Poezi nga Ndue Ukaj

Poezi nga Ndue Ukaj
 
 
E DIELA E LAURËS
 
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Ajo qëndron mes gërmadhave,
i mungon kori dhe kënga “Ave Maria”.
 
Skajeve të rrugës gurët lëshojnë dhimbje
veç gjurmët e korit duken
bashkë me buqeta lulesh të vyshkura.
Aty ka shumë qen e mbeturina,
është edhe një piano e madhe pa vendqëndrim.
 
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Atë e zgjon malli për tingujt e kambanave
e vesh një fustan t’ bukur dhe Ave Maria-n e pëshpërit në vetmi.
 
Ajo ka zërin e ëmbël, çdo të diel shkon tek rrënojat e saj,
flet me gurët, me lulet që nuk çelin lehtë nëpër mbeturina.
Dhe i fshin sytë e gëzuar pa e provuar zërin n’ kor.
 
Është e diel dhe pushon syri i saj i hareshëm;
Ave Maria-n e këndon n’vetmi.
 
Me gomën e dashurisë
fshin faturën e kohës që e le mbrapa
dhe i bashkon duart mbi gjinjtë e saj t’bukur.
Në heshtje e hap fletën e re
Ku shkruan një varg pakuptim.
Është e diel. Ajo zgjohet dhe andërron tempullin e dashurisë,
Tingujt e këngës Ave Maria është gjallë.
 
Dhe pret m’u zbukurua natyra,
ashtu si zbukurohet lulja me tanë bukuritë e saj
dhe m’ iu bashku korit të jetës.
 
Ajo ec nëpër rrënojat e katedrales dhe e ndez një qiri,
ndërsa gjunjët e bukur i prekin gurët fort.
 
 
Mall
 
Mbramë kam pasë shumë mall.
Me pâ lirinë pa veshje,
Pa gardianë,
Sikur ty kur të shndriste dielli
Mes malit e detit
Krejt pa cohë.
 
Mbramë kam pasë shumë mall.
Me të pâ ty si lirinë e maleve,
Lakuriq,
Hapsinave të pafundme.
Mes atyne fushave të gjelbra
E detit të heshtun.
Me të pâ
Si zanë e shkëputun nga qielli.
 
Mbramë kam pasë mall,-
Shumë mall:
M’i dashtë e m’i harrue
Anmiqtë e lirisë.
 
 
 
Mbretëria e drejtësisë
 
Harku pa formë i një pikë loti noton në qiell
Dhe u ngjan reve që grumbullohen mbi koka tona.
E sheh: ne jemi të barabartë në mesin e të pabarabartëve.
 
Ëndërrojmë drejtësinë e zogjve dhe mbyllemi nëpër konferenca të gjata.
Mbi to lexojmë drafte shterpe
Dhe nga “lehtësia e padurueshme e të qenit”
Ikim në ekzistencën e thjeshtë të episodeve të përsëritura.
 
Të tjerët veprojnë mbi ne
Më shumë se ne mbi dëshirat tona – m’tha gruaja
Dhe u zhduk në errësirë
Bashkë me fërfëllimën e fustanit të saj magjik.
 
E ti më thuaj nëse vërtet ekzistojnë hartat e drejtësisë
Apo janë shpikje imagjinare e poetëve?
 
 
 
Mesditë pranvere
 
Pas këtij dimri të acartë,
Kjo ditë ka nevojë për qartësi.
Vitet tona janë shpuar tej për tej nga kjo re pikëllimi
Që sodit mbi pranverën tonë tash e sa mote.
 
E sheh: unë e hodha pallton e palarë
Dhe gradualisht i afrohem diellit.
 
E matanë kësaj stine
Ata flasin për pamjaftueshmërinë e sendeve
Dhe një ditë që zgjat sa një jetë.
 
Pas këtij dimri të acarët
Pa dyshim
Kjo ditë ka nevojë për frymëmarrje dhe shumë kthjelltësi.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s