Poezi nga Lida Lazaj
HIDHE AT` HAP
Dyshon , luhatet mbi një pellgaçe
I dehuri xurxull, vodka e rum
E pandeh veten mbi dete si Odiseja
Mua, po m`shëmbëllen si kapiten
I anijes sime ngecur në kum
Mëdyshet këmba në ajër
Degë e këputur nga rrufeja
Un` nis me vete mërmëris
“Hidhe at`hap, hidhe o trim
Bregu përtej, nuk ka sirena
Nuk ka shkëmbinj
Mbi një kanoçe birre bosh
një spitullaqe mjaullin
Hidhe at` hap ,shpëtoje veten
Shpëtomë mua
Se sot më mbytka dhe një pellgaçe’’
PËR TY, QË MBJELL GËSHTENJA
Kur ti të kesh ikur dhe unë të mos jem më,
në qytetin poteremadh s`do ndihen aspak mungesat,
mjegullat do ulen mbi supin e malit,
e mali kërrusur nga dhimbja,
do t’i ngjaje atit, qe ka humbur djalin.
Do rrëzohen mjegullat,
do rrëzohet qielli
e do ti marrë në gji gështenjat.
Mandej dalëngadalë do ngrihen mjegullat
dhe do vjnë ketrat, do shkundin trishtimin
pik-pik do qajnë gjethet pa zë.
Kur ti të kesh ikur e unë s`do te jem më.
pik- pik, pik- pik do qajne gjethet pa zë.
E diel, 11 shtator
Teksa shoh sa ëmbël,
gjethja gjethes ia përcjell pikën e vesës,
brenda meje kumbon sinfoni malli për agime vjeshtore,
që nuk përsëriten më,
për agimet,
kur zgjohesha e mbështjellë me dashurinë e mëmës & atit.
Teksa shoh gjethet
si shkëlqejnë nën rrezet e diellit vjeshtor
dhe brenda meje jehon nje sinfoni malli
mendoj se rrugëtimeve fituam kallo e lëkurë të ashpër
e humbëm aftësinë e të lexuarit të gjesteve e sendeve.
Nuk më lipset mëshirë,
as shami për të fshirë lotë
thjesht në këtë çast shpirti është bërë poroz
thith ajër të diele
rreze dielli vjeshtore
e nektar jete
e shkruan këto vargje.