Parajsa e superpërfitimeve dhe privilegjeve të pamerituara përmes ligjit. / Nga Zija Lika

Parajsa e superpërfitimeve dhe privilegjeve të pamerituara përmes ligjit.

 

 

Nga Zija Lika

Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet, shqiptarët përjetuan një ndër diktaturat më të egra të regjimit komunist, me mohim total të lirive dhe të drejtave njerëzore, persekutim ekstrem, luftë klasash, varfëri dhe mjerim të pashembullt dhe shumë aspekte e fenomene të tjera tepër negative, ndërkohë që qeverisja e asaj kohe, bazohej realisht në parimin: izolim total dhe barazi në varfëri pothuajse për të gjithë.

Pas një periudhe gati gjysëm shekullore, pikërisht në vitet 1990-91,          si rezultat i lëvizjeve të fuqishme demokratike brenda vendit,                 të mbështetura në forma nga më të ndryshmet prej demokracive perëndimore, regjimi i mëparshëm komunist, diktatorial dhe çnjerëzor u shemb, ndërkohë që vrullshëm me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë (sidomos SHBA),  u realizuan një sërë transformimesh dhe reformash demokratike, si dhe filluan të ngrihen dhe funksionojnë institucionet e para të kësaj demokracie të brishtë dhe fëminore, që sapo kishte filluar të hidhte hapat e para.

Muret e izolimit të gjatë komunistë u shembën, ndërkohë një pjesë shumë e madhe e qytetarëve shqiptarë në kërkim të një jete më të mirë, që as kishin guxuar ta ëndërronin më parë, filluan dhe vazhduan të  emigronin drejtë vendeve perëndimore me çdo lloj forme, pa pyetur në shumë raste për pasigurinë dhe pasojat e kalimit të paligjshëm të kufijve. E  megjithatë  ja  vlejtën këto sakrifica dhe risqe që morën përsipër, pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre, duke përdorur aftësitë fizike, mendore dhe sipërmarrëse, për të punuar e zhvilluar edhe aktivitete ekonomike, në përputhje me legjislacionin e vendeve përkatëse, jo vetëm që e përmirësuan rrënjësisht cilësinë dhe standardin e jetësës në krahasim me më parë, por duke u pasuruar dhe nxjerrë përfitime të ligjshme në të ardhmen, ata jo vetëm dërgonin mjete monetare për familjet dhe të afërmit e tyre në vështirësi ekonomike, por një pjesë të madhe të kursimeve filluan dhe vazhduan ta investojnë në vendin e tyre, duke ndikuar pozitivisht në përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit ekonomik.

Prona private, liberalizimi i çmimeve, konkurrenca dhe aftësia sipërmarrëse, si shtylla të sipërmarrjes së lirë dhe elementë të fuqishëm të ekonomisë së tregut, të cilat filluan dhe vazhduan të instaloheshin, pavarësisht nga defektet e vërejtura dhe përgjithësisht të pranueshme për kohën, krijuan mundësinë që edhe një pjesë e qytetarëvë shqiptarë, falë guximit dhe kurajos, aftësisë sipërmarrëse, kapaciteteve  intelektuale dhe menaxheriale në zhvillim e rritje, si dhe cilësive dhe tipareve të tjera prej sipërmarrësi të suksesshëm, të investonin e zhvillonin aktivitete ekonomike, konform legjislacionit shqiptar, duke gjeneruar në vazhdimësi përfitime, të cilat në shumicën e rasteve dhe në pjesën më të madhe të tyre, riktheheshin në formë investimi në biznes, duke i dhënë impulse të reja pozitive zhvillimi ekonomisë.

