Gjon Ujka nga Trieshi, një ndër malësorët e parë që emigroi në Amerikën e largët / Nga Zef Kolë Gjokaj (Ish delegat i Kuvendit të Parë së Komunës Urbane të Tuzit)

Gjon Ujka nga Trieshi, një ndër malësorët e parë që emigroi në Amerikën e largët

 

Nga Zef Kolë Gjokaj (Ish delegat i Kuvendit të Parë së Komunës Urbane të Tuzit)

Fjalim me rastin e shpalosjes së pllakës përkujtimore të Gjon Ujkë Gjurashaj, të mbajtur më 13 gusht  2017

Të nderuar vëllezër e motra, të nderuar bashkvendas, të nderuar familjar të burrit trieshjan që emigroi  në Amerikën e largët, malësorit dhe mërgimtarit tonë të hershëm, Gjon Ujkë Prelë Gjurashaj.

Gjon Ujka Gjurashaj, është një ndër malësorët parë që kaloi Atlantikun e emigroi në Amerikën e largët.

Rasti i Gjonit është i veçant, ai u nisë në një rrugë të paditur e të pakalueshme për atë kohë,  donte të tejkaloi skamjen dhe varfërin, kaishtu ai u vu në shërbim të familjes dhe vendlindjes. Të shkruash për Gjoni dhe fisin Gjurashaj, prej kah rrjedh familja e tij, është privilegj dhe nder, por edhe përgjegjësi morale që të vecosh burrat e këtij fisit që me veprat e tyre kanë shkruar faqet e lavdishme të historisë në këto treva. Andaj sot vërtetë ndihem krenar dhe jam i nderuar që mu dha ky rast që të flas këtu në vendlindjen e Gjonit, në Nikmarashin e Trieshit, vendlindje e shumë burrave në za, që treguan veten me trimërin e tyre, në luftëra dhe beteja të ndryshme për liri që nga lufta e ndëgjuar e Trieshit në Lamë të Nikmarashit e deri tek Lufta e Lemajës,  që ishte pararëndëse e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, që u kurorzua me ngritjen e flamurit kombëtar në Malin legjendar të Deçiqit, me 1911, lajmëtare e pavarësisë dhe shtetit shqiptar në vitin 1912.

Nikmarashi është i njohur edhe si vendi i zhvillimeve të luftrave të  ndryshme anti-turko-sllave, por lufta më e dalluar që do të mbetet në analet e historisë së Trieshit është lufta në Lamë të Nikmarashit. Kjo rezistence e trimave trieshianë nga sulmi i tërbuar i ushtrisë malazeze në vitit 1856, që kishin të vetmin  qëllim, shfarosjen e banorëve të Trieshit në tërësi, mbeti një ndër fitoret më të lavdishme të fiseve shqiptare kundër pushtuesit malazez.

Sipas gojëdhënave të vetë trieshianëve por edhe duke u bazuar nga burimet e forta historike, ushtria e princ Danillos, kishte lënë në Lamë të Nikmarashit dhjetëra ushtarë të vrarë e shumë të tjerë të plagosur.

Mejdanxhitë e dalluar trieshian në dyluftim me shpata ishin dy Nikmarash, Smajl Pjetri Cacaj dhe Mar’ Gilë Doshi Margilaj, të shoqëruar nga Tomë Pretash Dreli Nikprelaj i Benkajve dhe Gjelosh Nika Gjokaj i Muzheçkut.

Gjurmët e kësaj disfate të principatës malazeze në Triesh, pas gjysmë shekulli kishte tentuar ti zhdukë nga faqja e dheut Princi Nikolla, i cili sipas gojëdhënave të përciellura nga gjyshërit tanë, të cilët ishin dëshmitarë të asaj kohë, pasi e kishte pushtuar Trieshin, ai kishte urdhëruar të hiqen të gjithë kilanat(gurët), nga varret e ushtarëve të vrarë të ushtrisë malazeze në Nikmarash.

Për këtë luftë dhe rezistencë heroike të trieshianeve që u zhvillua këtu në Lamë të Nikmarashit, do të shruante edhe françeskani shkodran dhe rilindësi shqiptar  At Marin Sirdani.

