Integrimi i vonuar i Ballkanit në Bashkimin Europian / Nga Viktor Mërkuri*

Integrimi i vonuar i Ballkanit në Bashkimin Europian

 

 

Nga Viktor Mërkuri*

Në vitin 2003, vendeve të Ballkanit iu ishte thënë se e ardhmja e tyre ishte brenda BE-së. Megjithatë, deri më sot shpresat e Shqipërisë, Bosnjës, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi janë po aq të zbehta. Të lodhur nga rreshtat e pafundmë të problematikave politike të Ballkanit, dhe të “djegur” nga ajo që më vonë u konsiderua si hyrje e parakohshme e Bullgarisë dhe Rumanisë në BE në vitin 2007, Brukseli duket se ka pak dëshirë të zgjerojë klubin më tej, veçanërisht pasi Brexit i detyron ata tashmë të menaxhojnë tkurrjen e komunitetit.

Dikush do pyeste, a kemi sot një figurë të pastër se çfarë dhe si është Ballkani sot?

Pak kohë më parë ministri i Jashtëm i Rusisë ka akuzuar zyrtarët perëndimorë për promovimin e një Shqipërie të Madhe. Mali i Zi pretendon se Rusia ishte pas një përpjekjeje për grusht shteti në nëntor të vitit të kaluar me qëllim zvarritjen e pranimit të saj në NATO. Serbia ka sulmuar presidentin e Kosovës duke sugjeruar se vendi i tij i çmilitarizuar mund të formojë një ushtri të re, dhe Maqedonia shprehu sulme kundër Kosovës dhe Shqipërisë për ndërhyrje në punët e saj të brendshme.

Sot gjashtë vende të Ballkanit janë vende kandidate për anëtarësim në BE. Një hyrje e mundshme si vende komunitare do të detyronte elitat e korruptuara të rajonit të Ballkanit të lejonin lirinë e medias, forcimin e sundimit të ligjit dhe liberalizimin e ekonomisë së tyre, duke zbehur kështu fuqitë e tyre të patronazhit. Pak prej udhëheqësve duan të bëjnë ndonjë prej tyre. Vendeve të Ballkanit i mungojnë burokracitë e forta që mund të nxisin ndryshime. Nga gjashtë prej vendeve kandidate, vetëm Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar zyrtarisht bisedimet e aderimit. Shqipëria shpreson t’i nisë së shpejti, Maqedonia është penguar nga mosmarrëveshja e saj me Greqinë rreth emrit, Bosnja është e zhytur në grindjet ndëretnike dhe Kosova as nuk është njohur nga pesë anëtarë të BE.

Viti i kaluar na ka dhënë disa momente të hidhura brenda rajonit duke kujtuar krizën politike në Maqedoni që siç u konsiderua më vonë, nuk u bë pa ndihmën e provokatorëve në mediat ruse e cila kërcënoi të përhapet në dhunë dhe tensione midis Serbisë dhe Kosovës. Megjithëse BE mbetet e angazhuar në mënyrë nominale për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, vrulli i këtij projekti është ngadalësuar gjatë viteve të fundit. Të ndërgjegjshëm për rritjen e ndjenjës anti-BE në shumë shtete anëtare, zyrtarët dhe politikanët e Brukselit janë ngurruar të mbrojnë zgjerimin e mëtejshëm. Bisedimet zyrtare mbi integrimin e Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës dhe Maqedonisë ende nuk kanë filluar. Ndërkohë, deklaratat e BE-së për rajonin janë rritur gjithnjë e më shumë, dhe Brukseli ka lënë jashtë vlerësimin e ardhshëm të përparimit të rajonit deri në vitin 2018. Si pasojë, qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimor po ndihen gjithnjë e më pak të sigurt se vendet e tyre do të jenë ndonjëherë anëtare të BE-së.

Ndërsa BE duket se po ulë aktivitetin e saj në Ballkan, Rusia është bërë gjithnjë e më aktive. Përmes ndihmës ekonomike, mbështetjes diplomatike dhe komunikimit të pikasur, vëzhguesit perëndimorë, pohojnë se Moska ka kërkuar të kthejë opinionin publik dhe elitar kundër integrimit euroatlantik. Qëllimi i këtyre përpjekjeve është të dobësojë mbështetjen për demokracinë dhe integrimin me Perëndimin dhe të përforcojë idenë që popujt ortodoks sllavë të Ballkanit duhet të identifikohen me botën ruse që Moska kërkon të ndërtojë rreth kufijve të saj.