Natyrisht, jo të gjithë vazhduan suksesshëm në këtë rrugë, pasi ata që u zhytën në shkelje të rënda të legjislacionit fiskal, nuk e përballuan dot konkurrencën (ndonëse jo në pak raste shoqërohej me probleme e deformime), apo nuk ishin të aftë të respektonin ligjet e tregut dhe t’i përgjigjeshin sinjaleve të tij, gradualisht filluan të bëjnë hapa mbrapa, deri në falimentim të aktivitetit të biznesit dhe dalje nga tregu, ndërkohë që kjo e fundit nuk përbën aspak çudi, pasi ndëshkimi në ekonominë  e tregut, është  kryesisht pasojë e natyrshme e “gabimeve dhe fajeve” të bëra më parë, apo konjukturave të disfavorshme dhe faktorëve të tjerë të rastit, të lidhura me risqet në ekonomi.

Deri këtu duket sikur gjithçka funksionon në rregull, konform legjislacionit dhe ligjeve të tregut,    por ky është vetëm këndvështrimi sipërfaqësor me një paraqitje jo plotësisht korrekte të situatës, pasi me kalimin e kohës dhe në vazhdim përgjatë gjithë tranzicionit, u vërejtën dhe u denoncuan përmes mediave dhe opinionit publik, raste jo të pakta, të favorizimeve fiskale( doganore, tatimore) të paligjshme, tenderave korruptivë, evazionit fiskal e kontrabandës dhe  lidhjeve miqësore për përfitime të pamerituara dhe jo në përputhje më legjislacionin, midis një pjesë të vogël biznesmenësh që shumë shpejtë u superpasuruan dhe disa prej politikanëve e  zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore, kryesisht në përkatësi të dy e më vonë të disa prej partive të tjera pjesëmarrëse në  koalicione me ta, që kanë qeverisur vendin tonë përgjatë 26 viteve të tranzicionit demokratik.

Këta biznesmenë, apo sipërmarrës të kësaj kategorie të superpasuruar (kryesisht falë lidhjeve të sipërpërmendura), prej shumë vitesh më parë e në vazhdim, janë cilësuar dhe vazhdojnë të cilësohen “oligarkë”, ndërkohë që disa prej tyre, të pangopur prej pushtetit ekonomik u përfshinë në politikë si deputet të kuvendit, poste të larta drejtuese e të tjera.

Nisur nga pamundësia për të zotëruar prova dhe fakte, në lidhje me kryerjen konkrete të shkeljeve të legjislacionit prej politikanëve të veçantë të rangjeve të larta, të lidhur me biznesmenë oligarkë   të përfolur për veprimtari korruptive, gjykoj se në respekt të pavarësisë së pushteteve dhe kodit moral të mirësjelljes, nuk më takon dhe nuk mund të përmend emra të veçantë të tyre, pasi pavarësisht se shumë prej tyre janë përmendur prej mediave të tjera dhe politikanëve të ndryshëm, në debatet parlamentare të zhvilluara më parë prej tyre, (ndërkohë që si rregull duhet t’i kishin denoncuar pranë organeve të drejtësisë), i takon strukturave të reja përkatëse  të drejtësisë,            të hetojnë dhe ndëshkojnë ligjërisht, kundrejt gjetjeve, fakteve e provave ligjore, të gjitha rastet e korrupsionit apo krimit të organizuar dhe veçanërisht ato të lidhura me politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët sikurse dihet dhe thuhet shpesh prej institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, janë mbrojtur nga fenomeni i pandëshkueshmërisë ligjore, rrjedhojë sidomos e faktit të mungesës së pavarësisë reale dhe kontrollit prej tyre, të pushteteve (legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor dhe mediatik) në vendin tonë.

Përveç sa më sipër, qytetarët shqiptarë konstatojnë apo informohen prej burimeve të ndryshme të informacionit, (të cilat fatmirësisht falë teknologjisë moderne bashkëkohore janë të shumta), se një pjesë e politikanëve apo zyrtarëve të lartë të shtetit, që kanë patur akses në qeverisjen e vendit, përgjatë 26 vjetëve të tranzicionit demokratik, janë superpasuruar dhe bëjnë një jetë gati përrallore,   me vila, hotele, disa apartamente, makina të shtrenjta, jahte, pushime dhe shkollime fëmijësh jashtë shtetit kundrejt pagesave shumë të larta, llogari bankare të shumave dhe valutave të ndryshme,       e të tjera, pa përmendur mundësinë e fshehjes së pasurisë  në emra të familjarëve apo të afërmëve të tyre, ose transferimin e valutës veçanërisht në vende të parajsave fiskale, si Panama, Qipro e tjera, duke e depozituar në banka, apo investuar në kompanitë misterioze të tipit offshore.

