Poemën që do ta humbas … / Poemë nga (Hamdi) Erjon Muça

Poemë nga (Hamdi) Erjon Muça

 

Poemën që do ta humbas …

I kam dashur, më kanë hutuar pasqyrat,
e dua të krijoj një shëmbëllenjëse të veçantë.
Po të mundesha do bëja një që kur njerëzit
të vështroheshin mbi planin e qelqtë
të ndiheshin pafundësisht krenarë.
Krenarë nëse janë të verdhë, të kuq,
të zinj apo të bardhë, kryelartë nëse hyjnë,
nëse hyen, nëse dinë apo s’dinë, të vrasin,
të shesin, të blenë, të blihen, të shiten,
të shtiren, sikur buzëqeshin, sikur duan,
sikur duhen, me botën mbarë urrehen,
urrejnë ata që vetëm urrejnë, krenarë
që askënd s’urrejnë, kurrë, besojnë në Zot:
por ja që sikur s’i ka ndarë mirë ca punë.

Vetëm se unë jam i ri, e harboj ndër ëndrra,
boshe dhe pa as më të voglën shpresë për t’u
përmbushur, nuk jam si ata poetë të mëdhenj,
me moshë të shkuar, tejkaluar e kanë çdo filozofi,
ata që gjejnë në pleqërinë e thinjosheve mjekra,
blloqe shënimesh të humbura në rini, fëmijëri
të mbushur plot me paragrafë filozofike; ndërkohë
edhe unë në udhën që ata hapën për mua,
po humbas ndonjë dorëshkrim, e kur ta gjej i plakur,
të tjerët të më gjejnë me vështrimin e shndritur.
Vetëm se ato çka po humbas tani po më duken
mjaft të plakura për t’i gjetur në pleqëri.
E kush tha që është e domosdoshme që të jenë
naive, rijoshe, atë që po shkruaj e humbas me qëllim tani?!

Ndaj do shkruaj për pasqyrën e Narcisit, si
ajo e tij dua të krijoj një seri të qelqtë por me
vetinë e ujit, që rrjedh dhe pasqyron edhe nëse
është turbulluar, nga balta, e gjenezës së vet
njeriu të shohë pafajësinë fëmijërore në çdo
veprim të kësaj qenie, të gjejë krenarinë
burrërore që shpesh në këto ditë e humb,
përballë reflektueses gotë me raki, ofruar,
nga një mik që kur nuk është, e përçmon,
atë tejdukshmëri avullonjëse që krenarinë,
zbeh, çdo pore të gjuhës hap, e ajo pa pasur
nevojë për nofullat nis e llap, pa dëshirë
të dytën pranon, nga ai mik me të cilin do
të kalojë gjithë kohën e vet mbi tokë; jo kur ai s’është.

Pasqyrën e Narcisit, me vargje do krijoj,
veçse jo naive si ato të Koliqit, të mijat
do jenë më të thella; dua t’i humb tani këto
vargje, e megjithatë pas ca kohësh do i gjej
sërish, por nëse thellësia do më duket e mjaftueshme,
do i humb sërish pa ia treguar askujt, që
pas disa kohësh të tjera, në dritë do i nxjerr;
deri atëherë do ketë dalë ndokush për të
naivizuar “Pasqyrat e Narcizit”, e këto vargje
pasqyruese do duken si profetike, apokaliptike
për botën mbarë; atë çka të tjerët po e mësojnë
në ditët e sotme, që është në të ardhmen e shkrimit
të këtyre psalmeve, unë e kam ditur me kohë,
tani do mendoj cila është më përshtatshme si datë.

E ndjej që tani krenarinë, që këto pasqyra,
të humbura e rigjetura, do injektojnë tek
të afërmit, miqtë e mi, kur unë të jem i pranishëm,
do mrekullohen me pafytyrësinë time kur të
mos jem pranë tyre, por si thonë latinët:
Verba volant scripta manenet, e unë poshtë
tyre do kem një datë. Po cilën datë? Jo para
Njëmijëenëtëqindeshtatëdhejtetës, se duket
sikur i kam shkruar nga brendësia e tim eti.
Do i vë një datë pak më të vonshme, në kohën
kur ende s’dija këndim, por kisha aq gjenialitet
sa për të shkruar,për të zbehur madhështitë
boshe të perëndive vdekatarë të atyre që qenë
lodhur mbi libra por që kurrë nuk nxunë; ndërsa unë…

Unë krijova këto pasqyra krenarie, për të gjithë
ata që: O sa mirë me qenë shqiptarë
megjithëse barktharë. Për ata që:
nuk duam as ujë e as drita, vetëm
partinë mos na e prishni. Për ata që duan
teatrin, por edhe për ata që nuk e duan atë,
se duan nga një kullë nën fundshpinë.
Për ata që bëjnë kurban për Bajram,
hanë vezë me ngjyrë për Pashkë,
megjithëse i thonë të birit: ta dhjefsha Zotin tat:
nga mëngjesi deri në darkë. Për ata
që shkruajnë por kurrë s’lexojnë, për të tjerë
që kalojnë ndër duart e kirurgut plastik,
që më mirë të këndojnë.

Pasqyrë krenaria për ata që: ky vend s’bëhet
duhet një revolucion. Po ja që rruga e revolucionit
është tepër e mundimshme, e gjatë, dhe meqë
koha mbi botë është e pakët, shugullohen
nën diell duke shijuar një kafe të shkurtër.
Për ata që vunë kujën se u çthur armata
e pamposhtur, megjithëse e pa thurur kurrë.
Për ata të tjerët që vijnë tek ne që nga epoka
e gurit; atëherë thanë: obobo u shpik rrota,
keq e më keq do shkojë bota: sot që është
shpikur interneti priten që nga qielli të bien gurë.
Pasqyra krenarie edhe për gurët e kështjellave
heroike, që sot qëndrojnë heroikisht mbi mure stallash.

E mbi të gjitha pasqyra krenarie për mua,
që kam tejkaluar çdo kriter, çdo stilistikë,
jam sistem me vete, përtej çdo sistemi,
dituri e një gjenialiteti të pa parë më parë
as tek njerëzimi e as tek format jetës aliene,
jam mit që konceptohet vetëm nga poema.
Jam e shkuara, e tashmja e ardhmja; madje
edhe ardhmëria duhet të vijë sipas bindjeve,
ideve, dëshirës këshillave të mia dhe pa frikë
e them se kur unë të ndërroj jetë, do ndryshojë
edhe era e re; njerëzimi do ketë, para Krishtit,
pas Krishtit dhe si dhuratë për ju vdekatarë, pas meje.
Do rinisë viti zero përsëri, por jo nën mësimet
e të kotës dashuri; pas meje ka vetëm krenari.

Durrës 1982

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s