César VALLEJO
Kalendari poetik: César Vallejo (1892-1938)
U lind më 16 mars 1892 Sézar Vajeho (emri i plotë-César Abraham Vallejo Mendoza), poet i njohur nga Peruja. Kritiku Thomas Merton e quante “poeti më i madh botëror, pas Dantes”; kurse poeti, kritiku dhe biografi Martin Seymour-Smith ka thënë për të “…poeti më i madh i shekullit XX për të gjitha gjuhët.” Vdiq në Paris, ku jetonte pas vitit 1923, më 15 prill 1938 dhe u varros në Montparnasse. Ja përzgjedhja ime për sot:
LAJMËTARË OGURZIJ
Jep jeta goditje kaq të rënda sa…S’e di!
Mu sikur të jenë rrufe Perëndish
Të gjithë mundimet na kthehen sërish
E na kalben brenda në shpirt…S’e di!
Pak janë: ama…gropa të zeza hapin
Në krenaret fytyra, ijet më të forta.
Si të jenë kuajt e Attila barbarit
A lajmëtar’ ogurzij që dërgon Mortja.
Janë rrëzimet e Krishtërve në shpirt,
Të ndonjë feje të lartë që Fati përndjek,
Me goditje gjak e flakë si shkrumbim
I bukës kur goj’ e nxehtë e furrës e djeg.
I shkreti njeri!… Sjell sytë përqark
Sikur dikush në sup e godet lehtë;
Zgurdullon sytë dhe jeta bëhet në çast
Pellg i qelbur faji në vështrimin pa jetë.
Jep jeta goditje kaq të rënda sa…S’e di!
© shqipëroi Maksim Rakipaj