Për të folur për besën, bujarinë dhe trimërinë e Nikmarashit dhe të kësaj Mahalle, do të duheshin të kemi në shërbim, jo vetëm orë por ditë të tëra, por shkurtimisht nuk mundem pa përmend disa nga këta burra që i shtuen dhe i dhanë Trieshit lavdi para Malësisë dhe Kombit Shqiptarë, si; trimrinë e Gilë Doshit dhe Pjetër Vukanit, urtinë dhe trimninë e Mal Kaculit, sakrificën për besë e tradite shqiptare të Dodë Smajlit, guximin e Mal Vuksanit e Lucë Gjo’Matit, si dhe trimat e njohur e luftëtarë si; Gjeto e Malotë Gjeka, Lucë Hasi, Smajl Preçeta Mixha Pali, Tomë Preloci, Nikë Zeka, Cub Smajli, Maluk Vata, Tomë Hasi, Lulash Smajli, Lekë Curi, Nishkë Prela, Gjon Ujka etj. Të gjithë këta burra e treguan veten e tyre nëpër luftra dhe beteja të ndryshme që nga Lufta e Trieshit në Lamë të Nikmarashit kundër hordhive të Princ Danillos me 1856, lufta dhe djegëja e Trieshit para Kongresit të Berlinit, nga Mark Milani më 1877, Lufta e Qafë Nagrivë kundër bashibozukëve turq më 1862, Lufta e famshme e Lemajës, kundër nizamëve turq me 1907, e deri tek Kryengritja e Malësisë së Madhe kundër pushtuesit osman më 1911,  luftë që udhëhiqej nga Fatosi i Maleve, Dede Gjo’ Luli.

Dera e Gjurashajve ishte dhe mbeti një fenomen i dhuntisë dhe dashurisë hyjnore, nga kjo vëllazeri kishin marrë thirrjen e Zotit, tre djem të ri, nga tri gjenerata të ndryshme; Nikë Shaba Smajli, i cili pasi mbaroi studimet dhe hyri ne Noviciat në Shkoder, vdiq nga një sëmundje në Bosnje para se të shugurohej për Meshtar, Lul Vuksani – Patër Andre Gjekaj, Meshtar në Ljare, Salç dhe në famullinë e Malit të Kolajve të Velipojës, që vdiq në Kryengritje të Malësisë dhe Prelë Kola – At Dr. Prelë Gjurashaj, i cili , ishte emëruar nga Ati i Shenjtë – Papa Gjon Pali i II-të, Administrator në Dioçezën e Pultit, në Prillin e vitit 1998, vend që kishte mbetë zbrazet pas vdekjes së Mons. Robert Ashta, OFM, një ndër ata të paktët meshtarë që i kishin shpëtuar dhunës së egër komuniste të Enver Hoxhës. Po ashtu pa dashur të prekim njohuritë filozofike të këtij kleriku trieshian, nuk mundem pa potencuar se Patër Prelë Gjurashaj, sot është një nga seminaristët më të shquar në gjithë hapsirën shqiptare.

Nuk kam si të flas pa u ndalur pakëz tek biri shtrenjtë i këtij fisi, tek At Andre Gjekaj, prelat i grigjes së popullit të vet, një figurë e ndritur fetare-kombëtare; i cili ishte Ligjërues i Kolegjit Françeskan në Shkodër, guximtarë i kohës, pjesëtar i Luftës së Lemajës dhe Kuvendit të Greçës në Triesh,  meshtar, patriot dhe udhërrëfyes përkushtuar i binomit “Fe e Atdhe”.

