ME TY, ATDHEU MË NDRYSHE MË VJEN (Cikël poezish përkushtuese për heroin e kombit, Agim Ramadanin ) / Nga: Sarë Gjergji

Poezi nga Sarë GJERGJI

 

ME TY, ATDHEU MË NDRYSHE MË VJEN

( cikël poezish përkushtuese për heroin e kombit, Agim Ramadanin )

 

AGIM, BUKA JONË E PËRDITSHME

(Varianti I)

Plastikë, tym e rrëmujë kudo
në rrugë, në parqe, në kokat tona prej betoni
shujta jonë e vetme
në mëngjes, drekë e darkë.

Toka jote, Agim, mezi merr frymë.

Kuajt e së keqes hingëllijnë në krye të vendit
në Kuvend dëshmojnë sa të pafytyrë janë;
tallen me vdekjen Tënde fisnike.

Ti diell qielli agimor digjesh kot.

 

(Varianti II)

Para se të zhduket ëndrra jonë
eja dhe një herë
këtë kaos djalli në mendjen tonë
në rrugë agu ktheje

Arbërinë,
kryq e tërthor dëshmona
deri në brinjën e fundit të kraharorit
me emrin Tënd mbështille
– me frymën Tënde prejdielli
të shenjtë bëje sërish.

 

(Varianti III)

Në ditëlindjen Tënde, Agim
qielli resh yje e tokën resht.
Në të s’ëmës,
krrokamë korbash…

 

AGIM

Eja
në tënden tokë
dhe shih popullin të katandisur në veteranë të UÇK-së
dëshmi se kënga e të marrëve s’ka përfunduar ende.
Tash sa kohë frymën të zë.

Eja
në tënden botë
dhe shih një Atdhe të shpërfytyruar deri në palcë
pa emër
pa emër
pa emër
Agim.
Këtu
të pushtetshmit e urrejnë lirinë.

Eja
shumë po të lutem
eja
dëshmo sërish e sërish
se flijimi është akt hyjnor
kafshimesh ogurzeza shkretëtire na mbro’
Agim
Ushtar i pamposhtur veshur me diell.

 

PËRGJËRIM

Kam etje, Poet
kam shumë etje
për një varg tëndin ëndërrimtar-si dikur
ndryshe do çmendem.

Kam etje, Piktor
sa shumë etje kam
për një pikturë plot ngjyra pranvere – si jeta jote
ndryshe e zeza po ngulfat çdo qelizë…

Kohë, në veshje guaske po vjen
me një arkitekturë ndryshe të dizajnuar
Atdheu
shije padroni ka.

Ike herët, mjerisht
Liria peng mbeti.

Dhe unë po vdes nga etja
Ushtari im,
po vdes nga etja.

Eja sërish, Poet
Piktor, eja
Eja, Ushtari im
Të përgjërohem, Agim…

 

HEROI S’KA VARR

I. (Shenjtërim)

E dua, e puth atë këmbë
Që shkërmoqi gur-ziun
Mu në zemrën e Atdheut
Lirinë shenjtëroi
Aq shumë na deshi Ai
Saqë Agim e pagëzoi atë ditë
Dhe amshimin

II. (Sot)

Në net prej rëre
Mërgimi i shpirtit
Ia gërryen eshtrat Atdheut
Lirinë ngulfat.

III. (Amshimi)

Ti nuk je për varr, Agim!
Ti, munde vdekjen
Njësoj si Krishti biblik
Ndaj Atdheu jeton!
Dhe ne frymojmë
Të padenjë për Atdheun
Pafundësisht mëkatarë
Për Lirinë të padenjë!
Ti nuk je për varr, Agim!

 

TË PUSHTETSHMIT

Varianti I.

(Mortja…)

Kohë neurozash
grumbuj gjaku në bebëza mbledh
nën lëkurë
mal eshtrash murosur ka
dhe askush asnjë fjalë
as për rrënjën
as për shijen e frytit;
të pushtetshmit e vrasin lirinë;
Arbdheun Tënd varrosin…

E çfarë nuk thur mortja, Agim!

 

Varianti II.

(Ushtari im)

Ti, asht e lëkurë lë, ushtari im
në-për hapërime kohësh
ndez yjet

Rruga e Qumështit
ku të shpie
nëse jo në zemrën amnore
Tek ty mistershëm përhumbem ëmbëlsisht
ungjill dashurie e Atdhe më je ti
Agim

 

EJA, AGIM!

1.

Eja, se ai iku nga lëkura e vet
nuk di në kishte ndonjë kockë në trup
meqë s’u dëgjua zë
ca ditë më vonë ishte një me rërën
duke shtuar shkretëtirën
me mallin për virgjërat shkoi,
re e zezë;
pa shijuar ujin

2.

Eja,
se vetëm Ti
ëndrrash të këqija shkretëtire
kujtesën tonë e zgjon
puthjesh prej jude.

Me Ty,
Atdheu më ndryshe më vjen:
i diellzuar,
i perëndishëm…
Agim!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s