SPAK SI GOGOLI I FËMIJËVE / Nga Hamit Taka

 

SPAK SI GOGOLI I FËMIJËVE
 
 
Nga Hamit Taka
 
Në mitologjinë shqiptare, popullore dhe pagane, gjejmë figurën e GOGOLI-t, një qënie e përçudnuar dhe e frikshme, e cila fshihet dhe del natën prej territ, duke u kënaqur që shkakton frikë te fëmijët. Gjyshet e kanë përdorur me sukses këtë qënie për të frikësuar e disiplinur nipat e mbesat: Fli, se erdhi gogoli! Hajde brenda se vjen gogoli! Sot, pas 30 vjet demokraci, kryeministri, qeveria, deputetët e mazhorancës, disa opinionistë në shërbim të Rilindjes rreken ta zëvendësojnë gogolin me SPAK Për të kërcënuar opozitën. Kjo do të thotë, as më shumë as më pak, se janë në linjë me etërit e tyre: sistem njëpartiak, pa opozitë, opozitarët janë armiq. Sa herë ka parlament, në çdo shfaqje para publikut dhe në debatet televizive(se dialogu është i papranueshëm) apo para takimeve me masat(siç thuhej në kohën e diktaturës) ky emërtim, SPAK pra, ka dendurinë më të madhe në ligjërimet e qeveritarëve, deputetëve e pushtetarëve të mazhorancës. Gjitmonë duke kërcënuar opozitarët. Mjafton të kujtojmë Kryeministrin dhe zotin Sokol Balla në parlament e gjithandej, në çdo shfaqje publike, deputetët Alket Hyseni e Pjerin Ndreu në debatet televizive.
Ata gjithmonë, sa herë i akuzon opozita me apo pa fakte konkrete, e akuzojnë atë se kërkon trazira e përpiqet të pengojë Reformën në Drejtësi, e tmerruar nga SPAK, se do t’i fusë në burg. Dhe kjo ngjan me atë frikacakun, që e ka zënë tartakuti nga kundërshtari dhe rreket ta tremb si fëmijët me gogolin. Nga ana tjetër njerëzve të thjeshtë, me pak kulturë politike e juridike, ky ligjërim u lë të kuptojnë sikur SPAK e bën qeveria e mazhoranca për të burgosur e asgjesuar opozitën aktuale ose zgjedhja e anëtarëve të SPAK është e manipuluar nga qeveria e kryeministri.
Por kjo puna e SPAK ka arritur shumë larg dhe është bërë pjesë edhe e ligjërimeve të njerëzve të zakonshëm në jetën e përditshme. Ishte shumë komik rasti 1 një qytetari në një market, kur, i pakënaqur nga çmimet e perimeve, i tha shitëses: Bëni ju, bëni sa të vij SPAK-u, pastaj do ta shikoni se ç’do t’ju gjejë! Po aq e dëgjon rëndom në biseda e debate militantësh… Ndërsa për një shikues e dëgjues mendjeçelur, këto shprehje dëshmojnë paaftësinë e përfaqësuesve të mazhorancës për të sjellë në debate argumente bindëse përballë njerëzve të qartë në ato që dinë e thonë.
Dihet se SPAK do të ketë detyrën të luftojë kriminalitetin e nivelit të lartë për të dy krahët e politikës, mazhorancën e opozitën, vetë drejtësinë dhe këdo që ka abuzuar me ligjin e të drejtën. Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian kanë ofruar sakaq ndihmë në trajnimin dhe përgatitjen e funksionarëve të kësaj strukture, por as SHBA dhe as BE nuk kanë thënë se SPAK është strukturë e qeverisë apo e kryeministrit dhe do të hetojë vetëm opozitën. Duke shfrytëzuar përpjekjet këmbëngulëse të opozitës për të patur vendime të drejta dhe konkurencë të ndershme, mazhoranca e shfrytëzoi këtë për t’u mbushur mëndjen elektoratit të majtë dhe pjesës më mediokre të popullsisë se opozita kishte frikë nga SPAK, i cili do të hetonte vetëm Berishën dhe politikanët e PD, më vonë shtoi edhe LSI, kur ajo i doli nga vatha. Kjo tregon se mazhoranca përpiqet ta kompromentojë që në proces krijimin dhe funksionimin e SPAK. Ama mazhoranca, domethënë qeveria, kryeministri dhe administrata e sotme duhet ta kenë të qartë se edhe ndonjë apo disa anëtarë të kësaj strukture të lartë të drejtësisë edhe në se janë të infiltruar nga kryeministri apo qeveria pa meritë, sapo të fillojë funksionimi i tij, do të kenë frikë të jenë më në shërbim të qeverisë e kryeministrit, se do të ruajnë lëkurën e tyre, aq më tepër që nuk ka mazhorancë të perjetshme në demokraci. Dhe atëherë mund të thonë: kalova lumin të bëfsha kalin.
Pra, nuk do shumë mend, mjafton të kesh sy e vesh, për të kuptuar se kush po e bën SPAK-un gogol dhe për kë e bën. Kjo është mazhoranca, e cila e ka të qartë se politikanët e opozitës nuk kanë frikë nga SPAK, por do të ndikojë te qytetarët, votuesit e qershorit apo më tej. Ajo rreket që votuesit të humbin besimin te opozita dhe të kriojojë ndjesinë në opinion se politikanët e opozitës kanë frikë nga SPAK, prandaj s’e do zgjedhjen e SPAK dhe votimet në 30 qershor. Në të vërtetë mazhoranca përpiqet ta zhvendosë frikën reale të vetes tek opozita. E gjithë kjo propaganda dhe lojra fjalësh janë thjesht demagogji e propagandë mashtruese e dhunuese ndaj qytetarëve të zakonshëm, për t’u distancuar nga aksioni opozitar për zgjedhje lokale e parlamentare te drejta e të pamanipulueshme.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s