Fragment i shkëputur nga romani në proçesi i autorit Mehdi Krasniqi ( Kap- XVI )

Fragment i shkëputur nga romani në proçesi i autorit Mehdi Krasniqi
 
XVI
 
Anda i telefonoi që heret në mëngjes Blertës.
– Letrën që Ardi e ka lënë për mua në dorën tënde, sot dëshiroj të ma japësh. Shihemi tek ato kafenetë pranë stacionit të trenave, përfundoi bisedën ajo pa i dhënë mundësi Blertës të fliste.
Nuk ishte mësuar të fliste me të kaq prerazi, pa përshëndetjet që i hapin rrugë fillimit të një bisede.
Mbretëroi një moment heshtjeje që e ngriu akull Blertën. Kujtesa e saj e çonte kah ngjarje dhe momente të lumtura që kishte kaluar me vëllain. Të dy, ishin arkiva që ruanin sekretet e njëri-tjetrit. Tani, jemi mbështetur në zbrazëtirë… Ai maleve, unë në dhomë, e mes nesh largësia e pashpirtë përtyp gjithçka. O zot, çka do t’i them sot Andës, vazhdonte të fliste me zë të grisur. Dorëzohem! U bë si u bë!
Gjendja e saj shpirtërore ishte e njëjtë në peshë. Kjo kishte përjetuar një përdhunim seksual, gjë që fati i saj e kishte shndërruar në heshtje varri. Plaga e shkaktuar nga një përdhunues i huaj ende e mbante në shok shpirtin e saj. Nëna e shtrirë në shtrat dergjej. Babai pi duhan dhe alkool dhe mërzitet për ikjen e djalit, pa ndryshuar mendje. I pamposhtur, i pandryshueshëm… ende mendon se autoriteti i tij duhet të jetë ligj. Ardi në front lufte, përball shënjestrës që nuk bën dallim. Kjo është historia e tanishme e fatit tonë, të cilën e kemi lënë të jetë diktat për ne duke besuar në krenari. Nuk kemi harxjuar kohë për veten, sepse krenaria jonë një armë e gabuar e të qenit krenar, na ka hedh pluhur syve, pasojat e së cilës, janë mishëruar në rriten e secilit prej nesh. E kjo ka bërë që muret e fatit të çahen sikur çahet druri kur sopata i bjen me aq fuqi. Familja njësoj sikur notari që nuk mund t’i përballojë dallgët e detit dhe i bien në dorë vdekjes, duke provuar secilën përpjekje, është shndërruar në një lodër fati. Oh, zot! Për kaq kohë të fjalimit që i mbajti vetvetes Blerta, momentet e takimin edhe me një dallgë tjetër ishin ofruar. Anda, është tashmë momenti tjetër pikëllues, me të cilën nuk do ta ketë të lehtë të hedhë asnjë shikim në fytyrën e saj, sepse do ti kujtonte buzëqeshjen për të cilin Ardi i fliste derisa e zinte gjumi.
“Nuk do ta kem të lehtë t’ia dëshmoj dashurinë dhe fjalët që m’i ka lënë, letrën po ashtu, sepse do të më duket sikur po e varros vetëm në një mal ku nuk mund të shkosh për të dytën herë”- mendoi me vete.
Koha e takimit po afrohej. Mori letrën e u nis. Lloje mendimesh e mbanin të trazuar. Megjithëkëtë kishte mbledhur vetën me idenë: u bë, ç’u bë!
Rruga e çonte nëpër disa kopshte me lule, andaj nisi të mendonte se ia vlenë të merrte një buqetë për Andën apo jo. Ideja e vuri përballë dhjetra dilemave. Pastaj u bind disi, se Anda ka nevojë për Ardin dhe jo për lulet. Lulet do ta pikëllonin më shumë, nxori përfundimin. Kur arriti në kafene pa Andën ulur në një tavolinë krejt në qosh. Ndaloi shpejtësinë e hapave. Nisi të kafshojë buzët dhe të përtypë fjalët.
-Përshëndetje Anda! Si je?
– Jam keq. E ndarë, e lënë. Më ka mbetur vetëm vdekja – tha Anda, duke e rrëmbyer në përqafim.
Dashuritë e mëdha nuk realizohen kurrë, ato bëhen ushqim për tragjiken. Fjala e pret fatin e më rrallë fati fjalën. Po digjem në mes kujtimesh, në mes fjalësh që më përfytyrojnë çaste kur e mbanin njëri-tjetrin në kraharor dhe ia dëgjonim rrahjet zemrave tona. Ndjej se këto tashme kanë prekur fundin dhe nuk ka përseritje të episodeve të tilla. Prejse kam marrë lajmin e ikjes së tij, kam filluar ta pranoj komunikimin me veten. Kjo po më përplas për dyshimin. Shpirti po më dhemb. E dua më shumë se nënën.
