Kalendari poetik: Julio Cortázar (1914-1984)
Sot është data e lindjes së shkrimtarit, poetit, kritikut e dramaturgut argjentinas. U lind më 26 gusht 1914 në Belgjikë (i jati qe diplomat); lexonte shumë qysh i vogël, madje dhe autorë si Edgar Allan Poe, të cilin e përktheu në spanjisht nga fillimi i viteve ’50. U mor edhe me studimin e trombës dhe saksofonit duke qënë i dhënë pas muzikës xhaz. Jetën e vet mes Francës e Argjentinës e përshkroi në kryeveprën e llojit antiroman “Rauyela – loja e botës”. Argjentinasi tjetër i shquar Jorge Luis Borges e vlerësonte shumë këtë shkrimtar, duke krahasuar me Poe-n dhe Çehovin. Cortázar ndrroi jetë në Paris më 12 shkurt 1984 dhe u varros në Montparnasse. Ja një prej poezive që kam nga ky poet:
SHAKATË E BOTËS
Për shumë njerëz, dashuria është të zgjedhësh një femër
e të martohesh me të.
Ju betohem, i kam parë të zgjedhin.
Sikur mundkemi të zgjedhim në dashuri,
sikur s’qenka rrufe që godet,
eshtrat t’i thyen
e shtrirë të le pa frymë.
Mos më thoni zgjedhin atë që dashurojnë,
besoj se krejt ndryshe ndodh.
Beatriçja nuk zgjodhi, as e zgjodhi kush,
Xhulieta gjithashtu.
Ti shiun nuk e zgjedh aspak
që të qull deri në palcë
kur del nga koncerti jashtë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj