Cili është gabimi yt? (Shënime për poezinë e Petrit Rukës “U stis vashëza nga varri”) / Nga: Timo Mërkuri

Cili është gabimi yt?

Shënime për poezinë e Petrit Rukës “U stis vashëza nga varri”

 

Nga: Timo Mërkuri

1-Përsëri Petrit Ruka ringjalli  një baladë tjetër tjetër shqiptare dhe e solli mes nesh. Në fakt duhet të pranojmë që Petrit Ruka është mjeshtër i pashoq në ringjalljen e baladave shqiptare ,  madje deri në atë shkallë sa të krijohet përshtypja që, në një jetë tjetër, në një kohë tjetër,  balada  ka qënë pikërisht poezia e shkruar nga Petrit Ruka, e cila, me kalimin e kohës na ka ardhur e cunguar në variantin që njohim ne në folkloristikë. Të duhet një farë kohe meditimi të orientohesh mes baladës origjinale dhe poezisë të Petrit Rukës për të kuptuar se kush është e para. Kaq besnikërisht është përshtatur balada në poezinë e Petritit. Madje duke e parë me vëmëndje “kostumin” e personazhit  në poezinë e Petrit Rukës, sheh edhe grimcat dhe shtresat e pluhurit të shekujve dhe epokave, të cilat  i pandeh stilizime qëndizmash të veshjeve. Përtej kënaqsisë estetike që të jep kjo “besnikëri”, e derdhur mjeshtërisht në vargje poetike të Petrit Rukës, kjo mbart në vetvete  edhe fillesat e një gabimi, të cilën studiuesit tanë e kanë kaluar në heshtje, si një gabim të kohërave. Por le ta shohim  më hollëisht këtë problem.

2-Trungu i poezisë “U stis vashëza nga varri” është pjesa e dytë e baladës arbëreshe “Cili është mëkati yt” përfshirë te përmbledhja “Rapsodi të një poeme arbëreshe” Mbledhur nga Jeronim De Rada[1] dhe ka këtë tekst: Erdhi trimi të kungohej./ Porsa priftin e dalloi/ atje larg, e ktheu mbrapsh/-Eja më bëj një të mirë/ eja dhe më kungo/ Prej andej trimi i bardhë /në kishë e çoi priftin:/-Cili është mëkati yt?/-Vajta krushk unë me një nuse./ Udhës nga shkonim/ na zuri një rrëpirë shi/ Gjithë çishim u shpërndanë/ kush nën mollë e kush nën dardhë/ kush nën kumbullzën e bardhë /unë i ziu s’pata se ku/ po te dera e vendit të shenjtë/ dhe e lidha kalin/ te pragu , nën stuhi/ Po me patkonjtë e parë/ ai i shkretë e i rrëmbyer/çau pllakën prej mermeri/ nga firasi drita në varr/ dhe zgjoi vashën e bardhë./ Trim i bukur e plot dritë/si më shkunde vdekjen/ ulu e puthëm një herë/ e më nxir erën e mykut/ erën e dheut të zi/ Trimi i bukur e plot dritë/ si më puthe për të parën/ puthëm edhe për të dytën”/ Tri herë unë e putha/ tri herë bëra mëkat:/retë që shkonin në qiell/ më linin hije në zemër./ Prifti ndënji një copë herë/ pastaj i tha:Haroje bir/se dhe zoti do ta harojë[2].

Pra balada arbëreshe na dëfton për një vajzë të vdekur, e cila ngrihet nga varri nga prania e një djali të ri dhe i lutet atij që ta puthë tre herë. Djali ja plotëson dëshirën dhe… retë që shkonin në qiell/ më linin hije në zemër…, ndërsa Petrit Ruka na e jep me vargjet e mëpo-shtëme situatën e djaloshit: Ika flisja pas çdo loti, /”Mirë prifti, mirë Zoti,/Unë i ziu, mot pas moti/Si do ta harroj një herë, /Këtë mendje ku fryn erë,/Këtë shi që bie paprerë,/Këtë varrin ku ke lerë,/ Mendje prishurën pa derë[3], por në të dy rastet pranohet se…dhe zoti do harojë.

3-Në lidhje me baladat arbëreshe kemi folur në shkrimin tonë “Atdheu i mbartur në këngë[4]” por këtu vlen të ritheksojmë se: Ato ruajnë origjinalitetin e baladave shqiptare para pushtimit turk dhe për pasojë nuk kanë shtresime të kësaj kohe. Po ti shohësh me vëmëndje baladat arbëreshe, asgjë turke nuk është në ‘to. Dhe kur ka diçka turke është vetëm “qeni turk” që i detyroi të iknin nga atdheu..

Pra duhet të pranojmë faktin se baladat arbëreshe janë të kohës paraturke. Por  te këto balada insistohet në diçka të çuditëshme, gjithë ngjarjet  ndodhin ose lidhen me kishën dhe priftin ose në prani të tyre apo të një date fetare…(Ditën e Pashkës së Madhe…). Kujtoni Kostandinin e besës që  që hyn e del në ajodhimë, ndonëse në atë kohë kisha as qe ndërtuar, se populli ynë ishte pagan[5]…E njëjta gjë ndodh edhe në këtë baladë, djali rrëfehet te prifti se kishte puthur tre herë një vajzë, e cila ishte ngritur nga varri…Që në pamje të parë duket se prania e priftit dhe rrëfimi është shtesë e kohës dhe si e tillë, roli i tyre është dytësor. Roli kryesor është ringjallja e vajzës dhe puthja e djalit.

