Jetojnë brenda meje / Poemë nga Alma Braja

Poemë nga Alma Braja
 
 
Jetojnë brenda meje
 
 
Deti
 
Ka një mënyrë të tijën deti,
të jetojë brenda meje.
Më lë deti të mbyll sytë.
Dhe ditët,
rrjedhin të qeta në dukje,
brenda meje.
Dhe netët të heshtura,
në dukje.
Dhe deti rri poshtë tyre,
fshehur brenda tij lumenj.
Rryma e vorbuj.
Ka një mënyrë brenda meje deti,
të dojë e të urrejë
përkatësisht,
ditën dhe natën.
Disa herë në dukje të dojë e të urrejë,
disa herë në thelbësi!
 
 
Dielli
 
Ka një mënyrë të tijën dielli,
të jetojë brenda meje.
Drejton dielli drejt meje
gjithë rrezet e tij,
dhe ato,
në vend të rrëzohen nga trupi im përtokë,
më përshkojnë
e më bëjnë krejt të tejdukshme.
Ka një mënyrë të tijën dielli,
të njohë mirë qenien time.
Që atëherë që guxova dhe e pashë në sy,
gjithë qenia ime u verbua
dhe u bë pasqyrë.
Në mua,
shikon veten dielli.
Disa herë nga jashtë brenda,
disa herë nga brenda jashtë.
 
 
Era
 
Ka një mënyrë të sajën era,
të jetojë brenda meje.
Përreth meje.
Të jetojë me mua.
Jetë të marrë nga unë,
tek unë jetë të sjellë.
Ka një mënyrë të sajën,
të flasë me zërin tim.
Por ç’gjuhë flet era
kur flet me zërin tim?
Kur mureve përplaset,
sa fjalë mbeten pas?
Sa tinguj mbeten pas?
Por njihet zëri im.
E njihet zëri yt.
E vjen e ikën era.
Kur vjen mbart zërin tënd.
Në ikje, zërin tim.
 
 
Toka
 
Ka një mënyrë të sajën toka
të jetojë brenda meje.
Sa herë që këmbët e mia
prekin tokën time,
në çastin e takimit,
ndihet vetëm lëkurë mbi dhé
e dhé nën lëkurë.
E toka shkrihet e bëhet një me mua.
Ka një mënyrë brenda meje toka
të mbjellë një puthje.
Në çastin e ndarjes.
Kur këmbët e mia të zbathta
i japin një puthje dheut.
E puthja,
përshkon si rrufe tokën
e rend të gjejë bërthamën.
Ka një mënyrë të sajën toka ime
të jetojë brenda meje.
Gjithçka është imja,
jeton brenda meje.
 
 
Vetja ime blu
 
Ka një mënyrë të sajën vetja ime,
të fshihet pas fjalëve.
Dhe është vonë atëherë.
Por shpresoj se nuk do të lexohen.
Nga askush.
Jo nga unë.
Nëse fjalët janë shkruar në letër është e thjeshtë.
Sepse letrat grisen.
Ose digjen.
Kështu gjen kohë vetja ime dhe arratiset,
përpjekur të mos kapet.
Nga vetë fjalët e mia.
Ka një mënyrë të sajën vetja ime të fshehë brenda tokën.
Dhe detin e diellin,
dhe erën.
Di të ikë nga vargjet në letër,
e ndoshta në ikje e sipër, të mbajë erë tym.
E pastaj të struket në mua.
Në mua që mbaj erë boje të freskët.
E të lëvizë këtë gisht,
që herë herë është blu.
Ka gjithmonë një mënyrë vetja ime të fshihet pas fjalësh.
Vetja ime blu.
 
 
Jeta
 
Ka një mënyrë të sajën jeta të më thotë,
se deti
dhe dielli
dhe era,
ashtu si dhe toka,
jetojnë brenda meje.
E ma thotë me shkronja.
Kur vetja ime, e veshur blu nga ajo bojë e dashur,
këndon brenda meje.
E janë kaq të shumta fjalët.
Kaq të shumta, me ato pak shkronja!
Vallëzojnë shkronjat brenda meje.
Bashkohen sa herë!
Ka një mënyrë të sajën jeta,
të flejë e të zgjohet brenda meje.
Në ëndërr të zgjohen ndjenjat,
në zgjim të flenë mendimet.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s