Në verën e vitin  1907, At Gjekaj, në Triesh themelon shoqatën “Flamuri”, me anëtarët e saj  nga të gjitha fshtrat e Trieshit, kryetar i të cilës zgjidhet Prelë Lucë Hasi. Kështu kjo shoqatë, me në krye At Anre Gjekaj, ngriti flamurin kombëtar në Triesh. Pushtuesi Princ Nikolla, mbasi muar vesh çeshtjen e flamurit dërgojë dy agjentët e vetë që ta hjekin flamurin, por këta do të bjenë pre e këtij flamurit, duke u plagosur nga baroti i vunë enkas për ata që do të tentonin ta hjekin fllamurin nga vendi. Këta malazezë  pasi plagosen ikin të tyrpëruar në Mal të Zi, kurse Flamuri Shqiptar që ndoshta ishte edhe flamuri i parë shqiptarë që valvitej në troje shqiptare, qëndojë për shumë kohë stoik e kryelartë në Nikmarash të Trieshit. Vlen të theksohet se tre antarët e kryesisë së shoqatës “Flamuri”; Prelë Lucë Hasi Arapaj, Tosh Lekë Cugani Dedivanaj dhe Ujkë Smajl Toma Gjokaj, do të vriten në vitin 1918 nga nga xhandmeria serbe, dhe njëkohësisht janë viktimat e para në Malësi të cilët u vranë ditët e para  të pushtimit të Malësisë nga mbretëria jugosllave.

Vdekja e françeskanit, Patër Andresë, i cili u flijue për Atdhe kundër pushtuesit Turk,  dokumentohet në “Nekrologun e Provincës Shqiptare të Zojës Nunciatë”, ku Urdhëri i Fretërve Minorë, shkruan se: “Fra Andrea Gjekaj nga Trieshi vdiq me 08 tetor 1912.

Pra Petër Andrea u vra në vazhdimsinë e luftës anti-turke të Kryengritjes së Malësisë, ku ai si “Kapelan Ushtrie” i fesë së Krishterë, gjatë Kryengritjes së Malësisë, kishte kryer detyrën duke i shkuar në ndihmë popullit të vet, i cili do të vritet me 08 tetor 1912, pra tri ditë para se topat e Malit të Zi, filluan të hedhin gjylet e para në qytetin e Shkodrës, më 11 tetor 1912. Më këtë rast Patër Andea Gjekaj, është dhe mbetet hero dhe martir i fesë dhe atdheut në mrojtje të popullit dhe Atdheut të vet.

Këto fakte historike të lartëpermendura janë të dokumentuara e shkruaura në arkivat kishtare dhe nga françeskanët shqiptarë të asaj kohe!

Për hirë të temës që më është besuar nga pasardhësit e familjes së Gjon Ujkës, nuk kam qëllim me hyrë në historikun e kësaj treve, por nuk mundem pa cekë se Trieshi, është i njohur si një vend i fenomeneve kombëtare.

Trieshi është një qendër e njohur e kulturës shqiptare. Në këtë trevë lindën intelektualët dhe ideologët e Rilindjes sonë Kombëtare, Martin, Mirash e Nikollë Ivanaj, këtu lindi Dr. Athanas Gega, autor i veprave të mëdha shqipe, veprimtari, historiani dhe filozofi i madh shqiptarë, njohësi më i mirë shqiptarë i historisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Poashtu në Triesh lindën dhe u rritën pishtarët e parë të arsimit në Malësinë e Madhe, të prirë nga mësuesi Tomë Smajli Gjeloshaj, patriotët, Gjon Gjeka Lucaj, Kolë Preloka Gegaj, Preloc Marku Lekoçaj, Kolë Gjoni Gjokaj, Nikollë Zefi Prenkoçaj, Tom Leka Lucaj etj.

Këtu në Triesh, për herë të parë u tha Mesha e Parë në gjuhën shqipe, në Kishën “Zoja Rozare”, në vitin 1965, të cilën e celebroi famullitari i Trieshit, i tri dekadave At Zef Jankaj.

Për tu kthyer përsëri në historinë e këtij lokakiteti, nuk mundemi të anashkalojmë faktin se këtu në Nikmarash, ishte vatra e kultivimit dhe rrezistencës së arsimit shqip, këtu trieshianet nuk lejuan të mbyllet shkolla shqipe, kur politika hegjemoniste e Rankoviqit, nëpërmes Ministrisë së Arsimit, në vitin 1953, kishte për qëllim mbylljen e shkollave shqipe në trevat shqiptare, por në Triesh, gjetën ata që nuk e pritnin, sepse këtu si askund tjetër gjetën mësuesët dhe trimat malësorë trieshian, të vendosur e me këmbëngulje protestuan mu këtu në Lamë të Nikmarashit të mbrojnë shkollat dhe arsimin shqip në Triesh.