Dikur Winston Churchill ishte shprehur se Ballkani prodhon më shumë histori se sa mund të konsumojë, dhe ndërkohë është po ai rajon në të cilin zë vend më shumë se çdo tjetër shprehja se duhet të dish të shkuarën, për të kuptuar të tashmen.

Luftërat ballkanike të viteve 90’ vazhdojnë ende të jenë kapitulli më i errët në historinë e Europës së pas Luftës së Ftohtë. Më shumë se 130,000 njerëz ngelën të vdekur, dhe miliona u zhvendosën në konfliktet që përfshinë Bosnjën, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe shkurtimisht Slloveninë. Luftimet ndaluan falë një sërë iniciativash diplomatike dhe ushtarake të cilat përfshinin një fushatë bombarduese të NATO-s që në vitin 1999 e cila ndihmoi në dhënien fund të luftës në Kosovë.

Me përfundimin e konflikteve, qeveritë perëndimore u përpoqën t’i inkurajonin shtetet e rajonit që të lehtësonin ndarjet e tyre etnike përmes një programi reformash ekonomike dhe politike, me qëllim ecjen e tyre përpara duke zhvilluar perspektivën e integrimit të tyre më të thellë në komunitetin euroatlantik. Kjo strategji arriti sukses të madh në rastet e Kroacisë dhe Sllovenisë, të cilat u bashkuan me BE-në në vitin 2004 dhe 2013, dhe sot janë demokraci të qëndrueshme me klasa të forta të mesme.

Megjithatë, në anën Jugore të Europës, ujdia që shtrihet në zemrën e strategjisë europiane duket se po dështon. Kryesisht gjatë viteve të fundit, BE-ja ka qenë shumë e preokupuar me sfidat e veta, duke filluar nga kriza ekonomike e vitit 2008, krizën e emigrantëve, si dhe një rritja e nacionalizmit populist. Sfida të cilat e bënin gati të pamundur mbajtjen e presionit mbi shtetet e Ballkanit Perëndimor me qëllim reformimin e tyre. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara, u ndanë nga rajoni kryesisht pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, duke preferuar të transferojnë “pjesën tjetër të punës” tek Brukseli. Kjo është shqetësuese për shkak se problemet strukturore në rrënjët e kolapsit të përgjakshëm të Jugosllavisë ende nuk janë rikuperuar. Pakënaqësitë e lidhura me konfliktet e viteve 1990 ndodhen ende afër sipërfaqes.

Mes këtyre sfidave strukturore është gjithashtu edhe mospërputhja midis kufijve të rajonit dhe vendndodhjeve të popullsive të saj etnike, veçanërisht mes popullsisë etnike shqiptare dhe serbe. Irredentizmi serb ose besimi se kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të rishikohen në mënyrë që të gjithë serbët të jenë të bashkuar në një shtet të vetëm, ishte një shkak i madh i luftërave të viteve 1990.

Kjo dëshirë vazhdon të jetë po aq e rrezikshme edhe sot, bashkimi i të gjithë serbëve në një shtet të vetëm do të kërkonte ndarjen e disa shteteve të Ballkanit Perëndimor. Qeveritë dhe popullatat joserbe do mund të rezistonin me forcë nëse ishte e nevojshme. Ndërkohë, grupet etnike të cilat përbënin shumicën në shtetet me pakica serbe, mund të marrin mbështetje popullore duke nxitur ndjenja anti-serbe, duke kontribuar në një cikël të egër nacionalist.

