Poezi nga Nikollë Loka
Bardhësi dhe fat
Një yll në qiell
kthehet në ëndërr,
flokë-flokë
bardhësia zgjohet,
e një kujtim,
një çast
na vë për udhë
e na çon larg…
Mbarësi dhe fat,
prej lart
po na dhurohet.
Në strehë të ballit
Në strehë të ballit
botën ma fsheh,
të shoh në sy
e afrohem shtatë qiej.
Me të kaltër,
shtatë herë planetin
e mbështjell,
e kaltër
po më duket çdo ndjenjë.
Bjeshka e Larit
Mbi kroje të randa
dhe lugje të gjata,
kalon ujë
e fëmijënia i rri për skaj.
Bjeshkë e Larit hijeranda,
me pak dafina,
e shumë lulezojë,
edhe pse mali
kish dragoj e zana,
ma shumë pëlqente nina-nana
e për lirika kish nevojë.
Bjeshkë e Larit,
me pak lar,
sa pak dafina,
dafinat s’dalin
as për nji kunorë,
ma shumë pëlqente
lule të bardha,
dhe për lirika kish nevojë.