Po ashtu këtu në Triesh, për herë të parë në të gjitha viset e banuara shqiptare nën ish Jugosllavi, do të pagëzohet shkolla e parë shqipe me emrin e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti SKENDERBEU, emër të cilin e mbanë edhe sot me krenari kjo shkollë. Për këtë arritje dhe emërtim, meritën kryesore e mban Drejtori  i atëhershëm i Shkollës Fillore, Gjergj Marash Hasanaj, bashkë me Kolektivin e Shkollës së Trieshit.

Nga Trieshi dualen edhe dy figura të ndritura, intelektualët dhe veprimtaret e mëdhenj  shqiptarë të Amerikës; gazetari i parë shqiptarë nga trevat tona në “Zërin e Amerikës” z. Gjekë Nikë Gjonlekaj, si dhe shqiptari i parë i ftuar në Inagurimin e Presidentit të Amerikës, z. Tomë Kolë Gjokaj.

Sot fshati Nikmarash, do të ndihet më i kompletuar, më krenar, më i njohur dhe i respektuar si vatër që lindi e rriti trima dhe luftëtar, që lanë vulën e tyre në historinë e lavdishme shqiptare, në periudha më të rëndësishme dhe më vendimtare të sajë, ku luftohej dhe vendosej fati i Malësisë dhe Atdheut. Kjo dëshmohet se sot, nga pllakat përkujtiomre të vendosur në këtë fshat, luftëtarit të dalluar të Mark Gjurashajt, trimit Malot Gjekës një ndër organizatorët e luftës së lavdishme të Lemajës, dhe Dodë Smajlit, sinonim i besës dhe traditës shqiptare të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Këtyre personaliteteve që shënuan kohën dhe bënë historinë, po i shtohet edhe një pjesë e historisë së lavdishme dhe sakrificës për vatan, ajo e Gjon Ujkës, shqiptarit, emri i të cilit është gravuar edhe në statujen e lirisë në New York – SHBA.

Gjon Ujka, lindi në vitin 1883, në Oxhakun e vëllazërisë së Gjurashajve, e njohur ndër malet tona si derë fisnike, me traditë shqiptare që e karakterizonin tiparet më të larta njerëzore, sikurse janë; besa, trimëria dhe burrnia malësore, veti që u përcollën brez pas brezi nga kjo vëllazëri, deri në ditët e sotme.

Gjoni Ujka, ishte luftëtar i Luftës së Lemajës dhe krahu i djathtë i kushrinit të tij Maluk Vatës, që u dallua për trimëri në këtë luftë.

Nga luftrat dhe kryengritjet e shpeshta të malësorëve kundër pushtuesve turko-sllav, në Triesh mbretëronte një skamje e tmerrëshme, sikur edhe në të gjitha viset tjera shqiptare të pushtuara, aq sa që ishte e vështirë për tu siguruar edhe kafshata e gojës. Kjo gjendje e rënduar, ishte e pa pranueshme për Gjonin, dhe kah fundi i vitit 1907, në prag të atij ndimri të acartë, Gjoni me shokët e vet do të nisej për në Itali, duke filluar rrugëtimin e tij në tokën e premtuar në Amerikën e largët. Në Itali, Gjoni gjënë shoqëri dhe respekt në mesin e arbëreshve të cilët habiten me virytet fisnike dhe njerëzore të Gjonit. Arbreshët i’a mundësojnë Gjonit udhëtimin për në Gjermani, ku pas një kohë qëndrimi në këtë vend, Gjoni serish do të marrë rrugë, kësaj radhe një rrugëtim të gjatë, përmes deteve dhe oqaneve, për ta prekur tokën e largët të ëndrrave Amerikën.