Lidhur me sa më sipër, natyrshëm lind pyetja:

 

Si është superpasuruar kategoria e politikanëve të korruptuar?

 

Le të paraqesim dhe analizojmë  njërin prej versioneve më të mundshme, ndonëse jo të gjithë kanë ndjekur të njëjtat mënyra dhe mjete për t’u pasuruar.

Në fillimet e demokracisë një pjesë e politikanëve apo zyrtarëve të lartë të shtetit, që kishin akses në qeverisje, të nxitur nga dëshira për t’u pasuruar, aq më tepër që rrogat shtetërore ishin shumë të ulta, mendonin se përfitimet pasurore mund të vinin kryesisht përmes shkeljeve të legjislacionit.

Duke mos e njohur mirë funksionimin e demokracisë në fillimet e saj dhe kjo gjë ishte normale,       aq më tepër që vinin nga një sistem diktatorial dhe monopartiak, kanë menduar se qënia në pushtet mund të jetë relativisht shumë e gjatë në kohë dhe për pasojë do të ishte shumë e mundshme,        të mos ndëshkoheshin ligjërisht, nisur nga fakti se këta lloj politikanësh kishin ndikim jo vetëm në pushtetin ekzvekutiv, por edhe në ato legjislativ, gjyqësor, mediatik dhe  institucionet e tjera gjoja   të pavarura të auditimit financiar e kontrollit të shtetit, ndërkohë që në rastin më të keq, do të mund t’i mbronte parashkrimi i afateve të veprave penale, të konsumuara shumë kohë para ndryshimit të pushtetit. Por me kalimin e kohës dhe duke i njohur më mirë, mekanizmat dhe rregullat e funksionimit të demokracisë, kuptuan fare mirë se pushteti në demokraci nuk është i përjetshëm, pasi mekanizmi i votës së lirë, aq më tepër në kushtet e zgjedhjeve të parakohshme, mund të sillte në çdo kohë përmbysje dhe kalim të tij në krahun e opozitës, ose  kundërshtarëve politik, shumë të prirur (sikurse propagandonin) për ndëshkim ligjor dhe çuarje para drejtësisë të ish pushtetarëve, nëse do të gjëndeshin prova dhe fakte për shkelje të legjislacionit.

Atëherë në këto kushte, mënyra e zgjedhur më parë  për t’u pasuruar përmes shkeljeve të ligjit,       që  do të linte patjetër  gjurmë, fakte dhe prova, të cilat do të vërtetonin lehtësisht  konsumimin e veprave përkatëse penale, ishte tmerrësisht e rrezikshme dhe patjetër duhej ndryshuar.

Cila do të ishte mënyra më perfekte e superpasurimit, që nuk do të sillte rreziqe, pasoja dhe ndëshkime ligjore?  Mesa duket, ata e kishin gjetur atë dhe e kishin plotësisht të mundshme,        (pasi kishin ndikim të madh në  zotërimin e kontrollin e të gjitha pushteteve), ndërkohë mekanizmi i veprimit të saj, sikurse e tregojnë argumentimet e mëposhtme, bazohej në parimin e fshehtë:

“Të miratojmë dhe zbatojmë ligje, që mund të  superpërfitojmë  e  privilegjohemi në rrugë ligjore”.

Përgjatë 26 vjetëve të tranzicionit demokratik, qeveritë dhe pushtetet kanë ndryshuar, duke kaluar disa herë djathtas e disa majtas, por kjo mënyrë perfekte e superpasurimit realisht të paligjshëm, por çuditërisht përmes ligjit, është përqafuar ëmbëlsisht dhe zbatuar prej të gjitha palëve. Mendohet se në në  vazhdimësi në  ideimin dhe mbajtjen gjallë të kësaj mënyrë, me qëllim sigurimin e superpërfitimeve, ka qënë  i madh edhe ndikimi i kategorisë  së  sipërmarrësve  të  etiketuar si        “oligarkë” dhe të përfolur shpesh, për lidhje interesash pasurore me krerë të veçantë  të  politikës.

