Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
PRAGU
 
Pragu im i thinjur
mjegull e kohës larg,
me prushin e vatrës ndezur
purpuron e më sjell kujtime
si yje netësh varg.
 
Nga ballkoni i vegimeve
kuvendoj sot me ty
me njëmijë fjalë të arta,
mbetur stoli të heshtura
në galerinë e viteve fëminore.
 
Në petale zambakësh
derdha belbëzimet,
tingujt, fjalët, hapat,
në kopshtin portokalle
mbolla lojërat, ëndrrat e bardha
të ndezura ende mbi degë e fletë
si gjerdan mozaikësh.
 
Pragu im i thinjur,
pjesë e jetës sime
kudo të marr me vete
si një këngë në buzë,
si një poezi,
herë me vargje të ngadalta
ecur kalldrëmeve,
vrapuar xhadeve me ëndrra prerë
veshur me mjegulla të lodhura,
herë të ngutshme e të vrullshme
si vërshim i luleve në pranverë.
 
Pragu im i thinjur,
je varka me vela të bardha
e pranverave të mia
kapur përdore
viteve t’argjendta.
 
 
 
ÇAST
 
Ditë e ftohtë sot 1 marsi,
ditë e akullt.
Dëgjoj
se diçka tingëlloi mbi dëborë,
sikur u thye.
Të dal dua,
ta bëj timen ditën gri,
orët e kësaj jete gravurë…
 
Diçka më ngjau se tingëlloi,
u thye përsëri(!).
 
Ishte lavjerrësi,
thyente orët e hirta
që unë prap i dua,
i kujtoj të shenjta.
 
 
 
DETI
 
Det i përjetësisë,
mbi hiret tua gjithësia lundron,
rrelet e valëve diellin nanurisin
si zymbyl i kuq mbrëmjeve pushon.
 
O det i mirësisë,
në gjirin tënd bujar dhe unë jam,
me hutimin e një fundi pakufi
tek ti prehje gjej kur hidhërimin kam.
 
Det i madhërishëm
me perëndime të trëndafilta shkruar,
me sirena e kordone yjesh ndezur,
Iliada tiranësh mbi ty kaluan,
flejnë legjenda nifash brigjeve erëmuar.
 
Këngët lidhen kurorë për ty
si nëna ninullat fëmijës panda,
e dyta mrekulli, pas qiellit e tokës
Krijuesi Hyjnor njerëzimit i dha.
 
 
KUJTIMET
 
Në kujtime mbet rinia…
 
Fushave, si xixëllonja ndizen e ikin,
vrapoj t’i kap, kandilat fikin.
 
Pas tyre ngjitem në kroje malesh,
bëhen erë me vrap sorkadhesh.
 
Vrapoj korijesh e nëpër pyje,
bëhen lule lart në yje.
 
Zbres në dete, lum e zaje,
bëhen re e kthehen vaje.
 
Pemëve çelin e gjelbërohen,
ylbere bëhen e largohen.
 
Pylli kujtesës sa vjen rrallohet,
disku kujtimeve përherë zvogëlohet.
 
@seti pezaku vladi
22/02/2018
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s