Kështu pra Gjon Ujka Gjurashaj, ishte një ndër e malësoret e parë nga Malësia e Madhe që emigrojë në SHBA, në fillimit të shek. XX. Nga gojëdhënat e ndryshme mësojmë se gjatë kësaj periudhe  kishin udhëtuar për në Amerikë, 11 malësorë nga trevat e Malësisë, por në shoqëri me Gjonin, e dimë se kanë qenë Lucë Gjeloshi Lulgjuraj dhe Gjelosh Prela Ivezaj. Rrugën për në Amerike e kishin  marrë edhe disa Trieshian të tjerë, si; Maç Çaku Ujkaj, Marash Tomë Preli Gegaj dhe Tomë Lekë Ivani Gjokaj, ky i fundit pas disa viteve qendrimi atje, me plasjen e luftës shqiptare kundër-osmane të vitit 1911, ai ishte kthyer në Shqipëri, në mbrojtje të vatanit, dhe fati i tij ishte i tillë, ai vritet duke ra dëshmor në Kryengritje të Malësisë.

Gjoni, bashkë me shokët e vet vendoset në New York, ku qëndron më së një vit duke punuar në ndërtimin e hekurudhave. Gjatë fillimit të Luftës së Parë Botërore, vjen kërkesa për kthim të punëtorëve malazez në vendlindjen e tyre, për tu mobilizuar, duke e përfshirë këtu edhe Gjonin,  por ai nuk e pranoi një kërkesë të tillë.

Sikurse pohojnë familjarët atij i kujtoheshin mizoritë e hordhive malazeze që i kishin shkaktuar Trieshit dhe Malësisë. Armiku i djeshëm dhe i sotëm, për Gjonin, s’mund të bëhej edhe mik. Kështu duke refuzuar kërkesën për mobilizim dhe kthim mbrapa, Gjoni vendos të largohet nga New York-u, dhe vendoset në shtetin Oregon, ku fillon punën në një ndërmarrëje të pyjeve.

Lidhjet me familjen, dhe me vendlindjen, ishin të shenjëta për Gjonin. Ai vazhdimisht mbante kontakte me ta nëpërmes letrave dhe ndihmave materiale që u dërgonte.

Mirëpo, kur plasi Lufta e Parë Botërore, shërbimet postare të asaj kohe u ndërprenë, kështu Gjoni, do të humbë kontaktin me familje, dhe anasjelltas. Kjo agoni, e kësaj epizode të dhimbëshme të jetës së Gjonit do të zgjasë për më shumë se katër vite. Gjoni mendonte sa familja i ishte vrarë në luftë, ndërsa familja e tij filloi të mendonte se Gjoni mund të ketë vdekur, pasi shkëputja dhe komunikimi në mes tyre gjatë këtyre viteve e kishte bërë të veten. Kjo gjendje e padurueshme dhe e dhimbëshme, kishte frymëzuar poetin lirik, për ta përshkruar mallin e nënës për të birin e vet:

“Gjon biri ë’m pse s’flet me gojë

S’jem pa tash sa kohë e mot

As nji lajm s’ma çove a je gjallë

A thu a kthehesh ma në kët’ tokë”

 

Kjo gjëndje e rëndë, bëri që familja ti drejtohet mësuesit të parë të këtyre anëve, që ishte fqiu i parë i tyre, Tomë Smajlit, për tu ndihmuar rreth fatit të Gjonit.

Mësuesi Tomë, pa hezituar u ofron ndihmë, ai më anë të një shkrese i drejtohet “Kryqit të kuq”, për të mësuar për fatin e Gjonit. Pas disa javësh, përmes “Kryqit të kuq” arrihet vendosja e kontaktit me Gjonin, dhe kështu ndodhë mrekullia, e bërë nga vet Zoti. Gjoni me këtë rast gëzohet shumë, dhe i shkruan familjes dhe në të vendos një fotografi të tij, i dalur kohëve të fundit. Letra e Gjonit gëzon familjen dhe gjithë fshatin, aq sa ky lajm i gëzueshëm u shëndrrua në një festë të madhe. Gjoni tashmë i lehtësuar nga kjo barrë e rëndë, e mungesës së kontaktit me familje, vazhdoi punën në Oregon, deri në vitin 1918.