Të tilla ligje apo akte nënligjore, që provojnë dhe argumentojnë atë çka themi, mund të përmendim ato që lidhen me:

Privatizimet, të cilat përfitoheshin kundrejt pagesave minimale qesharake, në shifra që çuditërisht shoqëroheshin edhe me qindarka, për të treguar se sa i saktë ishte shteti, ndërkohë që objektet dhe pasuritë më me vlerë të tij (realisht prej disa milion euro, për çdo rast), përfundonin në duart e pushtetarëve të niveleve të ndryshme, familjarëve, të afërmve të tyre dhe oligarkëve të lidhur me pushtetet përkatse, përmes aferave korruptive.

Përdormin e letrave me vlerë (të cilat pothuaj nuk kishin asnjë vlerë), por ato ju duheshin pushtetarëve, të afërmeve të tyre, të fortëve dhe oligarkëve, të privatizonin (sikurse kanë privatizuar), objekte të shumta me rëndësi të madhe ekonomike e strategjike, të cilat arrijnë një  vlerë totale reale prej disa miliardë euro, por që  thuajse janë marrë falas duke u privatizuar me këto letra me vlere, të cilat realisht nuk kishin dhe vazhdojnë të mos kenë asnjë vlerë (ndonëse afati i vlefshmërisë së përdorimit të tyre, është shtyrë me ligj herë pas here, deri në vitin 2021 dhe me sa duket, do të shtyhet më tej), ndërkohë që në qeverisjen e parë të së djathtës shqiptare, mbështetur në heshtje edhe nga opozita e majtë e asaj kohe, propagandohej se qeveria shqiptare më në fund, po “dëmshpërblente” punën e papaguar nga sistemi komunist diktatorial.

Komisionin e administrimit të  firmave piramidale, që gjithçka bëri në favor të interesave personale, duke shfrytëzuar kompetencat e dhëna nga ligji përkatës, por shumë  pak apo thuajse asgjë në  mbrojtje të  interesave të ish kreditorëve fatkeqë, të  cilët në  shumicën e rasteve vendosën dhe humbën në  këto firma fantazëm, pothuaj të gjitha kursimet e tyre përgjatë  periudhës 1993- 1997, duke sjellë  si pasojë  shthurjen dhe shkatërrimin total të  shtetit dhe hyrjen e tij në  periudhën më  të  errët  historike,  të  paparë  ndonjëherë deri në  atë  kohë.

Kanë  kaluar afërsisht 20 vjet  nga ngritja e këtij komisioni, (mandati i veprimit të të cilit në kohë, çuditërisht zgjatet herë pas here) dhe ish kreditorët, përveçse morën vetëm disa qindarka, bashkë  me premtimin mashtrues se do të  kishte edhe një  herë  tjetër të  dytë  apo të  tretë  për likujdim detyrimesh (pas rikuperimit që  do t’i bëhej  këtij borxhi, por që  asnjëherë  më  vonë  nuk solli efekte pozitive për ta), nuk kanë  pritur dhe nuk mund  të  presin më  asgjë, ndonëse çuditërisht akoma ky komision, vazhdon paturpësisht “punën rikuperuese të  dëmit të  pësuar”, në  pritje gjoja të  maksimizimit të  të  ardhurave nga shitja e aseteve të  mbetura, të  cilat do të  ishte shumë  herë  më  mirë  të  konfiskoheshin me ligj të  veçantë  nga shteti dhe përdoreshin për qëllime sociale si dhe  ndërtimin e një  muzeu  historik tepër të  vizitueshëm, që  do të  përcillte mesazhe të  qarta edukuese, veçanërisht për brezin e ri, sesa  të  vazhdojnë  të  shpërdorohen, abuzohen dhe vidhen pafundësisht, deri në  qindarkën e fundit.

