Rreth vëllimeve poetike “Pesha e fjalës”, “Të gjitha lulet kanë emrin tënd” dhe “Nesër do të jetë më mirë” të poetit Dhimitër Nica (Uni poetik, si lubrifikues i vetëdijes kolektive atdhetare) / Nga: Hyqmet Hasko

Rreth vëllimeve poetike “Pesha e fjalës”, “Të gjitha lulet kanë emrin tënd” dhe “Nesër do të jetë më mirë” të poetit Dhimitër Nica

Uni poetik, si lubrifikues i vetëdijes kolektive atdhetare

 

Hyqmet Hasko- 2
Nga: Hyqmet Hasko

Pas publikimit të përmbledhjes poetike me titull ” Pesha e fjalës “, botuar nga Toena 2012, vëllimit me poezi “Tëgjitha lulet kanë emrin tënd “, shtëpia Botuese Muzgu 2015, ” Nesër do të jemi më të mirë “… Atunis,Prishtinë 2016 është libri i tretë me poezi i poetit Dhimitër Nica, poet që punon e jeton në tokën helene, duke mbartur në rrugëtimin e tij në lëmin e poezisë një peshë malli e trazimi të fortë, në një përpjekje për të lënë gjurmët e tij në lëmin e fjalës poetike.
Tek vëllimi i parë “Pesha e fjalës”, raportet e poetit me lexuesin bëhen më të ngrohta dhe më afektive, ura që ky autor ndërton drejt kumteve dhe mesazhimeve të fjalës së tij bëhet më e prekshme dhe me një njeshmëri afektive.
Botim i shtëpisë së mirënjohur Botuese “Toena”, kjo përmbledhje sjell flladet dhe krojet, gurrat dhe aromat, shtratin e një lirizmi të thellë e spontan që e çon poetin në zbulimin e një bote eterike pasionesh, vuajtjesh, dhimbjesh, dilemash, trillesh dhe refleksionesh të thellësive, në një realitet sa të trishtë e të dyzuar, aq afektiv dhe emocional.
Nëse tek “Pesha e fjalës”, vargjet e Dhimitër Nicës sundohen nga raportet intime të unit me jashtësinë, pasioni i kërkimit të bukurisë, erotika dhe magjijimet e dashurive të mbetura në rrugët e pluhurosura të kohës, tek “Të gjitha lulet kanë emrin tënd”, që është libri i dytë i poetit, gama tematike, fuqia e vargut, pesha e të sjellurës, si fakt i të ndodhurës poetike, na vjen ne lexuesve me një intensitet lirik dhe intim, me një zgjerim të gamës tematike dhe të kompleksit të emocioneve.
Tek “Të gjitha lulet kanë emrin tënd” Dhimitër Nica zbulon një minibotë të parfumuar me dritëhijet e kujtimit, mbresa dhe emocione që e çojnë tek dashuria e parë, puthja e parë, rrugët e fëmijërisë, etj, duke e angazhuar poetin me rikthimin e kujtesave të humbura në një kohë të trishtë humbjesh të mëdha.
Këtu, në këtë libër, poeti është tejet i ngrohtë, lirik i thekur, me një sponatnitet të fortë, pa shtysa të ndërmjetme dhe ekuivoke, me magjinë e zbulimit të çasteve që e çojnë drejt përgjithësimeve me fuqi metaforike dhe simbolike.

