SA SHUMË JETË NË POEZI E SA SHUMË POEZI NË JETË! / Nga: Kadrush Radogoshi

SA SHUMË JETË NË POEZI E SA SHUMË POEZI NË JETË!

 

Nga: Kadrush Radogoshi

Pas çdo kontakti, që kam pasur me botën letrare, artistike dhe intelektuale kanadeze gjatë këtyre shtatë vjetëve të emigrimit tim në Kanada, vazhdimisht në mënyrën më të natyrshme më ka shkuar mendja te atdheu im dhe krahasimi ka qenë i pashmangshëm. Sa më shumë që jam kënaqur me ndonjë ngjarje letrare dhe kulturore kanadeze aq më shumë jam zhgënjyer me dallimin e madh, që ekziston në vendlindje në aspektin vlerës dhe kritereve. Këto mendime dhe titullin e këtij shkrimi m’i nxiti pjesëmarrja ime në një mbrëmje të poezisë dhe këngës, e cila u mbajt sonte më 13 Tetor 2017 në “Woodcroft Community Hall” në 115 Avenue në Edmonton. Mbrëmja ishte titulluar “KUJTESA DHE HUMBJA” në bazë të titullit të një antologjie kanadeze me tematikë për të sëmurët nga Demensa apo Alzheimer,për humbjen dhe kujtimet. Gjatë mbrëmjes, poezitë me temat e përmendura i lexuan poeteshat e njohura kanadeze nga Ottawa dhe Edmontoni Alice Major, Donna Durand, Pierrette Requier, Katie Flahert, Mary Cambell dhe poeti Dany Burrell. Këngëtarë edhe instrumentistë ishin Anne Hurley (piano) dhe Jim Videto (kitarë klasike). Pothuajse të gjitha këngët e kënduara mjeshtërisht ishin poezi të poetëve pjesëmarrës të botuara në antologjinë në fjalë.
Pas informacionit të mësipërm titulli i këtij shkrimi mund të kuptohet më mirë dhe më lehtë. Mendimi i parë që më lindi ishte se në poezinë bashkëkohore kanadeze ka shumë jetë dhe një fakt i tillë nuk do të thotë se ajo është deskriptive dhe me vlera modeste, përkundrazi është një poezi, që shquhet me vlerat e saj estetike-letrare. Mendimi i dytë është se në jetën publike kanadeze shijohet shumë poezia sepse komunikon emocionalisht dhe estetikisht me dëgjuesit gjegjësisht lexuesit e saj. Shteti drejtpërdrejt me grante dhe shoqëria në forma të ndryshme financojnë me shuma jo të vogla. Pothuajse nuk ka institucion arsimor, kulturor, bile edhe spitalet qofshin publike apo private, që gjatë vitit nuk e kanë një shkrimtar “në rezidencë” së paku për gjashtë muaj, të cilit ia sigurojnë të gjitha kushtet e punës së tij prej shkrimtari dhe e shpërblejnë për çdo muaj me shuma parash, të cilat arrijnë deri në 5000 dollarë. Mirëpo këto mjete nuk ndahen si te ne, por në bazë të kritereve, të cilat jo vetëm që janë publike, por edhe zbatohen me rigorozitet.
Në këtë kontekst më lindi vetvetiu pyetja: a ka jetë në poezinë e sotme shqipe, pra a poetizohet drama e individit e shkaktuar nga faktorë të ndryshëm? Përgjigjja më doli shkurt: JO! Kam bindjen se poezinë e sotme shqipe e dominon tematika historike, politike dhe erotike. Në të shumtën e rasteve, kur lexoj poezitë e sotme më shumë ndiej zhurma figurash shterpake se sa poezinë e vërtetë, e cila trajton dramën jetësore të njeriut me mjetet shprehëse, të cilat i nxit reagimi mendor dhe shpirtëror ndaj asaj drame.
Dikush mund të thotë se edhe në jetën publike shqiptare ka mjaft manifestime letrare, por po u shikuan ato manifestime me syrin e një Veri-amerikani (niveli i poezive që lexohen, puna e jurive e aspekte tjera) mund të konstatohej: Mungesë kriteresh, mungesë vlerash!
Duke përfunduar po e apostrofoj edhe një fenomen tërësisht irracional: Një pjesë e madhe e poetëve të rinj, të cilët kanë probleme serioze me njohjen e gjuhës amtare, qoftë edhe të nivelit shkollor nguten t’i gjejnë mjetet për t’i përkthyer librat e tyre dhe për t’i botuar te botuesit lokalë. Vetëm ata, që e njohin mirë tregun perëndimor të librit e dinë mirë se çfarë kriteresh duhet të plotësohen dhe se çfarë konkurrence marramendëse është për të botuar libër te botuesit e njohur, të cilët normalisht që garantojnë sukses për botimet e tyre.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s