Legalizimet e objekteve ndërtimore, të lejuara qëllimisht  më parë nga qeveritë përkatëse,              ku  askush nuk mbajti përgjegjësi ligjore për masakrën urbane dhe disa qindra mijëra ndërtime të  paligjshme në krejt territorin shqiptar, sidomos në qendrat e qyteteve, lulishte, bregdet e tjera,        ku legjislacioni përkatës në këto rrethana  të  krijuara  të  shkeljes masive të  ligjit, jo vetëm e amnistoi këtë  vepër  penale (gjë  e cila ishte e justifikueshme), por nga ana tjetër çuditërisht tokat e zaptuara  dhe të grabitura të ish pronarëve, shumë më tepër se sa nga grabitësit dhe zaptuesit e tyre, (të cilët i legalizuan ato me çmime shumë  poshtë  niveleve respektive të tregut),                        ju kompensohen financiarisht atyre (ish pronarëve) nga taksat që paguajnë qytetarët e tjerë,             të cilët nuk kanë përfituar asgjë nga ky fenomen.  Përllogaritet se për shkak të  favorizimeve  ligjore të  pamerituara me karakter financiar e fiskal, që lidhen me pagimin e çmimit të  tokës, shumë poshtë çmimit të tregut dhe me faljen e detyrimeve fiskale (kombëtare dhe vendore) për objektet e ndërtimit, në  interes të  shkelësve të  ligjit dhe në  dëm të  buxhetit të  shtetit, ky i fundit deri         në  përfundim të proçesit të  legalizimeve në  të  gjithë vendin, do të  mund të  arkëtojë  disa miliardë  euro më  pak.  Gjatë periudhës së masakrimit urban të territorit, i cili veprojë  më  fuqishëm            (të  paktën deri në fund të vitit 2005), praktikisht u zbatua rregulli i pashkruar: “Toka i takon të zotit, por e merr më i zoti”, ku “më i zoti” nënkuptonte: zaptuesin, grabitësin, falsifikatorin e  dokumentave,  korruptuesin e zyrtarëve  kompetentë të shtetit,  sistemit  të drejtësisë  e të tjera.

Konçensionet, tenderimet e prokurimet publike, favorizimet fiskale (doganore, tatimore), si dhe sipërmarrjet e tipit: Parneritet, Publik, Privat (PPP), të cilat në shumicën e rasteve kanë rezultuar me fenomene megahajdutërie pushtetarësh (të përfolur e akuzuar për korrupsion) dhe oligarkësh    të tjerë të lidhur me ta (sipas denoncimeve të  bëra më  parë,  sidomos në  media të  ndryshme), ndërkohë që përfitimi i interesit publik ka qënë jo ai i duhur ose fare i papërfillshëm.

Politikat ekonomike që synonin nxitjen e  investimeve të huaja, të reklamuara fuqishëm sidomos përmes sloganit “Shqipëria një euro” dhe të shoqëruara me dhurime asetesh kapitale prej disa dhjetëra apo qindra milion euro (toka me destinacion ndërtimi e të tjera), si dhe përjashtime detyrimesh fiskale për periudha disavjeçare, në interes të kompanive të huaja, shpesh të lidhura me fije të dukshme apo të padukshme interesash jo ligjore, me përfaqësues të oligarkisë sipërmarrëse vendase, apo politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit, të përfolur për përfshirje në afera korruptive            (sipas denoncimeve të ndryshme në media, rrjete sociale, opinion publik e të tjera), shumë më tepër se sa i shërbyen qëllimit për të cilin u ndërmorrën, dëmtuan rëndë interesin publik (buxhetin e shtetit), konkurrencën midis subjekteve të biznesit, duke e deformuar më shumë atë, si dhe  nxitën akoma më tepër korrupsionin  në nivelet e larta të drejtimit shtetëror.

