshëndesnin.
Hëna na buzëqeshte.
Diçka e panjohur
Nuk di,
Atë natë të bukur pranvere,
Kush e tërhoqi shpirtin tim
Drejt atij kopshti të lulëzuar?
Ishte aroma e një luleje,
Ishte drita e një ylli,
Apo diçka e panjohur që
Kishte hyrë brenda shpirtit
E unë nuk e njihja?!
Atë natë
Unë kisha prekur dashurinë.
Pas çdo agimi
Ka shumë kohë
Që agimet nuk të sjellin ty
Në vështrimin tim.
Ato treten të heshtura
Në sytë e mi.
Megjithatë,
Ti dhe kështu
Mbetesh e vërteta e një ndjenje
Që venitesh pas çdo agimi.