Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Kaltrinë

Kaltrinë,
Të kalon bukuria pyllit të syve të zi pa frikë.
Zbret ijeve dhe më ngjan një ëndërr.
Je më e çuditshme se çdo tjetër çikë,
Një këngë sirenash, një rast,
Ndoshta i fundit,
Që të shikoj vëngër.

E kam vdekjen dhe jetën nëpër duar,
Me truket e mia prej të moshuari denjësisht:
Nëse do t’isha njëzet vjeç, do t’isha përvëluar,
Do t’isha hija jote, marrëzisht.

E po të kisha të dyzetat,
Si diell do të t’puthja mbi kurriz,
Po ja që i kam mbyllur gjashtëdhjetë.
Ndaj mos kij frikë, kurrë s’do të t’bezdis:
Do të rri të shoh si kaltëron
Tërë kripë, me shkumë, mbi det.

Kaltrinë,
Të dredhon bukuria atij pylli dhe aty fshihet.
Kërkon të shtrembërojë këngën time,
Të djeshme, të sotme, për jetë.
E gjithë bukuria dhe gëzimi yt qenien ma bën të dridhet,
Kur valët i le pas, gërsheta kur hidhet përpjetë.

Forma e trupit tënd dhe diellin ma vjedh.
Është drita mahnitëse e perëndimit.
Në qendër të kohës dhe të përjetësisë më hedh.
Zbuloj aty magjinë tënde të rrezatimit.

Kaltrinë,
S’kam frikë se do të vdes,
As dëshirë për një fillim tjetër.
Kam frikë vetëm,
Se të tjerët e mendojnë dashurinë si një ves
Dhe poetët i mallkojnë si lugetër.

S’do të t’shoh më, Kaltrinë,
Por edhe s’do të t’humb.
Bukuria që më ikën,
Në këmbim ndonjë shenjë do t’ma lerë.
Dhe shenja do të jetë e rëndë si plumb,…
Po me vargje do t’ia hedh edhe këtë herë.

 

Bretkosat

Dhe
Ai më tha:
Eja sonte për darkë! Më tetë, të pres!
Kemi krahë dhe këmbë bretkosash sonte,
Ushqyer me vesë.
Bretkosat të varfërve u ngjajnë.
Krahë e këmbë i kanë më të mirat pjesë.
Eja! Kënaqësi gjer në mëngjes…

Por unë
Iu ktheva varfërisë sime:
Kaq e paskan humbur edhe të fundit
Pikë gjak?…
Kujtojnë se do të na bëjnë një ditë
Njerëz prej balte, burracakë?…
Të hamë krahë e këmbë bretkosash,
Në qofshin dhe farmak?…

Dhe i thashë vetes më në fund:
Do të kalojnë qindra e qindra vjet…
Dhe për poetin,
Të tilla darka kurrë nuk do të ketë.

 

Si pelegrin

Këtë poezi, që qenka pa moshë,
Po ta sjell ty, gjallë të të mbajë.
Me vete merre, ngado të shkosh,
Kështu asgjë s’do mund të na ndajë.

E solla që larg, e mbajta në krah,
Si pelegrini, që mban një besim.
Në lumin e jetës të gjeja një va
Dhe vite të denja për ty në vijim.

E prapë e prapë, nëse nisem diku,
Mbaje në gjoks, si frymë, si vikamë.
E në mungofsha, do jem kthyer në flu,
Do t’vij, po këtë herë, jo si një dramë.

Këtë poezi të ma duash më shumë…
Merre me vete, të të mbajë gjallë.
Shpirt nga shpirti, ta prura veç unë,
Ngado të jesh, të shuash një mall.

 

Fshihen yjet prapa Dajtit

Fshihen yjet prapa Dajtit.
Lodhur janë, s’rrijnë të vështrojnë.
S’patën kurrë një stinë të mjaltit,
Ndaj kanë drojë dhe të dëshmojnë.
Gjer në asht avuj narkozë,
Hënë e ndezur në vetmi.
Veç ca lajmesh zi e rozë,
Heshtin mediat në qeli.

Yjet unë s’i kyçkam dot.
Ua kanë blerë edhe mërgimin.
Që dikush të bëhet zot
Dhe errësira të fshehë krimin.
Fshihen yjet prapa Dajtit,
S’e kujton më kush Kroninin.

 

Nuk të le sekondin vetëm

Nuk të le sekondin vetëm.
Ndryshe helmi e mund shpresën.
Ndoshta mishi na është plakur.
S’dua plagë të tjera hapur.

Në sirtar zemrën s’kam ngulur.
S’kam inat, mes njerëzve ulur.
S’jam kokëfortë, as i shkujdesur.
Ka një jetë që jemi mpleksur.

Ia kam falë zemrën të gjithëve.
Afër, larg, pa dallim, miqve.
Jam nomad. Rroftë poezia!
Shpirti im është vetë liria.

Nuk të le sekondin vetëm.
Ngutje kam, uri për jetën.
Nuk durojë zinxhirë të ndryshkur.
Dua dritë për çdo të vyshkur.

Të përgjumem, të harrohem,
Të besoj, të përgjërohem.
Nga kjo botë po u largova,
Shkoj me qejf, se dashurova.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s