Cikël poetik nga Kujtim Hajdari
MOS RRI LARG
Më flet shpesh nga atje e fjalët varg
Më vijnë ato ëmbël e pa pushim,
Po kur ndjej që të kam kaq shumë larg,
Djeg e dhëmb prej mallit ky shpirti im.
Më mbylle në burgun e zemrës tënde,
Martir pranova të bëhem dhe unë,
Mos më lërë të vuaj në krahët e një endrre,
Ditët më ngjajnë një kalvar pa fund.
Kur vjen ti zbret një rreze dielli,
Dhe nata t’ul ëmbël hënën mbi sy
Yjet pulsojnë sytë lart, prej qielli,
E vjedhin dashuri tek ne dy.
PËR TY
Mbledhur e ngrohur me rreze dielli,
Presin urbanin në stol bashkë me mua,
Ndjenjat e mia që ngjajnë me një copë qielli,
E në gjoks, fshehur, mbajnë fjalën “të dua”.
Me mendimin e bukur se do ta gjejnë patjetër,
Fatin e ëmbël diku, mbase te mikja e vjetër,
E ndërsa unë të sjell ndërmend ty,
Fjalët e ëmbla që më thua çdo dite,
ato ma bëjnë me sy.
KËNDOMË NJË KËNGË TË BUKUR
MUZA IME
Muza ime, mos më fol më për kohë të shkuar,
Për një lumturi të rrënuar apo një jetë burgu,
Mos më kujto si në histori janë bluar,
Mbi lëkurën time ende s’është larë vrugu.
Mos më fol më!
Këndomë diçka të bukur, një këngë zemre,
Që ndezin zjarr shpirtin e buzët furrë.
Një nga ato që vlonin gjirit e s’ja thirrëm kurrë,
Që mbetën udhës e humbën si një imazh ëndrre
Këndomë!
Kërkomë që dallgët e kohës, mykun e shpirtit të lajnë,
E rrezet e pakta të diellit të këtyre viteve, të shplajnë e të terin,
Brigjet plagë e të therura te zemrës që qajnë,
Dhimbjen që pamë në histori, vuajtjet e tmerrin.
Kërkomë!
Këndomë këto çaste një këngë të bukur,
S’dua të iki nga kjo botë me ëndrrën e strukur,
Thomë se një ditë shpirti i lirë do të fluturojë në lartësi,
E në vendin tim do të buzëqesh fjala demokraci.
Këndomë!