Poezi nga Festim Liti
VJESHTA
Bien gjethe nga degët,
qilimin e verdhë shtron vjeshta,
cicërimat e zogjve u zbehën,
përgatiten për vise të tjera,
Drejt lakuriqësisë nxitojnë pemët,
zemrat e dashuruara,
mbledhin flladet dhe rrezet e ngrohta,
rezerva,
për dimrin që është te porta.
KUR DASHURON
Shumë dashurisë i kanë kënduar,
me ngjyra vjeshte e pranvere e kanë veshur,
askush nuk eëhtë penduar,
nga ajo magji engjëllore,
edhe kur është dashur të digjet, përvëluar…!
DERTI IM
Dertin tim e kam në gjoks’
e kam në deje,
e kam në gjak.
Piva verë të lashte me kupën e Homerit,
me Akilin dhe Uliksin për t’u bërë binjak.
në kopshtin e jeshiltë të qershive,
fjeta netëve me nje gorgonë lozonjare,
e, përsëri, mbeta i harruar, vetanak.
Vetmia m’ u kokërrzua në grykë.
si një dhimbje e gjatë, e gjatë…
Dertin e kam në sy,
e kam në lotin e nxehtë të mallit,
në heshtjen tronditëse të ankthit,
tek ngashërimi i ciganit lypsar,
që lëmoshë i kërkon prostitutës së plakur…
Kazanzaqisi dhe Ricosi.
Indiferentë, s’ e shohin brengën time.
Safo ngjyen gishtat me ngjyrat e hënës,
e me gishta ngjyrëhëne shkruan vjersha dashurie…
E unë durimtar si Sizifi,
pres një ditë, të më ftojnë në sofrën e tyre:
“Eja vëlla, të pimë së bashku një kupëz recine!”