Një fotografi e panjohur dhe një histori.
Nga Timo Mërkuri
Hapja këto ditë gushti në qytetin e Sarandës e një ekspozite me dokumenta dhe fotografi të vjetra të nxjera nga Arkivi i Shtetit ngjalli një kureshtje edhe tek unë , si te të gjithë qytetarët . Kureshtja ime u kthye në një befasi e këndëshme kur në eksponante pashë një fotografi të Neço Mukos bashke me stafin administrativ të konviktit « Çamëria ». Këtë fotografi të panjohur deri më sot po e publikoj bashkë me këtë shkrim.
Është i njohur fakti që në qytetin e Sarandës Neço Muko gjeti një mbështetje të madhe te z Hiqmet Roshi, atëherë drejtor i konviktit Çamëria. Gazeta DEMOKRATIA e Gjirokastrës e datës 16 Dhjetor 1934 e portretizon Hiqmet Roshin si më poshtë vijon : Njeriu që kuptoi këtë zotësi të Neços dhe i dha ndihmën më efektive për të çfaqur talentin e tij, ka qënë z Hiqmet Roshi, ahere Drejtor i Konviktit « Çamëria « në Sarandë. Kjo përkrahje ka qënë një shërbim edhe për artin, por në një kohë e sipër edhe për shkollën të cilën z Hiqmet Roshi s’e mer si një vend për të mësuar 4-5 gramati dhe hesape por si një faltore në të cilën mëndja e djalit duhet të rihen e të stërviten me një edukatë të plotë…. » Hiqmet Roshi jo vetëm që e inkurajoi Neço Mukon për të ecur në rrugën e artit por edhe e punësoi si pjesë e stafit administrativ të këtij konvikti. Ky punësim i krijoi Neço Mukos lehtësi ekonomike për tu marë me aktivitetin e tij artistik si nxjerja e revistës « Pif-Paf », aktivitetet me grupin e estradës, kompozimi i këngëve të muzikës së lehtë, përkthimi dhe notizimi i këngëve të huaja dhe mbit ë gjitha krijimi i variantit himarjot të këngës iso-polifonike. Këtu zë fill edhe rrugëtimi i tij për në Francë për inçizimin e këngëve himarjote.
Por Saranda ishte një qytet provincial ku nuk mungronin xhelozitë, cmira dhe zilia ndaj të talentuarve. Kështu një nëpunës i vogël i këtij qyteti (emri i të cilit dihet, por për etikë nuk e përmëndim) duke patur zili talentin e Neço Mukos, bëri çmos që ti sajonte atij një shkelje të rregullores në punë (një tip shkelje e disiplinës apo orarit) dhe të kërkonte në instancat e Tiranës pushimin nga puna të këtij nëpunësi të « padisiplinuar ». Kështu Neço Muko pushohet nga puna në atë vit të largët 1928. Por fati se la pa ja marë hakun. Ky nëpunës lokal u kap gafil në një skandal seksual .Ngjarja bëri bujë jo vetëm në Sarandë. Nëpunësi u pushua nga puna.
Neço Muko shfrytëzoi rastin. Shkruajti një parodi me titull MITRUSHI (Barba Kola) dhe në skenën e estradës së Sarandës, në prani të një publiku të ardhur enkas dhe nga Delvina e fshatrat përeth interpretoi parodinë. Suksesi ishte i paparë, çfaqia u dha disa ditë rresht. Por nuk mjaftoi me kaqë. Neço Muko qysh në udhëtimin e parë në Paris e inçizoi këtë parodi në pllakat e famëshme të firmës PATHE në diskun 44007, duke përjetësuar në këtë mënyrë turpin e një nëpunësi cmirëzi dhe imoral. Kjo ishte edhe një farë hakmarje e artistit ndaj këtij nëpunësi ziliqar. Në inçizimin e kësaj parodie kanë marë pjesë antarët e grupit si N.Muko, A.Bala, K.Çakalli si dhe Dh.Rumbo e Klea Jorga.
Neço Muko, ulur, i dyti nga e djathta.
Më poshtë po japim tekstin e plotë të kësaj parodie:
MITRUSHI
(Barba Kola)
Disku 44007
Të pranishmit : O mirëseardhe, mirëseardhe Mitrush. A je ? Si je ?
Mitrushi : Shumë mirë, faleminderit. Ju si jini me shëndet ?
Të pranishmit : Mirë jemi. Po ti ç’e bëre xha Kolën ?
Mitrushi : Mos më ngitni nga ajo anë fare se xha Kola nuk qënka ai që e pandehnim, por
një cipëplasur që ja gjën rrallë shokun.
Të pranishmit : Çjanë këto fjalë që thua o Mitrush ? Atë e kemi në ballin e vendit. Dhe të
gjithë e nderojnë.
Mitrushi : Shkova parmbrëmë te xha Kola
Se në kafene nuk më kalon ora.
Trokas në derë, njeri s’m’u përgjegj
Dhe mua një dreq manie mu qep.
Që thoni ju, shikova nga një vrimë
Pak dritë brenda dhe ngula synë
Afrova veshin dhe një fër fër dëgjova
I bie derës dapa-dup dhe i fola
-Hape i them, jam unë , o xha Kola
-Hape a tu mbylltë i them dhe njëherë
Por ai siç dukej, s’e prishte qederë
Më në fund dhe unë po kuptoj
Që në një çast të keq po e trazoj.
Prap në vrimë atje ku futim kyçinë
Edhe njëherë karfosa mirë synë
E çfarë shoh ? M’u prish fare gjaku
Të jetë dhe i tillë, thashë, plaku ?
Xha Kola ynë po na bënte festë
N’varr të gjithë i futsha, s’them gënjeshtrë !
Dhe një zjarr zë e ma ndezi gjinë
Dhe diç më gargalis brenda të zinë
Hej, çfarë ashku na kish babaxhani
Fru-fru asaja i bënte fustani.
Si një franxollë e bardhë zonja ishte
Llokum Stambolli pa kishte ca…
Të pranishmit : Çfarë ca ? Ç’bënin ata ? Ç’bënin ata ?
Mitrushi : Çfarë ca…
Si them dot . Është me zarar.
S’them dot, jo, jo, jo, jo
Se më presin bukën-o !*
Të pranishmit :Mitrush prit, prit, ku po shkon ?
Mitrushi : Nesër, nesër. Sonte u bë vonë !