Poezi nga Agron Tufa
Këngë dimërore
Tek-tuk merr fund me ujëra e drunj
Fytyra jote thërrmuar ndër valë.
Nga grykat e maleve, si me sëpatë
Rrëzohen zanoret e një brenge të gjatë.
I shpleksa damarët të pijnë buzë Lumi,
Dhe fundin “s’më deshe” e ngushëlloftë gjumi!
Harrimi punon pa ngjyra në linjë,
Me një dhembje bjonde të mpiksur në brinjë.
Me qumësht e dritë përvëlon si rrëshirë
Fytyra që buzë s’më dha për të pirë.
Avitet dëbora, si shpirt. S’pipëtin.
Nuk derdhem nga kupë e ngrirë që rrezëllin.
Rrotullomë në ëndjen e ngrirë të gotës,
O paqe e fytyrës së prapme të tokës!
1992