Fshirjen dhe/ose faljen e borxheve  fiskale (detyrimeve, gjobave e kamatëvonesave) dhe borxheve publike, të miratuar gati çdo fund mandati qeverisës përgjatë periudhës së tranzicionit, me vlera që variojnë nga 400 -700 milion euro për çdo rast  dhe i propaganduar se gjoja do t’i jepte frymëmarrje sidomos bizneseve dhe ekonomisë në tërësi, shumë më tepër sesa kaq i ka shërbyer, politikave populiste elektorale, abuzuesve dhe shkelësve të shumtë të ligjit (duke përfshirë brenda tyre edhe miq, të afërm apo përfaqësues të oligarkisë financiare, të lidhur me pushtetet respektive), duke nëpërkembur dhe ekzekutuar pamëshirë,  përmes një firme e vule famëkeqe por fatkeqësisht  me fuqi ligjore, të ndershmit, drejtësinë, respektuesit e ligjit dhe aq më tepër moralin e shenjtë të zbatimit të ligjit, sipas parimit “njëlloj dhe i barabartë për të gjithë”.

Ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, që sikurse dihet përgjatë gjithë periudhës së deritanishme të tranzicionit, është shoqëruar me problematika dhe pasoja negative tepër serioze, sidomos për buxhetin e shtetit, të shkaktuara kryesisht nga institucionet dhe strukturat e ndryshme shtetërore, të cilat e kanë detyrim ligjor realizimin në kohë të këtij ekzekutimi.  Kështu përshembull,  mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për rikthimin në vendin e mëparshëm      të punës, aktualisht të rreth 3000 ish punonjësve me status nëpunësi civil (zotërues të këtyre vendimeve), të larguar më parë padrejtësisht nga puna pas vitit 2000 e në vazhdim, i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë buxhetit të shtetit (taksapaguesve shqiptarë) një dëm ekonomik (pagesë parazitare, inproduktive) prej rreth 15-20 milion euro çdo vit, duke i dëmshpërblyer ata sistematikisht derisa të jenë gjallë (nëse nuk kryhen procedurat ligjore të rikthimit në punë dhe mesa duket është shumë e mundshme që kështu të ndodh), pavarësisht faktit se ku ndodhen brenda apo jashtë vendit, ose çfarë pune tjetër bëjnë, madje edhe kur punojnë në një pozicion tjetër pune në sektorin publik e paguhen për të.  Vlen të theksohet, se këtij dëmi të madh ekonomik i shtohet edhe dëmshpërblimi (në një numër të caktuar pagash mujore për çdo rast)  i dhënë për disa mijëra ish punonjës të tjerë me kod pune, të larguar më parë padrejtësisht nga puna dhe që kanë zotëruar vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre. Nga ana tjetër, mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, lidhur me rikththimin apo kompensimin fizik të pronave të ish pronarëve, ka dëmtuar rëndë  shtetin shqiptar (si palë humbëse) dhe buxhetin e tij me disa qindra milion euro, si rezultat i detyrimeve, sanksioneve dhe penaliteteve ligjore, të vendosura nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) me seli në Strasburg, në përfundim të gjykimit individual apo pilot (në grup), të padive civile të ngritura pranë kësaj gjykate, prej një numri të konsiderueshëm ish pronarësh shqiptarë dhe fitimit të çështjeve përkatëse gjyqësore prej tyre.

Pagat, urdhërshërbimet, shpërblimet, pensionet shtetërore suplementare dhe trajtimet privilegjuese (eskorta shoqërimi, automjete të shtrenjta luksi  e  të  tjera), për personat që kryejnë detyra kushtetuese, deputetët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, ku padyshim bëjnë pjesë të gjithë poltikanët e rëndësishëm, të cilët sikurse dihet për shkak të përkatësive të ndryshme e të kundërta politike (aq më tepër në vendin tonë, ku zhvillohen beteja të ashpra për ta marrë dhe/ose mbajtur pushtetin), përfshihen shpesh herë dhe egërsisht në debate, replika e polemika, por në të kundërt me këto zhvillime (ku nëse njëra palë  thotë e voton “po”, tjetra padiskutim “jo”), vetëm në këtë pikë që lidhet me përfitimet e privilegjet, ata unanimisht dakortësohen, miqësohen në heshtje dhe vetëdorëzohen, “armët” e betejës heshtin, ndërkohë që kanë qenë, janë dhe do të jenë  gjithmonë të interesuar, që këto përfitime, shpërblime e trajtime privilegjuese,  të konfirmuara nga ligji që vetë e hartojnë e miratojnë,  të jenë sa më të majme e të shëndetshme, paçka se mirëqënia ekonomike e shumicës së qytatarëve, ka qenë dhe është në nivele shumë të ulta dhe problematike.

