Nata e parë e ikjes së madhe të shqiptarëve dhe hapja e kufirit shqiptaro – grek. / Shënime nga Agron Mema

 

Nata e parë e ikjes së madhe të shqiptarëve dhe hapja e kufirit shqiptaro – grek.
 
 
Shënime nga Agron Mema
 
Në bllokun tim të shënimeve gjej edhe këto rreshta që u përkasin fundvitit 1990 e fillimviti i 1991-it. Vite që shënuan Ikjen e Madhe dhe të pa kthyeshme të shqiptarve nëpër vendet e botës. Një rrugëtim i gjatë e i lodhshëm, i raskapitshëm e i mundimshëm, ilegal e i dhimshëm, klandestin dhe i fatkeqshëm për kombin. Ikje dhe braktisje…Viti 1990 shënoi fillimin e revolucioneve demokratike në vendet socialiste të Evropës Lindore të Bllokut Komunist, ku qeveritë gjysëmshekullore e më gjatë, po binin një e nga një, ndërsa në Shqipëri vetëm sa flladiste një puhizë liberalizmi në doktrinën marksiste, ekonominë e centralizuar dhe kulturë. Sistemi dukej si një i sëmurë me serum. Një shpresë për shqiptarët rrezëllinte, por nuk do të vinte si në vendet e tjera: as me revolucion përmbysës, as me emigracion të ligjshëm dhe as me pluralizëm institucional dhe funksional, atmosferë që sundon edhe sot. Fundviti i 1990-ës, megjithse Evropa komuniste përmbysej, në Shqipëri vijonin vrasjet në kufi edhe pse neni i “tradhëtisë ndaj atdheut” ishte shfuqizuar dhe mbetej në ”tentativë për kalim të jashtëligjshëm të kufirit” , ç’ka nënkuptonte dënime dhe ndëshkime më të lehta se ai kapital. Por përsëri vrasje deri më 12 dhjetor 1990 kur në Sarandë, katër djem nga fshati Aliko u ekzekutuan nga rojet kufitare në kufirin shqiptaro-grek në Konispol, vrasje që shënoi një rebelim popullor dhe përplasje e ashpër fizike me forcat policore të kohës. Në KQ të PPSH-së, dhjetori i 1990-ës, përveç tronditjes së rrëzimit të sitemit, po sillte plenium pas pleniumi. U desh revolucioni i forcave të djathta rumune që dënun me vdekje liderin diktator komunist Çaushesku me të shoqen Elenën, që “magnituda e tërmetit” shkatërrues të shkundte fort udhëheqsin komunist shqiptar, Ramiz Alinë të shpallte jo vetëm pluralizmin politik , por të hapte edhe kufijtë tokësorë, kjo e fundit si mjet shpëtimi dhe mbijetesë e sistemit dhe shmangies së hakmarrjes së klasës politike të deklaruar dhe dënuar si armiq. Dhe ja dolën mbanë. Ikja e Madhe ju la shkak mbijetese dhe rrëmbimin e pushtetit ekonomik, derisa ta rrëmbenin totalisht me kundërrevolucion të armatosur më 1997-ën. Fund dhjetori 1990. Data 30. Mbasditja përhapi thashethenajën se në darkë do të hapej kufiri, por vetëm për disa orë, ndaj kush të shpejtonte të kalonte nga ata që donin të iknin sepse do të qe një hapje kufiri “alla Fidel Kastro” në vitet ’60. Makinat e fshtarave të bregdetit të Sarandës, sa u errësua , u mbushën plot dhe ju drejtuan kufirit të Konispolit nga rruga e Sorronesë. As nga Livadhjaja ku qe komanda e batalionit të kufirit dhe as nga Butrinti ku funksiononte postoblloku i lundrës dhe kalimi qe i pamundur. Por nga ana tjetër mund të qe edhe orientim që makinat me njerëz që lagoheshin nga Shqipëria drejt botës së lirë , të mos përplaseshin me postoblloqe policore dhe forcave të kufirit në brendësi të tokës shqiptare. Në familjet e bregasve, gëzimi për të pritur Vitin e Ri 1991, u kthye në pikëllim, vaj e lotë. Ishte Ikja e parë. Makinat ndalën në fshatin Çiflik të Konispolit. Njerzit ju drejtuan kufirit me Greqinë që nuk qe as dy Km. Pas kalimit të brezit të butë dhe afrimit të klonit prej tre brezash telash me gjemba, lumë plubash me breshëri automatiku u derdhën mbi njerzit. Qielli u ndez zjarr nga flakët e grykave të kallashnikovëve të forcave shqiptare të kufirit. Thirrje histerike, kërcënime, sharje e fyerje u derdhën lumë. Por turma ishte e vendosur të mos kthehej mbrapsht. Dikush pëshpëriste se bëjnë kot po mos u ktheni. Kanë urdhër të hapet kufiri. Dikush thoshte se duhet të kthehemi. Një përfaqësi e turmës rezistente u takua me autoritetet e komandës së kufirit të Çiflikut. Pas negociatave , përfaqësia tha se nuk na