Nga ana tjetër shohim gjithashtu edhe popullsinë etnike shqiptare jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoni, ku përbëjnë respektivisht rreth 90 dhe 25 për qind të popullsisë. Aktivizimi i tyre politik është më pak shpërthyes se sa ai i serbëve në Bosnjë dhe Kosovë, por ende ka pasur efekte të rëndësishme. Pas zgjedhjeve parlamentare të Maqedonisë në dhjetor të 2016-ës, u pa se ajo nuk arriti të prodhojë një shumicë për asnjë parti, si shembull, qeveria shqiptare ndërmjetësoi një marrëveshje midis tre partive etnike shqiptare të Maqedonisë, pjesë e marrëveshjes ishte se partitë vendosën të marrin pjesë në koalicionin qeverisës vetëm nëse atyre u jepej një numër koncesionesh të orientuara etnikisht – mes tyre, një rishikim kushtetues që do ta bënte gjuhën shqiptare një gjuhë zyrtare në të gjithë Maqedoninë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sugjeroi që “shqiptarët në Maqedoni duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e tyre”. Kur tensione të tilla etnike përshkallëzohen brenda një shteti, ato mund të japin pasoja përtej kufijve, veçanërisht kur politikanë i manipulojnë ato për qëllimet e tyre.

Mospërputhja mes kufijve dhe popullatave etnike vështirë se është një problem i ri në Ballkan. Fakti që ai është bërë më i rëndësishëm kohët e fundit ka shumë të bëjë me zgjedhjet politike nga ana e udhëheqësve të rajonit, të cilët kanë kërkuar të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të larguar vëmendjen nga problemet politike dhe ekonomike të vendeve të tyre, si dhe dyshimet e qytetarëve të tyre për perspektivën e integrimit në BE. Nuk është rastësi që nacionalizmi etnik ka qenë në rritje në të gjithë Ballkanin që nga fillesat e krizës ekonomike të vitit 2008, ndërkohë që shtigjet e shteteve të rajonit për anëtarësim në BE janë bërë gjithnjë e më të tensionuara.

Shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë probleme serioze ekonomike. Papunësia, sidomos mes të rinjve, është ndoshta problemi kryesorë: 68 për qind e të rinjve të Bosnjës janë të papunë, siç janë 58 për qind në Kosovë, 50 për qind në Maqedoni, 41 për qind në Serbi, 17 për qind në Slloveni dhe 15 për qind në Shqipëri. Me kaq pak mundësi në vendin e tyre, të rinjtë po lëvizin jashtë vendit, duke përkeqësuar perspektivat afatgjata ekonomike të rajonit. Ata që mbeten pas shpesh janë të zhgënjyer dhe të zemëruar.

Për gati dy dekada, Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor, megjithatë, angazhimi i rajonit me perëndimin ka dështuar kryesisht në përmirësimin e jetës së përditshme të shumicës së banorëve. Për shumicën e njerëzve në rajon, anëtarësimi në BE duket i largët dhe madje i paarritshëm, dhe së bashku me pakicat etnike dhe shtetet fqinje, Europa është bërë një kurban i përshtatshëm për politikanët që kërkojnë të shmangin fajin për krizën dhe problemet e shumta në rajonin e tyre.

Megjithatë, anëtarësimi në BE mbetet mënyra më e mirë për të promovuar reformën dhe bashkëpunimin në rajon. BE bazohet në parimet e sovranitetit të bashkuar dhe të kufijve të hapur. Siç e kishin kuptuar themeluesit e BE-së, ky model përfaqëson shpresën më të mirë për tejkalimin e frikës dhe urrejtjes që e çoi Europën në përgjysmimin e vetes se saj dy herë gjatë shekullit të XX dhe që akoma dhe sot e dëmton Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, anëtarët aspirantë duhet të përmbushin standardet e BE mbi qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut (duke përfshirë këtu edhe të drejtat e pakicave) dhe politikat ekonomike të orientuara drejt tregut, të njohura ndryshe dhe si Kriteret e Kopenhagenit.

Përmbushja e këtyre kushteve dhe anëtarësimi në BE do t’i ndihmonte shtetet e Ballkanit të mbrohen kundër paqëndrueshmërisë në anën juglindore të Europës. Betejat e Ballkanit Perëndimor me menaxhimin e flukseve të migracionit dhe kundërshtimin e radikalizimit xhihadist kanë bërë tashmë shtetet e BE-së më pak të sigurta. Rreziku i një krize më të madhe që rrjedh nga një kombinim toksik i nacionalizmit, korrupsionit dhe ndërhyrjes ruse është edhe më shqetësues.

*pedagog Marrëdhënie Ndërkombëtare

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s