Blerta përpiqej ta mblidhte në përqafim por nuk arrinte, sepse kraharori sikur donte t’i hapej e zemra t’i bie në prehër. Lotët si lumë i dalur shtrati lëshoheshin fytyrës poshtë. Blerta ia ledhatonte flokët. Nuk dinte ç’t’i thoshte. Pas disa minutash, heqi kordelin që e kishte mbështjellur kuvertën në të cilën i kishte vënë letrën. Kur i dëgjoj aromën e parfumit të preferuar, ndaloi për një çast dhe nuk mori frymë. Ktheu kokën kah dritarja dhe nguli shikimin në bli. Blerta u rrëmbye nga trishtimi. Nisi të mendoj se Anda u çmend. Ndjente se ajo kapitulloi.
Mbretëroi një heshtje si asmëparë. Kjo gjendje do të vazhdonte me orë të tëra po të mos vinte kamerieri që t’u sillte menytë për shërbim. Blerta i kërkoi një makiato kurse Anda një kafe ekspres.
Jam e bindur që nuk ka burra besnikë. Ata dinë të bëjnë be në kokën e djallit, sepse kanë në majë të gjuhës fjalë magjike që të rrembejnë. Në qoftë se dashuria është vullnet hyjnor, pse atëherë ia thyet këmbët fatit dhe pranuat të merrni përgjegjësinë e shkatërrimit të jetës sonë? Nuk të pyes kështu që të marr përgjigje, sepse përgjigja në këto rrethana është emocionale dhe nuk do të ndryshoj gjë.
Oh, ç’budallaqe jam treguar, kur i kam besuar fjalës dhe shikimit… Kam hyrë ku nuk dilet dot.
Blerta kishte vendosur bërrylat në tavolinë sikur këmbë të urës dhe në faqe i kishte mbështëtur shuplakat duke fshehur lotët.
“ Kjo është përralla së cilës i kam besuar. Përrallë e bukur, por e dhimbshme. Lule e këputur u bë fati im. Kam kujtuar se në mes njerëzve të dashuruar të tjerët nuk ndërtojnë fate të veta. Sepse do t’u pritej koha dhe jeta e tyre do të shndërrohet në djerrinë. Mendime pa frymë, qorre paskeshin qenë ato, thjeshte një botë adoleshenteje. Vërtet një botë adoleshenteje, kur kundërshton gjithë shoqërinë, prindërit, rrethin për një njeri të vetëm, i cili të lë në kohën kur zemra don ta çajë kraharorin e të dal në trotuar dhe ta shkelë cilado këmbë e njeriut. Blertë, e ndjej që Ardi nuk ka kthim. Por dera e zemrës sime do të jetë e hapur dhe unë do ta presë deri në çastin e frymës sime të fundit. Sepse, s’ka më gjë për mua nëse ai nuk është në krahët e mi. Nuk fluturoi dot, më kanë mundur ërërat e jetës, këto dallgë të çmendura fati më kanë lidhur nyjë. Asnjëherë nuk kam ndier ftohtësinë e jetës, sepse buzëqeshja e tij ka qenë një armë e fortë me të cilën kam luftuar me po aq xhelozi, dhe me të e kam mbajtur ballin hapur e kokën lart. Por shpresa është një pjesë e fatit e cila e mban njeriun që të mos rrënohet i tëri. Tash kur zemra më digjet dhe mendja me fluturon, sinqerisht dukem e çmendur. Të gjithë do të hedhin sytë kah unë dhe do të drejtojnë gishtin. “ Ja kjo! Shihe i ka rënë krenaria në përrua!
Kjo do të jem unë.
Anda, e di që brenda teje vlojnë mendime të trazuara të cilat të përfytyrojnë lloj-lloj pamjesh a gjendjesh, por do të bëje mirë sikur të mos e fusësh brenda vetes ndjenjën e braktisjes. Ai nuk të ka lënë. Ka shkuar të luftojë për lirinë e atdheut, për ta bërë dashurinë pastaj më të vlershme. Anda, njeriu nuk duhet të qajë nëse ndjen se vdekja ia përpinë fatin, sepse ka kohë për lotët. Edhe unë kam një histori dashurie që ma lëkund jetën. Madje unë nuk di as rrugë të kërkimit, sepse mbretëron një mjegullë që nuk shtjellohet dot. Ende duhet të luftosh. Dëshmo që e do Ardin, sepse fundja ai gjithëkëtë po e bën për ty. Ka gjëra që nuk të duhen, madje as nuk duhet t’i dish…
Kaq është koha ime. Më duhet të shkoj tha Anda.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s