lënë ndaj duhet kthyer pas se nuk na bëjnë e thonë gjë, por sejcili do të vijojë punën në vendin dhe zyrat ku qe. Në këto momente fatthënëse dikush tha: para drejt botës së lirë se dhe pak hapa na ndajnë. Turma u lëshua drejt klonit. Automatikët e rojeve të kufirit shqiptar qëllonin në ajër. Kloni ra në shesh. Kufiri shqiptaro-grek po hapej për herë të parë pas 9 prillit të 1939-ës, kur kryeministri grek Metaksa, mbylli kufirin me Shqipërinë pas pushtimit të kësajë nga Italia fashiste dhe fillimit të luftës italo-greke. Madje kur Mbreti Zog i Parë i kërkoi kryeministrit Metaksa të hynte në tokën greke me gjithë eskortën e tij, ky i fundit, duke i vënë disa kushte tanimë të njohura, i tha se duhet të kalonte brenda orës 24 të datës 9 prill 1939. Funddhjetori i 1990-ës ishte “Dimri i Fundit” në Shqipërinë komuniste dhe kloni ra. Turma kaperceu kufirin. Ishte ora 03 e mëngjesit. Toka greke në qetsi të plotë klasike. Bota e lirë ishte në qejfin dhe rehatinë e sajë. Turma ju drejtua policisë të cilët bënë një pritje zyrtare korrekte, por aspak të habitur para kësajë të papriture. Dukej që qenë në dijeni. Prunë bukë, djathë, ujë e diçka tjetër. Prunë me bollëk. Mëngjesi turmën e gjeti në shkollën e Sajadhës. Burra , gra, pleq e plaka të Sajadhës, me lotë në sy e zëmërdredhura, sollën rroba, përqafonin dhe pëshpërisnin në vesh fjalë shqip e greqisht. Qe një shqipe e vjetër. Por si bregdetarë, refugjatët merreshin vesh mirë me vëndasit edhe në gjuhën greke. Mbasi u veshëm dhe nuk njihnim njëri-tjetrin, policia pyeti për emrin. Fotografuan për leje-lëvizjeje në Igumenicë dhe bën ndarjen. Ata që u deklaruan myslimanë i hipën në autobuza dhe i çuan në Athinë. Të tjerët i shpërndanë nëpër konvikte e salla të mëdha ku kishte vetëm copa sfungjeri . Viti i Ri 1991, një janari , gjysmën e turmës e gjeti në Igumenicë të ndarë grupe-grupe. Para këmbëve të grupit tonë me katër veta ndali një taksi. Foli shqip. Hypëm në taksi. Na shpërndau nëpër familje ku dhe do të punonim. Pamë dhe gjetëm një tryezë që as në përralla nuk e kishim dëgjuar. Një mikpritje që ka mbetur në kujtesë. Një mirsjellje dhe bujari njerëzore fenomenale, e ndjeshme e njerëzore. Ndoshta është për të qeshur, por po e trgoj: para kishim gjithë të mirat e një tryeze plotë për plotë për festën e Vitit të Ri, por neve hëngrëm bukë dhe domate. Ishim mësuar me to dhe na kishte marrur malli se vetëm gjatë muajve të verës hanim në Shqipëri dhe këtë e vijuam edhe ditë më pas, aq sa na detyruan pronarët grekë të hanim edhe mish e gjithfarë llojesh ushqimesh se përndryshe do të na përzinin nga puna. Duhet të hanim mirë që të punonim mirë e të merrnim fuqi, na thoshin. Kështu e kaluam Vitin e Ri 1991 në Greqinë fqinje me një mikpritje dhe dashuri njerëzore për të cilën u jemi mirënjohës gjithë jetën. Më pas ngjarjet do të rridhnin ndryshe; busti i diktatorit në Shqipëri do të rrëzohej, Kryeministri grek Kostandinos Miçotaqis do të vizitonte Shqipërinë dhe do të takonte udhëheqsin shqiptar, Ramiz Alinë, duke përshëndetur proçeset demokratike që kishin filluar në Shqipëri. Kjo ishte Ikja e Parë e Madhe, “Dimri i Fundit” në Shqipërinë diktatoriale, thyerja e klonit kufitar shqiptaro-grek për herë të parë pas 9 prillit të 1939-ës dhe Viti i Ri i parë i festuar në tryezat greke larg familjeve tona që i lamë në lotë e pikëllim, ishte nata e parë larg vendit tonë që megjithse na kishte sfilitur, munduar e stërmunduar prapë ndjem mall për të , thuajse nuk kishim një apo dy ditë larguar por vite e vite, ishte pika e parë e lotit të nxehtë për vendlindjen që më pas do të kthehej lumë e oqean. Kujtoj ato vite, ato ditë, atë natë të tmerrshem të “Dimrit të fundit”, natë pisë e zezë dhe e acartë ku vetëm krismat e rojeve të kufirit shqiptar qenë të fundit për të mos u përsëritur kurrë më. Por ikja dhe braktisja e madhe vjon…”Deri kur ma…” do të lëshonte britmën poeti i madh, Migjeni.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s