Poezi nga Vasil Çuklla

Poezi nga Vasil Çuklla

 

Të prek hijen dhe të vdes

Shkund petalet pemëqershia, të të shtroj qylym të bardhë
Shkon arhondja floklëshuar, si shkon shkuma përmbi valë.

Shkon drenusha çapëlehtë, lastarndritur, hënë e vonë
Shkon e malli i saj më tret. Më djeg e më përvëlon!

Shkon e ikën, rishtaz vjen. Larë ndër nure, larë ndë dritë
Shkon e vjen, një fjalë s’më thotë. Dritë, nga Zot, të marrin sytë?!

Shko të ndrittë këmbë e bekuar, shko por hijen, lere mbrapa
Si shkon agjesh djelli lerë. Ikën… por pas ngelet vapa…

Lerma hijen të fjalosem, të heq mallnë e përvëluar
Si lë djelli tek humbet, dritën në të perënduar!

Në s’më do, thuam një fjalë… ndaç më bëj një isharet
Mos kij frikë, nuk plagon fjala… Ishareti vret, se s’flet!

 

Falmu

M’a fal buzën, veç një çast, t’a qëndis mbi buzën time
Atë buzë, që kullon mjaltë, mos ma ler buzën jetime!

M’a fal syrin të shikoj, gjithë ç’sheh syri qehribar
M’a fal synë që kullon dritë, në mos do, të më shoç vrarë!

M’a fal veshin të dëgjoj, ç’çuçuris bota për tinë
Atë vesh, me vëth të artë, falma në paç Perëndinë!

M’a fal gushën, belin, ballin, falma gjoksin e arrirë
Atë kurm, që marron djalë, netëve e ndaj të gdhirë!

Falmu, falmu ti e tërë… falmu hir’ e falmu nur…
Falmu hënë e sermëzuar, kurm që dorë s’e preku kurrë!

 

Sepse

Më je, drithërimë…
E ëndërt, si ëndër!

Kopshnajë ku lulojnë,
jaseminë, jargavan.

Më je, kaq e brishtë…
E pupëlt, si flutur

Më je sëmbim shpirti,
që vetmitë e hanë!

Të kërkova, tërjetë
paralelesh të ndjenjës

Τë humba tërherë,
mes ndjesish meridianë!…

Erë acarr, harpëbrinjësh.
Melodi e këputur!

 

Ikje

Vajtojnë qiejt ikjen tënde mërgimit,
pakthim.
Nëna zëmekur, 
humb′ vështrimit pafaj…
Nusja gjiqumësht,
heshtisë ulërrin
Aromëzon ditëmorti, kobëvaj!…
Një korrbterr,
përmbi kokat krrakëllin
Thërmohet fëmijloti,
mbi tel ″mi″, në violinë!

 

Rudhat

Vragë e ngjizur dhimbjesh, shplodhur përmbi sy.
Brazdë, e tejthellë, lotit rjedhur!…
Lexo vetëm rudhat… dhe ke për t’u dehur!
Dhimbjen njerëzore, gdhendur gjen aty.
Me art ngjajnë rudhat, në tejkohë derdhur!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s