Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj

Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
 
 
DIÇKA PREJ MËNGJESI
 
E ndjej vibrimin e rrezeve të para,
si çel gonxhe të purpurta gëzimi për dritën
pa kërkuar asgjë në këmbim,
se në natyrë kleringu ndodh natyrshëm
pa u kërkuar, pa u kujtuar nga asnjë lule
nga asnjë ngjyrë, nga asnjë aromë…
 
E ndjej nënzërin e tokës si murmurimë
nuanca fëmijërie i sjell mëngjesit tim pandalë
për shembull avullin e ëmbël të tokës së pluguar;
për shembull kakarisjen krenare të pulave të komshiut,
për shembull, buisjen e bimëve të para të grurit,
për shembull trëndafilat e verdhë te gardhi…
 
E ndjej edhe fëshfërimin e lehtë të ajrit të kaltërt
ndalur nga një cicërime zogu, që i gëzohet ditës
pikuar nga një gjethe e vesuar vjeshte
pushtuar nga një degë portokalli plot gjelbërim
harkuar nga një re e bardhë, e trëndafiltë…
 
Seç paska ky mëngjes,
shumë paqe që të mbështjell si mëndafsh
e të lut të gëzosh pa u menduar gjatë
ditën që t’u dhurua…
 
 
 
KOHA, VENDI, UNË
 
Nëse do mungoja në këtë çast
Në cilën kohë do jetoja çast tjetër
Me ngjyra të tjera, me tinguj të tjerë
Pa verë, dimër, vjeshtë, pranverë.
 
Nëse do të mungoja në këtë vend
Cilën hapësirë do matja me trupin tim
Cilës rrugë do i mëshoja me këmbe
Cilave gjethe do tu këndoja këngë.
 
Nëse do të të mungoja ty
Vetes time ku do ti gjeja kohë
Shpirtit tim ku do ti gjeja vend
Kush do ta zinte vallë, vendin tënd!
 
Do të mjaftonte ndoshta një varg
Një prekje në hundë me buzë zjarr
Një nënqeshje e ëmbël, si pranverë
Një premtim që valëzon në erë
 
 
 
GJURMË
 
Po eci ngadalë
mbi gjurmët e atyre që nuk i njoha
jo se nuk desha, jo se nuk deshën
fati nuk deshi të na takojë, në një rrugë me kalldrëm,
a në një stacion autobusësh,
a ndoshta në ndonjë stol,
ku njeri nga ne ulur ish, për të pushuar ca…
 
Kushedi do ishim dashur shumë,
do kishim heshtur pak, e do ishim puthur gjatë…
 
a ndoshta do ishim bërë miq të mirë:
përtej dashurisë së trupit,
përtej dashurisë së shpirtit,
përtej dashurisë në përgjithësi…!!
 
Sepse mua më dhembin miqësitë
dashuritë që vriten me harresa,
që shemben me fjalë pas shpine,
që thyhen në mes me tradhëtira…
 
Po eci ngadalë në rrugën time,
që s’di deri kur do zgjasë
e s’di deri ku do më çojë
poshtë këmbëve të mia sa gjurmë
sa gjethe të rëna pemësh harrimi…
 
Po eci ngadalë,
po eci ngadalë si gjethe,
se mos vras gjurmët e pranverave, nën taban!!!
 
 
 
ASAJ QË E NJOH MIRË
 
(Përgjithësisht, kështu më tha)
 
E di,
ajo është plot virtyte.
 
Ata që janë për t’u dashur,
i do fort!
 
Ata që janë për t’u urryer
i përbuz hijshëm…
 
Ata që kërkojnë mëshirë
me gjithë zemër i fal!
 
Nga sytë e saj
të lagët
pikon për ditë
një trishtim i ëmbël, i kotë…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s