Poezi nga Mihallaq Qilleri

Poezi nga Mihallaq Qilleri

 

F R Y M A

Se si erdhe, zemër një mbrëmje vonë, të mekët, gri,
Një mbrëmje kur, si mijëra vite më parë gjithçka kish ngrirë.
Një mbrëmje kur mobiliet, perdet, pikturat e mureve,
Librat e përpluhurt në raftet e mërzitshëm heshtur.. qenë fshirë!

Se si erdhe, shpirt, një segment drithërues, të ajërt kohe,
Se si hyre tek unë pa u ndjerë, derën pa ta hapur askush,
Sikur të kishe qenë aty pjesë e imja në një jetë të tërë boshe,
Sikur frymë e sendeve, e ekzistencës kishe qenë si prush.

Atëbotë nuk dija të flisja më, të mërmëritja, të mendoja,
Nuk dija vargje të shkruaja, të ecja, të psherëtija,
Nuk dija më nëse mund të të përqafoja, të të ngrykoja,
I humbur në shterpësinë e zjarrit, topitesha, ngrija.

Se si erdhe zemer një mbrëmje vonë, të mekët, gri,
Erdhe dhe ike pas ëndrrash, tashmë e di, do vish përsëri!

 

BURGOSJA E DIELLIT

Për kështjella majë kodrash kemi folur,
Për mure viganë mitikë,
Jemi mburur për luftra, fitore,
Për humbje që s’i njohëm kurrë..
Për zemrat e vrara, drithërimat,
Arsyen e kalbur, pushkatimet, hata
Për zvrarritjen e jetës baltosur,
Humor kemi bërë, shaka.

Për mijëra dashuri të shkatërrura,
Të thyera kristale dritëmekur,
Për rrëmbime cubash mjeranë,
Për lule të shkelura flokëgrisur
Në shtëpitë publike matanë,
Nën hije përralla kemi stisur.

Gjakmarrjen rrethuar me mure tërbimi,
Përrenj lotësh kemi fshehur gjithkund,
Kemi heshtur supngitur diku në një rrugë
Për vitet e varrosura, të mjera atje.
Po heshtim për diej që mbyllen në burg.
Po heshtim për vitet që ikin për ne..

Për kështjella majë kodrash po flasim,
Për humbje që nuk i njohëm kurrë…..

 

JA SHIKO HËNËN…

Nuk e di ku je këtë çast ëndrre, marrëzia ime,
Nuk e di nëse ditë a natë është aty tek ty,
Unë jam mes errësirës veç me veten time,
Me natën jam ku vozit më i shndritshmi sy.

Ndihem i shpërfillshëm, i askund sa një gogël,
Sa një gogël e thatë, nga dega rënë e pemës-jetë,
Dhe bisedoj me hënën mërmëritës, aq i vogël,
I rrëfej për ty, për shpirtin e ndarë vërtetë.

Ja hidh një sy në qiellin e natës atje mbi ty,
Dhe vështro hënën të plotë, të verdhë, të rrallë,
Dhe befas do të dëgjosh ca vargje, me siguri,
Vërtet të trishtuara por të shkruara me mall.

Ja hidh një sy mbi hapësirën blu të thellë,
Dhe mendo si ndihesh në këtë univers pa fund,
A s’ndihesh veç si një gogël, e vetme, e mjerë,
Po të ishim dy a nuk do zbonim mërinë këtë herë?

Ja hidh një sy në honin prej asgjë dhe mendo,
Të kthehesh tek unë, po shpejt, ama, mos u vono!!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s