Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

FLAS PËR VETEN

Shpesh kur iki nëpër darka e pritje,
Ku ndrijnë gotat, shandanët, gratë.
E lë vetëm nënën, ulur në karrige,
Si tufë reshë me një kollë të thatë.

Sa herë unë iki larg, në ca dashuri,
Që kockën po ma bëjnë të mishtë.
Druhem se një imazh, thuajse gri,
Mes dekolteve do ishte aq i trishtë.

E ndërsa e kthej dhe ndonjë gotë,
Poet bëhem, a ndoshta dhe murg.
Një varg të vjetër, përtyp si idiot:
-Më mirë të kish lindur një trung.

Sonte po ndihem, mbytur në malle,
A lot që aty brenda askush s’i njeh.
Të tjerët, më keq harbojnë në valle,
Gotat trokasin:- Po qan se u deh!

As nuk u deha, as pija u bë shtysë,
Kam një tjetër shkak të jem me faj.
Që tavolinën se kthej dot përmbys,
Deri sa s’shoh nënën në krye të saj.

 

SHKRUAR NË ETER

Mos u trishto, pse s’shkruaj si të tjerët,
E si pa kuptim qesh, si pa kuptim qaj.
Shpesh vdekjen ofroj pranë, më herët,
Pastaj me jetën eci më tej, matanë saj.

Ngrihem nga varri e emrin vë mbi gur,
Dhe vdekjen e përshëndes si zbavitje.
Se ne që edhe kur jetuam, bëmë sikur,
Sikur, kemi për të bërë edhe në ikje.

Mos u trishto, ndërsa tek ai gur do vish,
Dhe nuk do t’i gjesh germat e thjeshta.
Nëse asnjëherë, jeta ime, imja nuk ish’,
Pse duhet vallë, të jetë e imja vdekja!?

 

FTESË PËR TU GRINDUR

Nëse do duheshim pa bërë grindje,
Malli do na thahej si bukë e vjetër.
Dhe ta shtynim në një cep tavoline,
Duhet ta kafshonim. S’kishim tjetër.

Nuk do putheshim kohë e pa kohë,
Po në fund javë, a një natë midis.
E pasi të thoshim:-U krye dhe kjo!
Do shtriheshim, kurriz në kurriz.

Korrekt dhe në shtrat, nen për nen,
Po ndoshta veç, e dhe me një gojë.
Si të gjithë ata që duhen pa një cen,
Do flisnim për tradhti, sa për lojë.

Po skutave s’iknim, s’iknim në terr,
Nga ndrojtja se do takonim të keqen.
Nëse do duheshim pa bërë një sherr,
Përgjysmë do ta donim edhe veten.

Ashtu në kurriz do ndiheshim në faj,
Dhe inat do ta merrnim gjithë botën.
Se nëse skutave, s’u shkuam në skaj,
Ndoshta një tjetër, ua gjente portën.

Po unë vij tek ti, më tej se grindja,
E gërmadha nis e kthej, çdo skutë.
Dhe pasi ulem, në muret që prisha,
Bëhem më i keq, e rindez një luftë.

 

I BUKURI IM

Dhe kur retë, qiellin ta kenë mundur,
Si e mundin thinjat, nënën në dritare,
Dhe kur ëndrra, do ta prishin gjumin,
E në ballkon do tymosësh një cigare.

Dhe kur të kujtosh se kur ty të shpika,
S’i njihja ligjet që transmetojnë zërin.
Dhe kur kujtimet t’i harrosh, të gjitha,
Dhe bashkë me to edhe mua, të tërin.

Dhe kur të tjerët, do të kërkojnë qetësi,
A ndoshta do flisni për gjëra pa lidhje.
Dhe kur të të thonë:-O Zot,prapë ai!?
Dhe kur telefonin do ta mbash pa zile.

Dhe kur unë do fsheh nën rrënjë bari,
Nyjet e kockave të mia, në çdo grimë.
Nuk ka rëndësi, në s’të dalldisë malli,
Po zërin tim do ta ndjesh, i bukuri im!

 

SIKUR…!

Ndërsa ti po ikën, mos mendo më tutje,
S’ka nevojë për gjyqe, apo dëshmitarë.
Nuk i fshihem një sherri a dhe një lufte,
Po ne s’kemi shumë gjëra për të ndarë.

Shtëpinë e ndajmë në dy pjesë, si kuti,
E në skaje të kundërta, hapim një derë.
Ndoshta është më mirë, si të duash ti,
Që si ndërtim pa leje, ta hedhim në erë.

Po të ketë ëndrra që tani s’ndahen më,
I vrasim dhe i varrosim në gërmadha.
Nga ëndrrat e tua, mos lerë këtu asgjë,
Nëse nuk i merr,ç’ka kuptim ndarja!?

Dhe ëndrrat e mia, do t’i vë në shpinë,
Druhem se mes tyre, mbetesh si dikur.
Ëndrrat si ëndrrat, se lexojnë dredhinë,
Po një klithmë, do e ndjesh nën lëkurë.

Aty të kam fshehur, burrin që të deshi,
Më lehtë se nga ty, e shkulja nga vetja.
Ti je duke ikur nga një gjysmë skeleti,
Gjysma të vjen pas, në malle të vjetra.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s