Nuk thuhet kotë, malli për familjen grryen gurin, e lerë më burrin, kështu që Gjonit i lind dëshira për tu kthyer në vendlindje. Pronari ku punonte Gjoni, e këshillon që të mos gabon, por të kthehet, pasi sipas tij, Gjonin, e priste shtëpia e vjetër, kurdo që të kthehej. Gjoni nuk zbrapset, malli dhe dëshira për ta parë familjen, dhe Trieshin, vinte e i rritej. Dhe kështu pas një kohë, jo të gjatë, aty kah fundi i vitit 1919, Gjoni serish i’a shprehë dëshirën e tij pronarit, për tu kthyer në shtëpi. Gjoni njihej si punëtor i madh, i sjellshëm dhe i shkathtë dhe për ta penguar kthimin e tij, pronari i ofron Gjonit mundësinë për tu martuar me njërën nga tri vajzat e tij, të cilat ishin të shumë bukura të moshës 18 deri 24 vjeçe, dhe në rast martese, pronari i ofron edhe një të tretën e pasurisë së tij. Por, malësori nuk thyhet, nuk e tundon pasuria, sepse familja dhe vendlindja për ishin më të shejnëta. Këto janë gjërat që nuk blihen, nuk shiten, nuk falen, por bekohen nga vet dora e Zotit. Dashuria për familjen dhe vendlindjen, për Gjonin ishin uji dhe buka e përditshme.

Përballë kësaj thyhet edhe pronari i tij, i cili Gjonit i ofron nënshtetësi amerikane që mbrenda një viti Gjoni së bashku me prindërit e tij të kthehet në Amerikë.

Në vitin 1920, përmes një udhtimi të gjatë, duke kaluar mes për mes oqeaneve, deteve, maleve, ujit dhe tokës, Gjoni u kthye në tokën e tij, aty ku e përjetoi gëzimin dhe vajin e parë, si fëmijë e si i rritur, tani ai po kthehej në gjirin e ngrohtë të së ëmës, pranë oxhakut të babait, në Nikmarash të Trieshit, në Malësi të Madhe.

Në vendlindje Gjoni pritet si hero, respektohet dhe nderohet kudo, në fshat e më gjërë, për të kaluarën e tij si luftëtar kundër pushtuesve, dhe si bujar e mikpritës, traditë kjo e përcjellë nëpër breza. Por vlersohej edhe për diturinë dhe gjithanshmërinë e tij që arriti të prekë tokën amerikane, një gjë gati e pabesuar për atë kohë.

Gjoni, ç’mallej me tokën që i kishte munguar për shumë vite, ai përsëri filloi jetën e re në fshatin e tij të lindjes, por një ditë i lind dëshira që së bashku me prindërit e tij sërish të marrë rugën e gjatë për në Amerikë. Por, ishin fjalët e nënës së tij, ato që e zbrapsen Gjonin, që sërisht ta marrë këtë rrugë, e cila tye me i qitë benë i drejtohet djalit të vet me keto fjalë;

“Pashë gjirin që ta kamë dhënë, mos na i tretë eshtrat në atë dhe të huaj”. Sipas dëshmive të familjarëve, fjala e nënës e bëri që përfundimisht Gjoni të heqë dorë nga Amerika, nga ajo tokë e ëndërrave, që ndoshta Gjonit i kishte mbetur e paplotësuar. Kështu ai vendosi ta riparoj shtëpinë e vjetër dhe këtë punë ia beson Baca Nikë Gjeloshit Gjokaj, kullë e cila kishte një stil të veçantë, ndryshe nga kullat e tjera në Triesh.

Gjoni i drejtohet Baca Nikës, se: ” Edhe vetëm nji gurë ni e vësh në murë g’jatë tanë ditës, boll ke punua”. Ndërsa Baci e pyet: ” Gjon, a aq shumë ke fitua në Amerikë a”, Gjoni  i ‘a kthen;”Po Baco, aq shumë sa as fmit e mi s’kan me mujtë me i harxhua”.

Gjon Ujka ngriti kullën, dhe së bashku me të edhe familjen e tij, duke u martuar me një malësore sojnike, më të bijën e Prelë Lucës Lucaj nga Stjepohi, të cilet së bashku sjellin në jetë djem e vajza.