Nisur nga sa më  sipër, ndërkohë  që  mund të  paraqesim edhe të  tjera argumenta, trajtime dhe arsyetime në  funksion të analizimit  të këtij fenomeni, rezulton se superpasurimi ekstrem i pjesës së korruptuar të politikanëve apo zyrtarëve të  lartë të shtetit dhe i kategorisë  së  të  ashtuquajturve “oligarkë  të  sipërmarrjes”, të  lidhur ngushtësisht me njëri-tjetërin përgjatë periudhës  26 vjeçare të tranzicionit të  stërgjatur “demokratik” shqiptar, më shumë  se sa  rezultat i përfitimeve të  rrjedhura nga shkeljet e legjislacionit, është  dhuratë  superpërfitimesh dhe privilegjesh të pamerituara, të  siguruara përmes hartimit, miratimit dhe zbatimit të  akteve ligjore dhe nënligjore me sfond juridik dhe ekonomik, korruptiv dhe të kompromentuar.

Përllogaritet përafërsisht (pa përmendur trafiqet e munndshme të narkotikëve, armëve dhe prostitucionit), se nëpërmjet shkeljeve të legjislacionit, që lidhen me  evazionin fiskal, kurrupsionin, kontrabandën, keqpërdorimin e fondeve publike e të tjera dhe humbjeve reale financiare, të shkaktuara si pasojë e realizimit të superpërfitimeve e privilegjeve  të pamerituara përmes ligjit, (sikurse themi më sipër), buxheti i shtetit të ketë humbur përgjatë gjithë periudhës së deritanishme të tranzicionit, rreth 40 miliardë euro.    

