Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

ZVETNIMIN GREMISUR

Shpërfaqen kujtime skenash ëndërruar
rinohen imtësisht në pjesëza përshkimi
mozaik në shpirt, thellë janë figurëzuar
n`shkëlqime rrezëlluese e butësi ngjyrimi.

Në nota partiturash pandalë kompozohen
si jehona të çastit me aromën ngërthyer
ndryrë në copëza kohe që nuk harrohen
ndër roitje ndjenjash, shikimet përthyer.

Tis i ledhatimit ndjen prekje ngrohtësie
sajon drithërimat në shtytje emocionesh
shkëndia flakërimi ndezë nëpër ndërdije
ëndërr e molisur n`ringjallje iluzionesh

Në margjina jete dëshira t`grumbulluara
dallgëzohen valë-valë ndër vrulle vërshimi
rrëmbejnë përpara ngurrime të ngulmuara
ngacmuar instiktin ndër orekse shijimi.

Në shpirtëra sheshohet rreze e ndriçimit
kolorit vegimesh gjurmëron në përjetim
e shtytë në gremisje peshën e zymtimit
që freski të flladit kish mbyllë në zvetënim…

 

PA HËNË

Në natën pa hënë
paranoja udhëton,
ndërdijes së pushtuar
e arsyes së hendikepuar
u zë shtigjet,
u vë leqe,
groposë dlirësi
në rrugën me gropa,
ligësitë përplasë
në dallgë të trazuara,
e me gjemba cimbisë
brishtësinë delikate
të shpirtërave t`molisur.

Në natën pa hënë
lugetërit lozin valle
në skenat e rrëgjuara,
që kohët sajuan
të shfaqin drama
e komedi njerëzore
në akte makabre.

 

SHEKUJ ZJARRESH

( Epopesë legjendë të Pekazit )

Frymë e egërsuar i do djepat të rrëkllyer
do sofrën e zbrazët e të kthyer përmbys
do rrezen e diellit në errësirë mbërthyer
dhe të mbyllur në kafaz jetën ta ngysë.

Dhe gjoksi përballet n`këtë erë furtunash
që do shuanin zjarrin me ciknën e akullt
uraganet sfiduar me shpalosje gunash
flakur në braktisje përgjumjen e amullt.

Shikimin si shqiponjë e veshur në çelik
hedhur nga shkrepat bashkë me vetëtima
e çakej të tromaksur lemerisur në panik
në ushtima malesh u shuhen hungërimat.

Veten skalitur në panteonin e pavdekësisë
dhuratë idealit dhe agimeve të pranverës
shpirtin të vënë n`piedestalin e përjetësisë
larë në gjak vatrën edhe prakun e derës.

Ngujuar në simbole shekujt e madhështisë
në përkulje, hipokrizia, betohet si tinëzisht
ndër sllogane mbërthyer flijimet e trimërisë
dy fjalë, Bac u krye, intonohen paturpërisht…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s