Petrit Ruka

Sipas krishtërimit vetëm Jezu Krishti[6] u ringjall pas tre ditëve i vdekur, ju shfaq dishepujve të tij si provë që ishte biri i perëndisë dhe u ngjit në qiell, pranë të jatit zot. Por në rastin tonë, kush është kjo vajzë buzëpaputhur që ka fuqi të ngrihet nga varri, të ngjallet kushedi sa kohë pas vdekjes, vetëm e vetëm që ta puthë një djalë, prania e të cilit e risjell në këtë botë? Vetkuptohet që kjo është një vajzë pagane që s’di asgjë për krishtërimin, ashtu si s’dinte gjë as  Kostandini.

Pra kuptojmë se këto balada janë të kohës parakristiane, por duke qënë se jetuan në kohën kristiane, duke qënë se kombi ynë është ndër të parët që përqafoi krishtërimin me dëshirë, nuk e quajti ndonjë “hata” që baladat e tij ti  linte të “loznin” si fëmijët në oborin e një kishe. Është normale që në mes të lojës së tyre mund të dëgjohej ndonjë tingull këmbane, tingull të cilën e mbartën me vete në rritjen e tyre nëpër kohë këta “fëmijë”.

4-Në baladat shqiptare kontakti, bashkbisedimi dhe bashkëudhëtimi i të gjallit me të vdekurin është gjë tepër e zakonëshme. Kujtoni Kostandinin dhe Doruntinën. Dhe aty problem ishte era e dheut të lagësht që kishte në flokë Kostandini. Te kjo baladë vajza i lutet djalit ta puthë njëherë që ti heqë erën e mykut të dheut (të varrit). Pra elementët janë të njëjtë.

Le të shohim në mitologjinë greke mitin e Orfeut (biri i Apolonit dhe Kaliopës) i cili zbriti në botën e nëndheshme për të tërhequr prej andej të dashurën e tij, Euridikën, në marveshje dhe me lejen e  Hadit dhe Persefonës. Kushti ishte që Orfeu të ecte para dhe e dashura e tij ti shkonte nga pas dhe ai të mos e kthente kokën mbrapa për ta parë Euridikën, gjer sa të dilnin në botën e të gjallëve. Përpjekja dështoi pikërisht nga padurimi i Orfeut për të parë Euridikën.

Në një legjendë egjyptiane, një daloshi i dashuruar,( vajza e të cilit kishte vdekur në tentativë  aratisjeje nga robëria e faraonit) pasi lufton dhe bën kompromise me disa perëndi, më në fund e rikthen në jetë vajzën , por kjo i kushtoi kohës egjyptiane vdekjen e disa perëndive dhe prishjen e botës egjyptiane të të gjallëve dhe të të vdekurve, si dhe rikrijimin e një bote të re.

Pra që forca e dashurisë është e aftë të tronditë dhe të shëmbë themelet dhe muret e dy botëve, kjo është pjesë e mitologjisë së disa qytetërimeve. Por ndërsa në qytetërimet  e tjera duhet pjesmarja aktive e perëndive, në baladat shqiptare perëndia nuk paska asnjë rol, veçse ….të harojë. Te baladat shqiptare lufton vetëm njeriu shqiptar. Çfarë datlindje do kenë këto balada kaqë të veçanta dhe ç’kohë e ç’ambient i lindi dhe i rriti? Dhe më e rëndësishmja , a nuk është më  e bukur paraqitja e tyre në variantin e hershëm të tyre, pa shtojcat fetare , të cilat stonojnë me botën e legjendës?

5-Unë, një kristian i ritit ortodoks, që e kam lexuar dhe admiruar Ungjillin, besoj se edhe Jezu Krishtin po të pyesni për këtë problem, ashtu siç tha…Jepi Qezarit ç’është e Qezarit… i drejtë siç qe ai, do thoshte me zë të plotë: Jepi shqiptarit ç’është e shqiptarit.

Amin!

Sarandë, më 29.04.2019

[1] Shih “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, botim i MILOSAO Sarandë 2014  fq 53

[2] Për të interesuarit, pjesa e parë e kësaj balade është: Doli dielli nga mali/dhe mbuloi dy palate/I ndriti zonjës Lenë/tek i plekste gërshetin/me një cohë gjithë lule ari/të bijës përmbi fron/e mbi qafë ja paloste:më poshtë pastaj i ndriti/zonjës Agat në këmbë/përpara pasqyrës/ku stoliste djalin/ me pellush dhe me argjend/se do shkonin në rrëfim/për rrëfim edhe kungim/te kisha e Todrit/Ndaj mesditës vasha/shkoi e ra në gjunj te prifti/I tha: Zot unë dua/ një trim që kam në gji/po shokët më shajnë/shokët dhe prindërit e mi/Ky është mëkati im/Prifti i tha:U çlirove./Vetë të jap pendesë/asnjeri të mos takosh/asnjeriu t’i bësh nder/veç atij që deshe shumë/U ngre vajza me uratën.(shih te libri Rapsodi të një poeme arbëreshe”, botim i MILOSAO Sarandë 2014  fq 53)

[3]Petrit Ruka “U stis vashëza nga varri”.Poezi, publikuar në fb dat 31.03.2019

[4] Shih T.Mërkuri “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandë  2018 fq 140

[5] Shih T.Mërkuri “Identiteti iso-polifonik” MILOSAO Sarandë  2018 fq 95 “Kostandini nuk hyri në ajodhimë”

[6] Krishtërimi pranon ringjalljen e Llazarit, por këtë e shpjegon si mrekulli të Jezu Krishtit.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s