dhimiter nica

Dhimitër Nica

Poeti e kërkon dhe e gjen të bukurën tek “gjërat e vogla”, tek një lule, një gjurmë në kohë, një fije floku në herbariumin e ditëve të ikura, një puthje, një pritje plot drithërima malli e pasioni, një enigmë e kryqëzuar në fatin e një brezi të keqkuptuar, në një kohë të keqorientuar në gjeostrategjinë globale.
Tek përmbledhja e fundit “Pesha e fjalës” Nica shpalos dhimbjet dhe brengat e një mërgimtari, mungesën e vendlindjes, mungesën e e asaj aromës së tokës së tij, që e shtyn në një kërkim analitiko-poetik drejt thellësive të unit dhe të raporteve të tij me kohën dhe bashkëkohësin.
I larguar prej njëzet e pesë vjetësh nga vendlindja e tij, toka dhe trojet e të parëve, nga pragu i themelit dhe guri i varrit, që përbëjnë arkitipin ekzistencial të njeriut, Nica i rikthen ndjesitë e kohës së ikur nën një re pluhuri, në trajtën e kujtimeve, ku gëlon malli, mungesa, vetmia, dëshira për ta mbartur kudo që shkon në botën e lirë me vete vendlindjen, botën fëmijnore, dashuritë dhe ëndërrat e shpërndara të një kohë-hapësirë të tejndezur idili dhe malli.
Poezitë për Beratin, qytetin e tij të magjive të fjetura, vijnë në këtë përmbledhje me aq finesë dhe romantikë, të spërkatura me aromërat e mungesës, që e shtyn poetin drejt ruzbulimit emocional të raporteve të tij me kohën e realitetit dhe të ëndrrës.
Duke kërkuar atdheun si në poezinë “Atdheu im”, “shtëpinë e tij të vjetër”, me mure të plasaritura dhe pemë të thara, “rigat e mallit”, gjurmët e çasteve që kanë mbetur si piketa malli e dëshirimi në kujtesën e tij të trazuar, “lotët e hënës”, “dashurinë e humbur”, që e gërryen në shpirt, etj, autori kërkon gjurmët e tij dhe të brezit të tij. Kërkon një dorë të zgjatur të shoqërisë për të bërë për njeriun modern më të mirën e mundshme, që të mos vriten ëndrrat, kujtimet dhe dashuritë njerëzore.
Në poezitë më të mira të poetit gëlon poetika atdhetare, malli për atdheun, krenaria dhe dhimbja për fatin e tij që nuk ka qenë dhe aq i mbarë në historinë tonë të vjetër dhe të re. Këto impresione vijnë në poezitë “Atdheu im”, “Pema e kombit tim”, “Bijtë e shqipes”, “Shqipëria ime”, “Shqipëri të kam nënë”, “të rëndët, “ta gëzojmë Shqipërinë”, “Përsëri t’ia fillojë kënga”, “I dërguari i Perëndisë” etj.

dhimiter nica kopert (4)

Të gjitha lulet kanë emrin tënd

Plaga e emigracionit, ajo rrekje e beftë për integrimin e vlerave tona në shoqëritë metropolike perëndimore, duke ruajtur identitetin tonë komëbtar, traditat dhe zakonet tona shekullore, zënë një vend të rëndësishëm në këtë përmbledhje poetike.
Sigurisht kujtesa individuale e poetit, ajo kujtesë që e kthen tek nëna, babai, shokët e fëmijërisë, rrugët e fëmijërisë, vërsnikja, një puthje e haruar, e mbetur diku në vetmi, në një cep të buzëve të kohës, të afërmit e tij të ndarë në mënyrë aksidentale nga jeta, sjell me vete poezitë më të bukura, më të ndjera dhe më origjinale të këtij libri.
Poezia e Nicës është një poezi e iluzionit, dhimbjes, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave tradicioanle poetike, që iu përkojnë gjendje dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale.
Njëzet vjet pa Atdhe,
Shqiptarë, shpërndarë
Nëpër tym e nëpër re
Më thuaj ti, o Zoti im,
Dhe kur lindëm,
A mos vallë ishte gabim?!
Tek vëllimi i fundit poetik “Nesër do të jetë më mire”, protagonist i aktit poetik të poetit është uni i brendshëm, raportet e këtij uni me jashtësinë, me mungesat dhe shpresën e botës, me të mundurën dhe të pamundurën.
Duket se Dhimitri nuk merr penën në dorë se duhet shkruar, por shkruan se nuk mundet të bëjë ndryshe, pasi shtytjet e poezisë nga brenda qenies së tij janë të vrullshme, të papërballueshme, të pamundura për t’u bërë zap.
Në poezitë e kësaj përmbledhje vihet re ritheksimi i prirjes së poetit edhe në librin e tij parë “Pesha e fjalës”, ku thellimi i orvajtjes për të ndërtuar paralele në kohë dhe hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, konturohen si një cilësi e artit të tij estetik. Këto “imazhe të vrara”, ku zhytet fiksacioni i tij poetik, ruajnë si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, ku ka pak diell e dritë, por aq mjafton sa për të kuptuar tisin e trashë e të rëndë të mungesës, vetmisë, paplotërisë, të cilat duket se e rrethojnë poetin dhe janë pjesë e udhëtimit të tij metafizik.
Poezia e Nicës në të dy vëllimet e para por veçmas në këtë të fundit “Nesër do të jetë më mirë” është një poezi e gjendjeve lirike dehëse dhe trallisëse, me një fantazi të vrullshme, me një kompleks figurash dhe trajtash që e bëjnë atë të freskët dhe me mesazhe atdhetare gjithëkohore.

