Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Veç një çast…

Veç një çast dëshirova që lule të isha
e që aroma ime të mbushte krejt fushën e mbi mua të ndalonin miliona flutura!
Veç një çast lulemaji e kuqe!

Veç një çast dëshirova që yll të isha
e shi meteorësh të lëshoja,
të prekja me dritën time
ata që dua e më duan pa kushte,
pa lajka,
pa orar,
pa grada e ofiqe!
Veç një çast dritë meteorike!

Veç një çast dëshirova që xixëllonjë të isha e fanar të bëhesha në rrugën time,
në rrugën e atyre,
të atyre që janë me mua
dhe të atyre që s’janë,
por që prania e tyre është si ajri që ndjehet
e çdo çast i ke pranë,
të atyre që çastin e krijojnë për mua,
e ndajnë me mua,
për ne,
ata që më dëgjojnë
e i dëgjoj pa lëngata bezdie,
pa rrudhosje cepash të syve
e pa nënqeshje në të akulltat buzë
pa trajtë e formë çuditërisht!
Veç një çast xixëllonjë fushe!

 

Dashuri mjellme

Si gjerdan në gushë
m’u thurën këto mjellma të bardha,
si gjerdan me fjalë. 
Betim hyjnor skalitur flatrash
për dashuri të përjetshme,
dashuri të bardhë
me gurë të kristaltë.
Dashuri mjellme
gjer në piedestal.

 

Vendlindje

Më është e njohur kjo rrugëz e ngushtë,
Harlisur dushqesh e shkurresh mbi gardh,
Strehëz e ëmbël folezë dallandyshesh,
Me britma e cicërima zogjsh ndajnatë.

Dashur të kam dhe ty shtëpizë e gurtë,
Me trarë të nxirë nga tymi e bloza,
Porse me zjarrin e tëndit oxhak,
Të ngrohej dhe shpirti kallkanosur nga unja.

Njohur të kam dhe ty burim akullues,
Me të kristaltin ujë shpirtrinor,
Me lejlatë manushaqe përreth zbukuruar,
Me të këndshmen aromë petalesh pranverore.

Dhe ty gjarpërori im përrua,
Njohur të kam edhe ty,
Në gurëzat e tua sa herë u rrëzova,
Si peshk i lagur u ngrija përsëri,
Dhe më rriti rrëzimi në ty.

Ah! I kujtoj mirë këto vende,
Me çapa të vegjël u rrita në to,
Vendlindja ime e artë si vjeshtëz,
Me ngjyrën e bakrit stolisur të kujtoj.

 

Lulja ime

Lulja ime e pa fjalë,
sa folur të kam
me zë
e nën zë!

Me ty dhe mollëkuqen flisja
për dëshira të çmendura
në kohë pafajsie!

E ti,
përgjigje petlash më ktheje
me aromë bardhësie!

Një e nga një t’i hiqja
e me të bardhat petla
ngrija kala!

Kala të bardha
në rrugë të bardha
mbushur dëshirash të bardha
e ëndrrash të arta!

Lulja ime
me aromë të bardhë dlirësie!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s