Poezi nga Mirela Papuçiu
Vathë në veshë
Bleva një palë vathë dhuratë për veten
Për ta kujtuar se jam grua dhe në veshë
Nuk duhet të më varen veç fjalë të mençura
Punuar imët me daltë tehmprehur klishesh.
Bleva një palë vathë me gurë të veckël
Ngërthyer ndritshëm bri njëri-tjetrit.
U vura emrin e një dështimi të heshtur
Dhe e shpalla faqe botës humbjen.
Si fitore!
Vathë fitimtarë
Veshë të humbur
Vathë në veshë
Fitimtare e humbur.
Nuk dhemb më
Jam rrëzuar këto kohë. Disa herë.
Nuk di pse nuk kam asnjë mavijosje.
Jo, nuk jam çarë kund e as shembje nuk kam.
Pas çdo rënieje, jam ngritur menjëherë në kēmbë.
Përplasjet kanë qenë të forta e të befta,
por unë kam vazhduar rrugën me të njëjtin
hap të lehtë.
U rrëzova edhe sot. Nuk u vrava.
Nuk më dhembi asgjë.
Përveç befasisë që u gjenda plandosur përdhé
papritur e pakujtuar, asnjë ndjesi tjetër.
As frikë! Kjo më tremb.
Çfarë ka ngelur ende gjallë prej meje?
Mungoj unë
Më mungon goja e pangopur
Që ma thithte gjirin vrullshëm
E kur mbushej plot me qumësht
Ndalte një hop të merrte frymë
E m’i ngulte sytë gjatë si lumi
Që i përgjërohet bregut për prehjen
E shkurtër në galopin e tij të gjatë.
Më mungojnë doçkat që luanin
Me flokët e mi si me ca litarë
Që joshin drejt një bote të rriturish,
Të pasigurt si fijet e mbetura
Në gishtat e imët me ngrohtësinë
E mendimeve të ëmbla që stepin
Vuajtjen e botës ngërthyer tek fati.
Më mungojnë të gjitha këto sot, kur nuk janë.
Siç më mungonin atëherë, kur qenë.
Se, duke pritur të nesërmen nuk qeshë, as atëherë.
E me gjasë, nuk jam, as tani…




























Leave a Reply