Poezi nga Nikollë Loka

nikolle-loka

Poezi nga Nikollë Loka

 

Të shoh në sy

Të shoh në sy,
je një pasqyrë me mjegull,
nëpër shkallë zemre
hutimin zbres,
dhe në thellësi
të shpirtit tënd të virgjër,
për ty,
një qiri po e ndez.

Ai qiri
mbi një altar
po shuhet,
unë nën altar
po pres i rënë në gjunjë,
sa herë të shoh,
zemra më bëhet akull,
kur do të shkrijë,
më thuaj!

 

Kosovës

Trupin
ta copëtuan shekujt,
në teha kosash pritesh,
plagët e palidhura
ua tregon të tjerëve,
që s’ta ndjejnë dhimbjen.

E po Kosovë!
T’i kemi tretur brengat,
me duar
po t’i mbajmë plagët,
të vdekurit ringjallen
nga rrënjët e pemëve,
të gjallët shkrumohen
në zjarrin tënd
që djeg ëmbël.

 

Në sytë e tu

Në sytë e tu pashë etje,
etje për një qiell të dlirë.
Fryni një erë
qiellin e mori me vete,
në vend të tij, një pasqyrë.

Dita u shua,
dielli fshihej pas hijes,
me pak merak e pak pendesë.
Zihem me veten
kur dal para pasqyrës,
dhe pyes: A është qiell,
apo është qelq!

 

Martesa e Tanush Topisë

Për një Helenë ishte zhdukur
Troja e Vjetër,
të njëjtën fat
do të kishte çdo tjetër.
Troja po ndërtohej diku,
siç e dëshironte
vetë mbreti anzhu.

Kujdes Helenë,
me Trojën mos luaj!
Po ku pyet zemra
çfarë mendja nis e bluan,
ajo është për t’u fal,
e fiton një princ,
që futet brenda saj
pa u kuptuar.

Dallgë parandjenjash,
shkumë e bardhë.
Djali i Topiajve
yll që rrezëlliu,
sapo u ndal në sytë e saj,
me shikim të parë
zemrën ia përpiu.

Kujdes Helenë
Me Trojën mos luaj!
Po ku pyet zemra
çfarë mendja nis e bluan,
ajo është për t’u fal,
e fiton një princ
që futet brenda saj
pa u kuptuar.

Në Durrës
po bëhej dasëm pa krushq,
nusja Helenë
e dhëndërri Tanush.
Deti me dallgë
dy brigjet përkëdhel,
në atë ditë dasme,
një të dielë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s