Kështu Gjoni vazhdoi  jetën e tij në Triesh, duke mbetë në kujtesë si një kryefamiljarë i mirë dhe një person i respektuar nga të gjithë vendasit.

Duhet potencuar edhe një fakt mjaftë të rëndësishem të jetës së Gjonit, ai është i njohur edhe si vajtuer i vjetër malësor, për çka Nikmarashi ishte i veçuar në Malësi, sepse sikur thotë një fjalë popullore ata kishin vajtorë “derë për derë”.  Gjonin nëpërmes vargjeve dhe elegjive të tija do të njohim edhe shpirtin e tij atdhedashës, i cili në një rast do të lëshojë namë mbi barbarët serbë që kishin bërë kërdinë, duke vrarë malësorë të pafajshëm gjatë dhe pas formimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, dëshmitarë i të cilave ishte ai vetë.

Kështu në hatrin e Kolë Ucës Lucaj në Triesh, të cilin e kishte vrarë pushteti barbar serb, vajtori  Gjon Ujka i përlotur do t’i drejtohej kufomës duke gjëmuar:

 

Vraftë Zoti o këtë Serbi                              Shumë na i vrau ‘o djemt e ri                  Mos lasht vajzë as mos lasht djalë                                                                               Ma sa lën o mushku farë

 

Kriza e viteve 1929, godet rëndë Gjonin pasi parat e fituara, i humbasin në bankat amerikane, dhe në atë të Beogradit, ku i kishte deponuar. Gjoni katandiset në një gjendje të mjerë ekonomike, sikur edhe të tjerët bashkvendas të tij në ato vite. Mirëpo pa marrë parasyshë furtunave, rrapi i vjeter, s’lëkundej dotë. Edhe përkundër kësaj humbje të madhe materiale, Gjoni vazhdoj jetën duke punuar dhe mbajtur familjen, i ndërshëm dhe i respektuar nga të gjithë.

Në vitin 1963, Gjon Ujka, mbyllë sytë, dhe kalon ne amshim, por, duke lënë një jetë të vuajtur dhe të lavdishme, gjë që na bënë ta kujtojmë, vlersojmë dhe respektojmë edhe në brezat e sotëm. Gjoni do të mbetët në kujtesë ashtu sikurse e njihnin trieshanët, si; burrë trim, fisnik dhe bujarë.

Duhet cekur se, rrugën e Gjonit e ndoqën djemtë dhe nipat e tij, edhe ata si parasrdhësi i tyre, në pjesën e dytë shekullit të kaluar, të detyruar nga gjendja ekonomike dhe politike që u imponohej shqiptarëve, morën rrugën e mërgimit për në tokën e ëndërrave, për në Amerikën e largët, gjithnjë duke ruajtur dhe kultivuar frymën e Gjonit, frymën e atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj Zotit dhe vendlindjes së tyre.

 

Të nderuar familjarë dhe të pranishëm ,

Me zbulimin e pllakës përkujtimore të Gjon Ujkës, sot po nderojmë jetën dhe veprën e tij, që është një shembull për ne dhe brezat e ardhshëm, që është shmebull i dashurisë për familjen dhe vendlindjen. Për këtë duhet falenderuar djemtë dhe nipat e tij, që e bënë të mundur ngritjen e kësaj pllake përkujtimore, dhe ngritjen e shtëpisë së tij mbi themelet e të kaluarës së lavdishme, që do të shëndërrohet në motiv dhe frymzim për ta dhe për ne, për ta ndjekur rrugën e Gjonit, se pa marrë parasysh se ku i përplasin dallgët e jetës, asnjëhërë të mos harrojnë se nga vijnë, ku i kanë rrënjet, dhe sa e çmuar është familja, kombi dhe atdheu, ashtu sikurse ishin për vetë Gjon Ujkën.

Jeta dhe vepra e Gjon Ujkë Prelës, është lapidar, emri i të cilit meriton të skalitet me shkronja të arta në historinë e Malësisë dhe të këtyre trevave shqiptare dhe të popullit shqiptar si dhe në panteonin e lirisë dhe përjetësisë së kombit shqiptar.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s