10173819_517043601740770_5346896921079846588_n

Pesha e fjalës

Gjendjet e tij janë kujtesat, emocionet, përjetimet, ankthi dhe vetmia që poeti i ka marrë nga përjetimet vetjake dhe i mbart si një kredo e anatemuar e brezit të tij, e kohës dhe bashkëkohësit të tij, sidomos e atyre në emigrim, për të cilët gjendja bëhet ende më e rëndë dhe më komplekse në shtrirjen e saj.
Një thelb, poezia e tij është një poezi e trazimeve dhe dyshimeve të brendshme, e mungesave dhe përjetimeve, e ritmeve të përndezura që sjellin një kontrapunt gjendjesh dhe emocionesh të denja për një poezi që buron nga shpirti i thellë njerëzor dhe shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij.
Poezia e Nicës gjallon aromë lirie, aromë ndjeshmërie, mall dhe kujtesë, ëndërrim dhe klithje, trazim dhe etje. Ajo është një poezi që lexohet me një frymë dhe përjetohet po me një frymë si një zbulim, si një risi që sjell poezia e re shqipe, kudo që shkruhet dhe lexohet, në lumin e madh të poezisë së vërtetë mbarëshqiptare.
Siç e thamë që në krye të herës, Dhimitër Nica ka botuar 3 libra me poezi… ” Pesha e fjalës “… Toena 2012, ” “Tëgjitha lulet kanë emrin tënd “…Muzgu 2015 dhe ” Nesër do të jemi më të mirë “… Atunis,Prishtinë 2016. Është përfshirë në mbi 20 Antologji poetike, ka marë 3 çmime poetike, me rastin e 100-vjetorit të Pavarsisë mori çmimin e tretë nga Juria që u formua në dispozicion të Degës së Blertë në Selanik,më 2013 po nga kjo Juri u nderua me çmimin Ziko Kapurani po në Selanik,për lirikën më të mirë të vitit. Në vitin 2016,me rastin e festave të Nëntorit u nderua me çmimin e parë në konkursin e organizuar nga Bashkia dhe drejtoria e kulturës në qytetin e Podujevës, ku morën pjesë mbi 60 krijues…Në konkursin Poetika 2017,që u organizua në Tiranë me rastin e Shën-Valentinit nga rreth 960 pjesëmarrës u kualifikova në 70-shen më të mirë të cilët edhe konkuruan midis tyre në ndarjen e çmimeve,po kështu kjo poezi do të jetë edhe në Antologjinë kombëtare te Poetika 2017. Ka botuar edhe publicistikë në shumë organe qendrore dhe lokale të shtypit, si dhe shumë shkrime që ngrenë probleme të ndryshme ekonomiko-shoqërore, reportazhe, ese, pamflete, kritika letrare,etj. Po kështu nga krijimtaria e tij janë botuar në organe të ndryshme letrare edhe disa tregime,që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s