Periudha e deritanishme 26 vjeçare e tranzicionit të stërgjatur demokratik shqiptar, na tregon se: mungesa e pavarësisë reale të pushteteve, kontrolli i tyre nga politika (sidomos nga eksponentët dhe krerët kryesorë të saj, që kanë qeverisur vendin), pamundësia reale e qytetarëve për të ndikuar në vendimmarrje të rëndësishme, apo për të marrë pjesë në zgjedhjen e drejtëpërdrejtë të përfaqësuesve të vetë (deputetë) në kuvend, kreut të shtetit (presidentit), e të tjerë, si dhe mungesa  reale e pavarësisë së institucioneve përkatëse kushtetuese apo të krijuara me ligj, të cilat vetëm fomalisht janë quajtur “të pavarura”, kanë qenë dhe mbetën faktorët më të rëndësishëm negativë,    që kanë sjellë si pasojë: nxitjen dhe rritjen e korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta të politikës    dhe drejtimit shtetëror (sikurse citohet shpesh edhe nga ndërkombëtarët), zbehjen e venitjen e konkurrencës, arbitraritetin subjektiv, arrogancën e prepotencën (sidomos në  nivelet e larta të  drejtimit shtetëror), krijimin, rritjen dhe forcimin e oligarkisë financiare të lidhur ngushtë me politikën, politizimin e institucioneve të administratës publike (kryesisht në të gjtha nivelet e drejtimit), thellimin ekstrem dhe dramatik të diferencave në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, midis kategorive të ndryshme shoqërore, nivele të ulta të investimeve, prodhimit dhe  mirëqënies ekonomike (ku rreth 50% e qytetarëve, jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, ndërkohë që një pjesë e tyre e ka këtë tregues jo më shumë se 1 dollar), norma të larta papunësie (sidomos tek të rinjtë), politika sociale të varfëra dhe shumë pak të efektshme, nivele të larta të (defiçiteve vjetore të buxhetit të shtetit, bilancit tregtar e të  pagesave), borxhit bublik, evazionit fiskal, kontrabandës e trafiqeve të tjera të paligjshme, prirje në rritje të qytetarëve për t’u larguar nga vendi, kryesisht për motive ekonomike (rreth 56%, e tyre, sipas sondazhit të fundit të publikuar në media në muajin Qershor 2017), si dhe ngadalësim të pajustifikuar (vetëm për faj të politikës dhe krerëve të saj), lidhur me hedhjen e hapave të mëtejshme drejt proçesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Pavërësisht nga sa më sipër, jam optimist dhe shpresëplotë se falë refomës në drejtësi, implementimit të saj në të ardhmen dhe veçanërisht falë angazhimit si asnjëherë tjetër të partnerëve tanë strategjikë amerikanë dhe europianë, gradualisht do të ketë ndryshime shumë pozitive, në funksion të rivendosjes të një demokracie të vërtet dhe reale, pavarësisë së plotë të pushteteve (legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor, mediatik e të tjera), barazisë reale para ligjit dhe drejtësisë të të gjithëve (kushdoqofshin ata), shembjes së murit të pandëshkueshmërisë ligjore të deritanishme,  të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të korruptuar, e të tjera, të cilat padyshim në të ardhmen, do të sjellin impakte pozitive në rritje, në ekonomi, punësim, prodhim, investime, politika sociale më efektive, si dhe në përmirësimin real (jo propagandistik), të standarteve të mirëqënies ekonomike dhe cilësisë së jetesës së mbarë qytetarëve.

Historia e deritanishme 26 vjeçare e tranzicionit demokratik shqiptar, nisur nga sa më sipër përgjegjëson të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, që kanë qeverisur vendin tonë përgjatë kësaj periudhe, por nëse disa prej tyre, që do të rezultojnë të pastër e të papërlyer në korrupsion dhe me asete pasurore në pronësi të justifikuara ligjërisht (bazuar në verifikimet përkatëse ligjore, që do të realizojnë organet e strukturat e reja të sistemit të drejtësisë, të monitoruara, ndihmuara e mbështetura nga ekspertiza profesionale  ligjore  e  ofruar nga partnerët tanë strategjikë amerikanë dhe europianë),  do të  kenë detyrimin moral e qytatar, të dorëhiqen nga politika (të paktën për mungesë aftësie e vizioni dhe veçanërisht kur kanë kohë të gjatë në të dhe drejtim shtetëror), të tjerët  do  t’i pres  ndëshkimi ligjor, bazuar në gjetjet, faktet dhe provat, që do të vërtetojnë konsumimin prej tyre të veprës penale të korrupsionit, ndërkohë që pasuritë dhe asetet e tyre të kudondodhura (në mjete monetare, pasuri të patundshme, letra me vlerë, e të tjera), të cilat  do të rezultojnë të vendosura mbi bazën e përfitimeve korruptive, apo burimeve të tjera të paligjshme, do të konfiskohen përfundimisht për llogari të shtetit, në dobi të interesit publik.

Të njëjtin fat pritet të kenë edhe ata prokurorë e gjyqtarë, të cilët në përfundim të këtij proçesi ligjor verifikues, do të rezultojnë të korruptuar apo me asete pasurore në pronësi të pajustifikuara ligjërisht.

Pra më në fund janë gjetur “çelësi magjik” dhe “leva e Arkimedit”, të cilat do të sjellin gradualisht ndryshimin pozitiv të kërkuar, duke goditur njëkohësisht të keqen më të madhe të shoqërisë (korrupsionin)  në  thembrën e tij të Akilit.

Shqipëria do të ketë shansin, të mos jetë më “parajasa e superpërfitimeve dhe privilegjeve të pamerituara”, qoftë edhe përmes ligjit.

Le të shpresojmë!   

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s