Poezi nga Hysen Grajçevci

Poezi nga Hysen Grajçevci

 

TROKËLLIMË ZEMRE

Peshë më rri zemra
brenda krahërorit
e trokëllimën ndjej,
këtu në Belvedere
diçka imja përplaset
brenda meje,
diçka e jona më thërret
dhe nuk mund të bëj ballë
të hesht e të rri i qetë!

E si të hesht
kur shpatë e Gjergjit
përkrah përkrenares
në këtë qytet,
si në atdheun e vet
kohët prek
e në kohë lavdisë i thërret!

Këtu isha me Naimin,
Hilën, Lasgushin…
gjakun tim që vlon!
Këtu, në djepin e Evropës
ndërgjegjja e krenaria
mbi shekujt pulson!

 

ATJE DHE KËTU

Në rrugëtim motesh sodis mendimin
Damarëve në shekuj ua shtrydhë vitet
Këtu
Në tokën time kanë mbetur vetëm hieroglifet
mbetjet arkeologjike
Atje
Në labirinthet laboratorike copëza mishi të prishur
Në epruveta gjak i mpiksur
për kombinime historike
E vërteta tretet
Atje nuk ka diell as dritë nuk ka
Ka një kuzhinë me një përzierje
që kundërmon
Ka sajesa për servime të rrejshme mitike.

 

JEHU I ALPEVE TË MIA

Kundroj atje
Prej nga nis rrugëtimi,
e prej nga;
Zanat ringjallin legjendat!

Këtu… pranë çdo jehu
një katakomb!
Ora e Malit ruan kreshnikun
Strehë bese një shkëmb!

Këtu gjokun e Jakup Ferrit
e pash të larë në gjak,
e trimin me shtatë plagë
të papërkulur, bajrak!

 

DËNESË E DHIMBJES

Nuk pyes ashtu kot!?
E njoh prej kohësh,
por sot,
çurg faqeve i rridhnin lot!

Se si u ndjeva kur e pashë!?
Një si dush i ftotë më ra!
Ulur në gjunjë fare pranë saj,
ngriti kokën sa më pa.

E shikoj e s’e gërgas!
Më shikon e nisi t’flas:
Dy djem bir i dhash atdheut,
asnjë lot nuk e nxora!
Do ta jipja me dëshirë
edhe këtë që sa e përcolla!

Por, ah… këtë…!
ma muar skamja, varfëria,
ma muar Djalli dhe Lubia!
Ma muarën këta,
të parët e shtetit!
Këta që çdo gjë e bënë për vete!
Harruan gjakun e derdhur dje,
harrojnë foshnjat që sot kanë le!
Seç u shkri në psherëtimë,
a thua e shoh prapë nipin tim!?

Më la kërcu mes dy varreve!
Iku, shkoi pa lek, pa pare!
Ky rrugëtim më lë pa fjalë,
më varros mua të gjallë!

Prandaj qaj pa zë ndër buzë;
dhimbjen dua disi ta shuaj!
Se këtë zjarr që kam në gji,
veç te loti gjenë freski!

Trupi i dridhej si purtekë
dëneste në heshtje nëna e shkretë !

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s